Ministria e Energjisë ka reaguar ndaj deklaratës së Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme rreth vendimit të qeverisë për ndryshimin e metodologjisë së llogaritjes së çmimit me të cilin prodhuesit privat ja shesin energjinë operatorit të ngarkuar me ligj për blerjen e saj.
Ministria thotë se vendimi për këtë gjë është konsultuar dhe është i detyruar, për shkak të rrethanave të rkijuara.
“Vendimi ndryshon metodologjinë mbi bazën e së cilës, më pas, do të jetë Enti Rregullator i Energjisë ai që do të përllogarisë çmimin e energjisë që prodhuesit do ti shesin operatorit përkatës të ngarkuar me një detyrim të tillë.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë siguron se vendimmarrjet e saja në kuadër të reformës në sektorin energjitik janë konsultuar dhe vazhdojnë të konsultohen me grupet e interesit. Tryezat në funksion të këtyre konsultimeve kanë qenë publike. Vendimmarrjet synojnë rritjen e likuiditetit në sektor, çka që do të bënte të mundur edhe shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj prodhuesve private. Qeveria është angazhuar seriozisht për të nisur menjëherë shlyerjen e këtyre borxheve të prapambetura dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.
Ministria e Energjisë sqaron se tarifat aktuale të energjisë elektrike të miratuara prej Entit Rregullator të Energjisë marrin parasysh vetëm deri 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla.
Në total, janë firmosur nga qeveria e mëparshme 164 kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 hidrocentraleve. Aktualisht, prodhimi i HEC-eve të vogla ka arritur në 748 mijë megavat për 2014 dhe pritet rritja e mëtejshme në 920 mijë megavat në 2015. Në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë, barra në kurriz të KESH-it, që indirekt është barrë për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit, do të shtohej në mënyrë të konsiderueshme duke imponuar rritjen e çmimit fundor të energjisë për qytetarët shqiptarë.
Nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kë/h, kap shifrën e 32.6 milion eurove. Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet të kapë shifrën 39.7 milion euro me tendencë rritëse vit pas viti.
Kjo kosto e re e pareflektuar dhe borxhet e akumuluara ndër vite janë arsyet se përse Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të tarifës së shitjes së energjisë nga 2.2 lekë/kilovat në 3.4 lekë/kilovat”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Ministria thotë se vendimi për ndryshuar llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë së pordhuesve të vegjël, bëhet për të mos rënduar konsumatorët.
“Duke qenë e vendosur për të mos rënduar konsumatorin shqiptar me kosto të tepërta dhe për të mbajtur çmime të qëndrueshme të energjisë, qeveria ka vendosur të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit të blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël duke e përafruar atë me çmimet reale të tregut.
Rishikimi i kësaj metodologjie do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjës së energjisë për KESH sh.a, në vlerën rreth 2.3 miliardë lekë (për vitin 2015), gjë e cila do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët shqiptare, duke mos shkaktuar kështu një deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrikë.
Çmojmë se ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së cmimit, do të nxisë edhe prodhuesit e vegjël që tashmë të mos qëndrojnë të lidhur me këto kontrata shumëvjecare të nënshkruara me cmime të rregulluara, por të dalin në treg të hapur, ku mund të negociojnë lirisht cmimet e tyre, sipas marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe që mund të bëjnë me operatorë të tjerë të tregut, apo konsumatorët e energjisë elektrike. Kjo përkon edhe me vendimin e qeverisë për të hapur tregun e energjisë elektrike deri në masën 40% brenda vitit 2018”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjisë.
