Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar aksionin e përbashkët në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike , ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, por edhe për vjeljen e pagesave nga abonentët debitorë.
Në të gjithë vendin kanë vepruar 61 grupe të përbashkëta PoliciOSHEE. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 36 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 38 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 19 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike.
Gjithashtu janë ndaluar dy punonjës të OSHEE dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë, me detyrë elektriçist në Qarkun Elbasan. Sipas të dhënave të policisë, janë shpallur në kërkim 4 persona , si dhe ndiqen në gjendje të lirë 13 të tjerë. Policia dhe OSHEE kanë kryer 851 aksione të përbashkëta duke ndërprerë 516 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonentëve debitorë. Po gjatë ditës së sotme janë kontrolluar 121 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
