Vila: Mendojmë për Teutën, pastaj derbi

redaktor

Fitorja ndaj Kukësit riktheu qetësinë tek Partizani pas humbjes në Korçë, por përpara është një tjetër test i vështirë për 15 herë kampionët.

Në fundjavë të kuqtë e kryeqytetit udhëtojnë në Durrës për t’u përballur me Teutën, një sfidë e rëndësishme për skuadrën dhe në veçanti për mesfushorin Emiliano Vila që rikthehet në qytetin e lindjes dhe përballë skuadrës që e formoi si futbollist.

“Kthehem pas 5 viteve në qytetin tim dhe në ‘Niko Dovana’. Jam rritur si lojtar dhe mendoj se do të ndjehem mirë. Nëse shënoj nuk do të festoj pasi kam nostalgji”, tha durrsaku. Ana sentimentale mënjanë, tashmë është koha për Vilën që të marrë përsipër sulmin e Partizanit, për më tepër që në këtë 90-minutësh nuk luan sulmuesi Racic.

“Mungon Racic, por kemi shpërndarë golat. E ndjej presionin dhe pastaj goli është fat. Synimi im është të zhvilloj ndeshje të mirë dhe të ndihmoj ekipin, pastaj të shënoj.

Po rritem, por nuk jam ende në formë”, theksoi mesfushori kuqezi. Më pas një vlerësim për kundërshtarin, të cilin e sheh në lartësinë e duhur, pavarësisht oshilacioneve të javëve të fundit. “Teuta ka ekip të mirë, kanë luajtur mirë edhe me trajner Likën.

Por ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë, shkojmë për të fituar. Mendojmë për Teutën dhe pastaj për Tiranën”, shtoi Vila.

Ndaj Tiranës, derbi do të jetë pa tifozerinë mike, një realitet të cilin as vetë mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk e aprovon. “Do të ishte më mirë derbi me dy tifozeri”, përfundoi Vila.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *