Kampi fashist i Porto Romanos

redaktor

Në periferi të Durrësit gjenden ende rrënojat e kampit të përqëndrimit të fashizmit italian e më pas pushtuesit gjerman. Vargonj të çeliktë, mure të gjerë e të lartë, kulla, fortifikime, qeli, magazina e depo të mbetura që nga ajo kohë janë dëshmi e historisë në kampin e Porto Romanos. Me këtë kamp është i lidhur fati, historia dhe kujtesa e qindrave e qindra patriotëve shqiptarë dhe ballkanas të vendosur për të kundërshtuar pushtimin e vendeve të tyre nga ushtritë e huaja. Kampi i Porto Romanos gjendet në veri të Durrësit, skajin më të largët, atje ku kodrat zbresin në rrëpirën e thellë dhe shkumëzohen me detin që rreh shpatin. Sot ish kampi është ende zonë ushtarake dhe ruhet nga efektiva të marinës. Edhe pse kanë kaluar mbi 70 vite nga koha kur italianët e ndërtuan kampin për të izoluar dhe dhunuar kundërshtarët, ai ende në këmbë. Pakkush e di se pikërisht këtu në Porto Romano janë izoluar dhe janë shpërndarë për në kampet famëkeqe në Ustikë, Porto Palermo, Napoli, Bari dhe kampe të tjera izolimi qindra burra shiptarë. Sipërfaqja e territorit të kampit ka mbetur e pacënuar, e rrethuar me tela me gjëmba dhe e mbuluar nga bari e shkurret mesdhetare. Tani aty nuk ka jetë humane ndërsa vizitorët e vetëm janë zogjtë, lejlekët apo edhe kafshë të tjera që zbresin nga kodrat e larta të Durrësit. Në hyrje të kampit shumë vite më vonë, qëndron i ngritur në lartësi memoriali kushtuar të gjithë atyre nacionalistëve dhe patriotëve që qëndruan përkrah njëri-tjetrit për të kundërshtuar fashizmin. Listat, regjistrat, procesverbalet dhe vendimet e internimit apo të dëbimit për në kampe të tjera naziste, përgjithësisht janë djegur e zhdukur, ndërsa kanë ndërruar jetë apo kanë lënë vendin edhe dëshmitarët e fundit të mbetur në Durrës. Sot në këtë vend humbëtirë që ruan pjesën e historisë tragjike të mbushur me qindra episode tronditëse të të internuarve, nuk vizitohet nga askush. Madje nuk kujtohet edhe në ditë përvjetori të rezistencës.

 

1Kampi

Me të pushtuar Durrësin, italianët nxituan për të ndërtuar një kamp ku do të izoloheshin të gjithë kundërshtarët e fashizmit. Ndërtimi i kampit iu besua një force jomilitare e cila kishte përvojë në ndërtimin e qendrave të tilla. Italianët e pikasën pikërisht Porto Romanon si vendin më strategjik për të izoluar rebelët e tyre pasi thuajse ishte e pamundur çdo përpjekje për t’u arratisur apo edhe ndonjë tentativë e organizuar e armatosur për të liruar të izoluarit. Struktura u ndërtuar nga TAPA. Në pjesën që kufizohet me detin u ndërtua muri i gjerë 3 metër dhe po aq i lartë. Ky mur niste nga maja e kodrës e zbiste drejt bregut me një gjatësi rreth 250 metra. Në pjsën që kampi kufizohej me rrugën e cila të dërgonte në Durrës u vendos gardhi me tela me gjemba, kurse me pjesën jugperëndimore ndërtimi i gardhit apo murit ishte i panevojshëm pasi kodra kishte një rrëpirë që të fundoste në det nga një lartësi shumë e madhe. Brenda territorit u ndërtuan kapanone, magazina, qeli, fortifikime me dalje në anë të detit dhe në anë të rrugës, kuzhina, komanda dhe kullat e larta të vrojtimit. I gjithë aktiviteti brenda në kamp, ishte nën survejim të rreptë të OVRA-s, spiunazhi italian që kishte agjentë brenda në kamp. Të internuarit në Porto Romano që qëndronin të izoluar dhe në pritje të dëbimit në kampet fashistë përtej Adriatikut, ruheshin nga karabineria mbretërore. Kjo qe një praktikë e ndryshme pasi në kampet e tjera qendra e izolimit ruhej nga milicia fashiste. Të gjithë karabinierët ishin të armatosur me automatikë francezë. Kullat ishin vendosur në të gjitha anët dhe dy të tillë edhe në pikën më të lartë, në kodrën e thepisur. Karabinierët këtu në kullë kishin si armatim mitaloz të lehtë “Breda” me projektor. Kampi kishte edhe një funksion tranzit për të gjithë të izoluarit. Të internuarit, kryesisht mosha e re, transportoheshin më pas me anije drejt Italisë për t’u shpërndarë në kampet e tjera. Nëse kampi që kishte rreth 1200 të internuar sulmohej, komanda kërkonte ndihmën e marinës në portin e Durrësit. Gjithçka në këtë qendër izolimi ishte nën komandën e general lejtnant Agustinuçi, komandant i karabinierëve. Ky përgjigjej për veprimet e karabinierisë në Shqipëri, Kosovë, Ulqin dhe pjesërisht në Çamëri.

 

3Disiplina

Të internuarit që më pas do të degdiseshin drejt kampeve të tjera fashiste ishin nacionalistë, zogistë, komunistë, shtetas të huaj si malazezë dhe serbë… Një pjesë e tyre kishin përfunduar akademi ushtarake, të tjerë ishin nacionalistë të njohur. Pikërisht për shkak të kësaj, italianët pasi i identifikuan emër për emër, i rrëmbyen forcërisht nga shtëpitë e lokalet apo edhe në rrugë si elementë subversivë. Në mesin e të izoluarve ishin edhe Syre Ajazi, Allaman Çupi, toger Nazif Babani, kolonel Faik Quku e qindra të tjerë nacionalistë e patriotë shqiptarë. Sa herë që komanda lexonte komunikatën e luftës me emrat e ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri, të internuarit duhet të ngriheshin në këmbë. Por patriotët shqiptarë e kundërshtonin hapur këtë detyrim dhe për pasojë ata futeshin një nga një në qeli të mykura, pa dritë, pa ndriçim dhe pa ajrim për më shumë se një muaj, ku nuk ngopeshin as me frymë. Të vetmet lajme që vinin në autoporlantin e kampit ishin himni italin, komunikata italiane e luftës dhe betejave, njoftime për zonat e pushtuara nga italianët dhe lajme që priteshin me iritim nga të internuarit. Si normë ushqimore për të internuarit ishte caktuar norma më e ulët e triskës së një qytetari të papunë italian. Çdo duhanpirës lejohej të merrte deri në 10 gram cigare në ditë, ndërsa atyre u lejohej të prisnin vetëm një letër familjare në muaj pasi më parë të ishte lexuar nga komanda për brendinë e saj. Italianët lejonin qarkullimin e letrës vetëm brenda perandorisë së tyre si në Shqipëri, Itali, Etiopi, Mbretërinë e Malit të Zi dhe të Kroacisë pjesërisht. Shtretërit në kapanonet e mëdha ishin prej dërrase dhe dyshek kashte. Takimet familjare firmoseshin nga komandanti i karabinierëve me kundërfirmë të agjentit të OVRA-s. Në mungesë të komandantit të drejtën e firmës e kishte vetëm kuestori i Durrësit, ndërkohë që pak kush kishte privilegjin të takonte familjen. Italianët e mbajtën kampin deri më 25 korrik të vitit 1943.

 

4Nazistët

Pas kapitullimit të fashistëve, kampi u vendos nën mbikqyrjen dhe administrimin e gjermanëve. Nazistët nuk bën ndonjë investim të dukshëm. Brenda rrethimit dhe nën roje të fortë ata izoluan ushtarakë të marinës italianë të zënë robër, ish kalorës të regjimentit përkatës, ushtarë të kompanisë autonome të divizionit Firence me komandant gjeneralin Azzi. Kapanonet e shumta u mbushën me armatime që u kapën në lufitme me italianët, kurse më 8 nëntor 1944 u bë evakuimi i depove përfshirë edhe materialet e xhenjos. Me ardhjen e pushtimit nazist, Durrësi u shpërngul i tëri duke u zbrazur në dy ditë. Qyteti numëronte asokohe afro 25 mijë banorë, ndërsa asnjë këmbë njeriu nuk mbeti në qytet. Në shtator 1943 operacioni “Shëtitje në bregdet” bëri objekt zbatimin e strategjisë së zbrazjes së qendrës më të madhe të banuar në brigjet e Adriatikut, pikërisht vendin ku zbarkuan pushtuesit, Durrësin. Nazistët i druheshin qoftë edhe ndonjë atentati dhe kjo i shtyu ata të boshatisin me detyrim qytetin. Elementët e dyshimtë iu bashkuan robërve italianë dhe kalonin ditët e muajt në brigjet e detit në Porto Romano nën izolim të plotë. Dështimi i forcave gjermane përballë aleatëve bëri që nazistët të linin edhe kampin e Porto Romanos. Në ndryshim nga rastet e tjera, kampi nuk u hodh në erë dhe as nuk u minua.

 

Strehë e çamëve

Në kohën që Greqia nisi spastrimin etnik të çamëve, familje të tëra të partizanëve çamë u sistemuan në Porto Romano. Në shkurt 1945 zona shërbeu si vend magazinimi për ndihmat në materiale ndërtimi të ardhura nga aleatët. Ndërsa vetëm pak muaj më pas qindra refugjatë çam u strehuan përkohësisht deri sa ata u transportuan për në Plazhin e Durrësit. Ruajtja e kampit pas viteve 1945 u bë me anë të forcave të divizionit të mbrojtjes së popullit. Po aty zhvilloheshin mësime treguese, stërvitje dhe praktike me armë e municione nga specialistë shqiptarë, oficerë grekë, ekspertë rusë të vendosur pranë divizionit të Korçës dhe ata të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Kampi ka 75 vite që nga koha e ngritjes. Nga të gjitha kapanonet, godinat apo edhe komanda e dikurshme është në gjendje funksionale vetëm një godinë e vogël. Një nga një nga ky kamp po fshihen edhe godinat, objektet, kullat, muri, qelitë dhe rrethimi duke humbur një nga pasuritë e rralla të dëshmisë së qëndresës shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.

Share This Article
1 Comment
  • Porto romanua ka nje histori qe na ben krenare per prinderit dhe te afermit tane. historia e tij eshte teper e rendesishme dhe me nje organizim teper interesant qe befasohesh.Ju gazetaret duhet te germoni me teper per kete sketere fashiste. Roli qe luajten te internuarit shqiptar ne kete kamp,eshte teper interesant. Interesohuni sado pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *