Isa Mustafa: Unë do të jem kryeministri i Kosovës

redaktor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua dje me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Takimi kishte në qendër informimin për përgatitjet për formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, respektivisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e qeverisë së re. Krerët e dy partive informuan Presidenten për programin qeveritar dhe konsolidimin e prioriteteve shtetërore. Ajo i inkurajoi ata që të krijojnë institucione relevante në mënyrë që të kompensohet koha e humbur.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e njoftuan Jahjagën se subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar më 8 dhjetor 2014. Menjëherë pas takimit Isa Mustafa ka thyer heshtjen që ka mbajtur prej disa ditësh dhe ka deklaruar i sigurt se ai do të jetë Kryeministri i Kosovës. “Unë do të jam kryetar i Qeverisë së Kosovës”, tha Mustafa.

Ai nuk përmendi emra ministrash, sikurse janë përfolur ditët e fundit. Mediat në Kosovë sigurojnë se LDK-ja do të marrë 7 poste ministrash, ndërsa PDK do të drejtojë 8 ministri. 4 ministri do të drejtohen nga minoritetet. Sipas analistëve, PDK gjithashtu do të marrë postin e kryetarit të Parlamentit dhe do të ketë mbështetjen e LDK-së për postin e Presidentit të Kosovës në vitin 2016-të, me mbarimin e mandatit të presidentes Atifete Jahjaga.

Marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së u nënshkrua nga liderët e këtyre subjekteve politike, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në prani të Presidentes Atifete Jahjaga dhe ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.

Partia e Isa Mustafas ishte pjesë e koalicionit VLAN, të formuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismas dhe Vetëvendosjes. Por pikërisht posti i kryeministrit u bërë shkak i ndarjes së tyre.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *