Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Chuck Hagel ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij. Presidenti Barack Obama konfirmoi lajmin edhe zyrtarisht. Ish-senatori republikan dhe veterani i luftës në Vietnam, Hagel u vendos në krye të Pentagonit në shkurt 2013-të duke zëvendësuar Leon Panettan dhe është përkushtuar që të qëndrojë në detyrë derisa Obama të emërojë zëvendësuesin e tij.
E përditshmja “The New York Times”, e para që informoi dorëheqjen tij, duke cituar disa zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë, pohoi se Hagel po lë Pentagonin për shkak të presionit të Obamas. Media të tjera pohojnë se Hagel e ka marrë vendimin vetë, pas disa javësh bisedimesh në lidhje me këtë çështje me Presidentin. Mosmarrëveshjet mes Hagel dhe Obamas për mënyrën e luftimit të Shtetit Islamik kanë qenë evidente.
Sekretari i Mbrojtjes ka kritikuar se fundmi strategjinë e SHBA-së në Siri në një memorandum të drejtuar këshilltares kryesore të Sigurisë Nacionale, Susan Rice. Dorëheqja e tij vjen në momentin kur sapo është mësuar se, Obama ka firmosur një urdhër sekret që autorizon shtrirjen e rolit të trupave amerikane në Afganistan më 2015-ën, e që i jep mundësinë ushtrisë të përshihet në operacione luftarake.
Hagel ishte një kritik i madh i George W. Bush gjatë presidencës së tij dhe luftës në Irak, të cilën në fillim e aprovoi, por më pas e konsideroi “gafën më të rrezikshme të politikës së jashtme të këtij vendi pas Vietnamit”. Ndër zëvendësuesit e tij, përfliten emra si ai i Michele Flournoy apo Ashton Carter, me eksperiencë në Departamentin e Shtetit dhe senatori Jack Reed, mes të tjerëve.
/O.J
