Një lajm i fundit nga Zvicra: Populli rrëzoi me referendum kërkesën e prezantuar nga qeveria për kufizimin e hyrjes së emigrantëve në këtë vend, nëpërmjet ndërhyrjeve antinataliste në vendet e origjinës së emigrantëve. Kjo ndodhi në Zvicër, e cila është dalluar, në mos për kontroll, të paktën për kujdes jo të zakonshëm ndaj flukseve të të huajve. Mund të merret me mend çfarë mund të pritet në vende të tjera, ku opinioni publik ka qenë tradicionalisht më mikpritës ndaj emigrantëve.
Zakonisht Europa ka qenë më konservatore se ShBA në lejimin dhe akomodimin e flukseve migratore. Dhe ky dallim vazhdon ende. Masa e para pak ditëve e Presidentit Obama u krijoi një mundësi rregullimi ligjor në ShBA rreth 5 milionë emigrantëve të paligjshëm. Në krahasim me politikat amerikane, të cilat janë prirur nga hapja, lejimi dhe integrimi, politikat europiane janë prirur, si rregull, nga mbyllja, ndalimi dhe kufizimi i flukseve. Motivet që qëndrojnë pas këtyre politikave të dallueshme janë të njohura dhe të shpjegueshme. Por kam përshtypjen se, nën trysninë e grupeve konservatore dhe izolacioniste anti-emigrante, vendet anëtare dhe vetë BE kishin prirje të shkonin disi më larg në politikat e kujdesshme ndaj emigrantëve. Shumë më larg shkonte propozimi i fundit referendar në Zvicër. Të cilit zviceranët i thanë Stop!
Papa Françesku theksoi ditët e fundit se Europa duket e plakur dhe e drobitur. Kjo ka ndodhur për shumë shkaqe, por kryesisht për shkak të pakësimit me ritme të larta të numrit të lindjeve. Migracioni është një zgjidhje jo vetëm ekonomike, por edhe demografike për Europën sepse e furnizon atë me popullsi në moshë të re. Sot në botë ka rreth 300 milionë emigrantë ekonomikë dhe refugjatë. Emigrantët ekonomikë përbëjnë shumicën dërrmuese të njerëzve të zhvendosur në kohën e sotme: rreth 240 milionë, kundrejt 17 milionë refugjatëve politikë dhe 51 milionë të zhvendosurve forcërisht nga vendi i origjinës. Kjo do të thotë se shumica dërrmuese e emigrantëve janë një burim të ardhurash, jo vetëm për familjet dhe vendin e tyre, por edhe për vendin pritës. Por politikat e deritanishme europiane duket se fokusohen vetëm në problemet që u krijojnë emigrantët, jo në zgjidhjet që u japin shoqërive në kontinentin e plakur. Kjo sjell ndryshimin e shpejtë të piramidës moshore të popullsisë, ngaqë vendet dërguese të emigratëve kanë një popullsi të re në moshë dhe, si rregull, emigrantët janë pjesa më e re e popullsive. Përpjekja për të kufizuar flukset migratore shkon përkundër prirjes së integrimit të emigrantëve në shoqëritë pritëse. Studimet tregojnë se për 15 vitet e para, emigrantët janë një barrë për sistemin e mirëqenies. Ndërsa pas kësaj periudhe, ata shndërrohen në sponsorë të sistemit. Dy dekadat që kanë kaluar nga emigrimet masive prej Lindjes dhe Jugut drejt Perëndimit dhe Veriut të Europës kanë krijuar mundësinë që emigrantët në këto vende të jenë rregulluar ligjërisht, instaluar ekonomikisht dhe integruar shoqërisht. Në këtë kontekst, ata mund të konsiderohen si një burime dhe vlerë e shtuar për aftësitë akomoduese të ekonomive të vendeve pritëse. Por shtetarët europianë duket se janë të vonuar në njohjen e këtij procesi. Prandaj Zvicra na befasoi.
Qeveria zvicerane u kërkoi qytetarëve të vet të verifikonin një nismë të saj, e cila shkonte më larg se politikat e deritanishme kufizuese europiane. Si një vend neutral dhe jo anëtar i BE-së, në mungesë të konsultimeve komunitare, qeveria iu drejtua demokracisë së drejtpërdrejtë. Thelbi i kërkesës ishte që për të pakësuar flukset e të huajve drejt Zvicrës, të ndihmohen vendet dërguese të emigrantëve për të zhvilluar (mbani shënim!) politika antinataliste. Pra, të kontrollohen lindjet. Shikoni sa pa sens është një politikë e tillë, e cila plakjen e Europës kërkon ta zgjidhë jo me furnizimin e saj me popullsi të re, por duke plakur popullsitë e vendeve dërguese. Vendet dërguese të emigrantëve kanë një popullsi rreth 10 vjet më të re në moshë sesa popullsia e kontinentit të vjetër dhe të plakur, mosha mesatare e së cilës është rreth 42 vjeç, dhe është rritur rreth 4 vjet gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë që popullsia e moshuar përbën rreth 18 përqind të popullsisë së kontinentit. Në Shqipëri këta tregues janë respektivisht rreth 33 vjeç dhe 13 përqind. Ky veprim i qeverisë zvicerane, për të cilën ajo kërkoi konsultimin me qytetarët e vet, rrjedh nga korrelacioni midis emigrimit dhe varfërisë. Emigrantët, si rregull, konsiderohen transferues të varfërisë nga vendet e origjinës në vendet pritëse. Por, në fund të fundit, varfëria nuk zhduket dhe as ulet me politika maltuziane antinataliste, por me programe zhvillimi. Ndoshta këtë kishte në mend edhe qeveria zvicerane, e cila para se ta kalonte në hartimin e një legjislacini të ri anti-migrator, kërkoi mendimin e qytetarëve të vet. Të cilët votuan. Dhe çuditërisht kundër propozimit të qeverisë.
Leksioni që populli zviceran i dha qeverisë së vet, vlen për të gjitha qeveritë europiane. Tashmë është e dukshme një hile e politikave migratore në nivel global: Qeveritë kërkojnë të kufizojnë flukset e punëtorëve të pakualifikuar, pra të të varfërve, por krijojnë njëmijë e një lehtësira për të thithur trurin dhe pasuritë e këtyre vendeve. Hilja e parë: mjaft vende pritëse nxisin imigrimin në vendin e tyre të elitave dhe specialistëve të shumëkualifikuar nga vendet e varfëra dhe në zhvillim, por u mbyllin dyert punëtorëve dhe të varfërve. Me sistemin e pikëve që aplikojnë, ato po grabisin trurin e vendeve të varfëra. Pra, përveç rrjedhjes, humbjes dhe harxhimit të trurit, kanë prezantuar në skenarët migratorë edhe një dukuri të re: grabitjen e tij. Hilja e dytë: paralel me mbylljen e dyerve për të varfërit, shqyejnë dyert për pasuritë nga këto vende, nëpërmjet liberalizmit të politikave të shtetësisë për investitorët nga vendet e varfëra, duke e konvertuar atë me disa qindra-mijra EURO. Në këtë mënyrë, në vend që të aplikohen programe zhvillimi për vendet e varfëra që prodhojnë emigrantë, po u rrëmbehen atyre truri dhe pasuritë, duke i lënë pa burime njerëzore dhe financiare që të nxisin vetë-zhvillmin. Prandaj leksioni zviceran duhet të lexohet në të gjitha kanceleritë e Europës. Është cinike që vendeve të varfëra t’u jepen kredi me interes, ndërkohë që joshet lëvizja e kapitaleve të tyre në vendet e pritëse të emigrantëve.
Zviceranët iu dhanë një mësim jo vetëm qeverive, por edhe popujve të tjerë të Europës. Ata i ftuan popujt të përballojnë një sfidë të vështirë. Zakonisht popujt, sidomos punëtorët e pakualifikuar në vendet e Europës, janë viktimat e para dhe më të shpeshta të flukseve të emigrantëve. Thjesht sepse këta të fundit u marrin vendet e punës kundrejt një page më të ulët. Partitë dhe lëvizjet anti-emigrante në këto vende nisen zakonisht nga ky realitet. Por qytetarët zviceranë sugjerojnë se as mbyllja e dyerve, as bllokimi i lindjeve të popullsive të reja nuk është zgjidhja. Zgjidhje të tjera janë të mundura. Por ato kërkojnë pak inteligjencë dhe shumë humanizëm.

Bravo Populli zvicerian !
Ja nje grimce nga takimi me dy zviceriane
Une isha nje dite ne Manhatan dhe po qendroja tek semafori per te shkuar tek Macy .kur mu afruan dy vajza ..qe flisnin gjuh te huaj .. Nuk mu durua dhe I pyeta: , Ca gjuhe esht kjo qe flisni ju?
Ato u pergjigjen: Gjermanisht
Ou, gjermanisht, ju thashe I habitur se dukej shum soft shqiptimi I tyre.
Kur ato shtuan jemi nga Zvicra.
Ju them : Zvicra. Really.? E njifni Shakiri, Granit Xhaka , Kasami…….qe lozin me kombetaren e Zvicres ?
Ato u menduan pak ,pastaj thane njezeri : Aaa po po , jane futbollistet tane
Ju thashe : yeh, por jane dhe patriotet e mij , se jane shqiptar, si une….
Pastaj duke ikur dhe duke qeshur ju thashe:
E shikonI, ju kemi ndihmuar…
Ato u pergjigjen tuj qesh : Thank you , thank you, ….
Ok
shum bukur