Eurofobët kësaj radhe arritën të bashkohen. Ndonëse me parime dhe ideale krejtësisht të ndryshme, Nigel Farage i UKIP, Marine Le Pen e Frontit Nacional francez dhe Bepe Grillo i Lëvizjes 5 yjet në Itali, u bashkuan, për t’i dhënë një “goditje” BE-së. Mbledhje firmash (76), që çuan në një mocion mosbesimi ndaj Komisionit Junker. Shkaku sa racional, bazuar në skandalin “LuxLeaks” marrëveshjet e fshehta fiskale, të kryera mes Luksemburgut dhe kompanive shumëkombëshe, por edhe aq i debatueshëm, pasi të gjithë shtetet anëtare vlerësohen se e aplikojnë nga pak ketë sistem.
Me një gjuhë tejet të ashpër dhe akuzuese, deputetët e kësaj iniciative ligjore, akuzuan kreun e KE-së Junker, se është shkaku i të gjithë të këqijave në Europë:
“ Ju jeni tërësisht përgjegjës për lejimin e zbatimit të këtyre teknikave të evazionit fiskal në shkallë të gjerë. Asnjë person i arsyeshëm, nuk mund të besojë se ju do të luftoni sinqerisht dhe në mënyrë të vendosur për të zhbërë nesër, ato, që tashmë keni bërë. Do të ishte po aq e besueshme, sa emërimi i Al Kapones, President i Komisionit të sigurisë dhe etikës”..(…)…” Ju nuk jeni i vetmi, por ju jeni shembulli më i mirë i monstrës, që është shndërruar Bashkimi Europian”,- do të deklaronte kreu i Frontit Nacional francez, Marine Le Pen.
Por, përtej retorikës së tejskajshme dhe mundësisë së shkarkimit real të Komisionit Junker, çfarë po ndodhte në skenën politike të BE-së? A po kërkohej realisht shkarkimi i Junker, apo loja ishte shtrirë në të tjera dimensione?
Në nisje të çdo aksioni politik, logjikisht, përllogariten të gjitha opsionet, të cilat edhe me dështimin e tyre në thelb, ato gjenerojnë fitore në plane të tjera vepruese.
Grupimi Eurofobik, që me nisjen e kësaj procedure, e kishte të qartë se objektivi në vetvete, ishte një mision i pamundur. Shumica në PE, që mundësoi edhe emërimin e Junker, nuk dëshironte aspak destabilizimin e Komisionit të sapoemëruar. Janë disa elementë që ndërthuren, nga njëra anë aspekti ekonomik dhe përpjekjet për të nxjerrë përfundimisht Europën nga ngecja ekonomike, që nuk favorizonin aspak këtë iniciativë dhe nga ana tjetër, kriza gjeopolitike në kufijtë e BE-së, që po e përfshin atë në dimensione të ndryshme të saj, çka imponon qëndrueshmëri dhe stabilitet të brendshëm politik.
Një tjetër faktor, që e bënte të pamundur arritjen e këtij objektivi, kishte të bënte me logjikën e kombinimit të forcave brenda PE-së. Kjo logjikë, ka ekspozuar vazhdimisht një klimë të hapur mosbashkëpunimi, si edhe një tendencë izoluese, që shumica shfaq përballë lëvizjeve apo grupimeve eurofobike apo ekstremiste në PE. Deklarata e hapur e liderit të social-demokratëve, Gianni Pitella, “të mos i bëjmë një dhuratë, euroskeptikëve”, konfirmon edhe një herë frymën izoluese ndaj tentativave, që vijnë nga grupimet eurofobike. Këto shenja mosbashkëpunimi dhe mbështetje vërehen edhe tek ekstremit i kundërt, i majtë. P.sh, ndonëse edhe e majta radikale, tentoi për të realizuar të njëjtin objektiv, pra mbledhjen e firmave për të mundësuar shkarkimin e Komisionit Junker, ajo nuk pranoi në asnjë mënyrë të bashkonte firmat me ekstremin e djathtë.
Po përse, kjo iniciativë, teksa shanset e tyre që në pikënisje ishin thuajse inekzistente?
Zgjedhjet e fundit evropiane, shfaqën një terren në rritje të forcave euroskeptike. Franca dhe Britania e Madhe ishin ndër vendet, që u tronditën më shumë nga ky zgjerim i elektoratit, që kërkon shpërbërjen e BE-së dhe kthim në epokën e lavdisë kombëtare. Rezoluta e dorëzuar me firmat e 76 eurodeputetëve për një mocion mosbesimi ndaj Junker, vinte me iniciativë të grupimit të Nigel Farage të UKIP, Europa për Liri dhe Demokraci. Por, nga ana tjetër UKIP në Britani, vazhdon të surprizojë skenën politike me fitoret e radhës. Suksesi i UKIP, po shtyn gjithmonë e më shumë si konservatorët në pushtet, por edhe laburistët në opozitë të luajnë fuqishëm me kartën anti-BE, anti-imigracion, elementë tashmë të deklaruar të axhendës politike të UKIP.
Si UKIP por edhe FN, ndonëse janë parti, të cilat nuk janë testuar asnjëherë në qeverisje kombëtare, aspiratat e tyre politike synojnë pikërisht këtë të fundit. Në një skenë tashmë të dominuar nga afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme, UKIP prezantohet sërish përballë elektoratit britanik, me lëvizje strategjike të mirë planifikuara, duke sulmuar ashpër, si laburistët të cilët votuan kundër shkarkimit të Junker, por edhe konservatorët në qeveri, të cilët abstenuan. UKIP po sulmon të dy krahët, duke i akuzuar nëpërmjet mënyrës së votimit, se janë pozicionuar kundër interesave të qytetarëve britanikë. Në akuzat e tij ndaj konservatorëve në pushtet, Steven Woolfe, eurodeputet i UKIP, teksa ironizonte me faktin nëse konservatorët po mbronin të paktën ndonjë interes qytetar, i kujtoi atyre se, ndërsa kreu i KE-së, Junker favorizonte korporatat shumëkombëshe në evazion fiskal, ai ishte njëkohësisht një prej shefave të eurozonës, që impononte uljen e shpenzimeve dhe rritjen e taksave në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të zënë në grackën e monedhës së përbashkët.
Ndonëse misioni për shkarkimin e Junker nuk u finalizua, forcat eurofobike, gjithsesi ia dolën të bashkohen në një investim të përbashkët politik, që përkthehet në kapitale të rëndësishme elektorale, në politikat e brendshme kombëtare. Ndonëse një tronditje, që mund të konsiderohet si “simbolike”, ato arritën t’i rikonfirmojnë sërish elektoratit të tyre, vullnetin për të cilin janë deleguar./im.ta/
