Na u deshën disa ditë të përmbyllnim këtë bisedë me një djalë shqiptar që jeton në Angli. Ai është shpallur më i miri në disa konkurse që lidhen me modifikimin e makinës tip BMW. Bujën e parë e ka bërë në prill të vitit 2012, ndërsa gjatë këtij viti i ka tejkaluar të gjitha parashikimet. Ka marrë gjithsej 5 çmime. Po le ta njohim më shumë këtë djalosh.
Marsel Theodhori ka 15 vite që jeton në Londër. “Jam këtu mbi 15 vjet dhe jam tani 35 vjeç”, nis ai rrëfimin për Dita-n. Është inxhinier mekanik dhe ka mbaruar shkollën IMI (Institution of Motor Industry) në Londër. “Aty u kualifikova si motorist, prej 10 vjetësh punoj për Ministrinë e Transportit MOT në Londër, që ka të bëjë me kolaudimet”, tregon Marseli.
Dashuri e kthyer në zanat
Në vitin 2012, Marseli ka modifikuar një model BMW-je (modelin BMW E28 M5). Por nuk e ka lënë me kaq. Gjatë bisedës nuk është e vështirë të kuptosh që është “i çmendur” pas kësaj makine dhe pas asaj që bën: “Është jeta ime, pasioni im, ëndrra ime.. Është dashuria që u kthye profesion, prej vitesh kam ushtruar profesionin dhe kam arritur të kuptoj që “Motor Trade” është e vetmja rrugë e karrierës time profesionale”, thotë 35-vjeçari korçar me banim në Londër.
Një BMW në Korçën e viteve ‘90
Ku ka lindur kjo lidhje e veçantë me makinat, veçanërisht me modelin e dashuruar prej Marselit? Me sa duket në vitet ‘90 në Korçë. “Modeli BMW E28 M5 më ka lënë mbresa që në fëmijërinë time në Shqipëri. Për të mos u zgjatur shumë me historinë, një makinë e tillë ka ekzistuar në Korçë në vitet ’90, ka qenë e bardhë dhe e modifikuar atëherë në shkallën më të lartë nga vetë Bavaria Motor Works në Gjermani. Që atëherë më hyri në zemër dhe për mua makina ideale ngeli një dhe e vetmja BMW E28 M5”.
“Performance BMW Magazine”
Dy herë në dy revistat e BMW-së
Hera e parë për Marselin dhe për një djalë shqiptar që del në një revistë të rëndësishme makinash ishte në vitin 2012. Po pse ka dalë Marseli në kopertinën e revistës “Total BMW Magazine” dhe ç’do të thotë për të kjo gjë? “Në gusht të vitit 2012 u paraqita në një show shumë prestigjioz që quhej “BMW National Festival” i cili zhvillohej në Heritage Motor, në qendër të Gaydon, ku makina ishte vendosur brenda në muzeum si complimentary display (shfaqjeje plotësuese). Disa javë më vonë, në shtator morra pjesë në një konkurs shumë të madh që zhvillohet një herë në vit në Santa Pod, në veri të Anglisë. Në këtë konkurs mblidhen makina nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar dhe unë arrita të dal fituesi i konkursit dhe m’u dhurua trofeu ”Best of BMW Show 2012”. Ky ishte show i fundit i atij sezoni dhe unë e mbylla me shumë sukses”.
Dhe pas këtij rrëfimi vijmë të momenti i daljes në revistë. “Në nëntorin e po atij viti mora pjesë në një takim (show) shoqëror që quhet “Classic BMW Car Club Show” në Somerset (perëndim të Anglisë). Aty si gjithmonë shumë entuziastë ndanim pasionet tona për BMW. M’u afrua një zotni që quhej Bryn Musslewhite, u prezantua si një nga botuesit e revistës “Total BMW”. Bryn ishte shumë i entuziazmuar nga cilësia e restaurimit të BMW-së sime dhe më ofroi menjëherë një
artikull. Për mua ishte një nder që m’u dha mundësia të reklamoja në “Total BMW magazine” një punë kaq të madhe dhe të vështirë pas kaq shumë vitesh. Bryn duke folur me mua, ishte akoma i panjohur me historinë e makinës dhe çfarë përfshihej në këtë restaurim, qëndronte i panjohur këtu modifikimi i saj dhe çfarë fshihej për brenda nga ana teknike. Bryn duke buzëqeshur më pyeti: “Çfarë motori ke vënë në këtë makinë?” Ju përgjigja me heshtje duke hyrë në krahun e timonit dhe hapa kofanon. Je gati?, i thashë. Kur Bryn hodhi shikimin e parë në motor bërtiti me të madhe: “Uooou Marsel “I have never seen such an incredible conversion“. Kënaqësia që ndjeva në ato momente ishte e papërshkrueshme. Bryn më tha që në historinë e 13 viteve reklamimesh në revistë nuk ka pasur asnjë rast të reklamohet një makinë e tillë. Këtë fjali e shkroi në artikull. Kjo makinë që nga ky moment fitoi kopertinën për muajin prill 2012. Brenda ishin 7 faqe artikull. U përfshi gjithçka aty: historia e makinës, mënyra e restaurimit dhe ekstremi i modifikimit”.
Por çfarë ka ndodhur me djaloshin dhe makinën e tij gjatë kësaj kohe? “Që prej botimit të revistës “Total BMW” në prill të 2012 makina ka qenë në lëvizje pothuajse gjatë gjithë atij viti. Gjithashtu duke vizituar dhe disa nga shfaqjet e makinave klasike të natyrës së saj. Performanca e makinës gjatë gjithë vitit ishte e përkryer dhe unë personalisht e shijova shumë këtë periudhë mbas një pune shumë të madhe dhe konstante në ndërtimin e saj. Një periudhë e cila zgjati afërsisht 10 vjet. Të them të drejtën gjatë gjithë kohës e vija në përdorim gjithë potencialin e saj dhe vërtet më jepte një kënaqësi të rrallë”.
Marseli nuk do ndalej me kaq, gjatë këtij viti ka marr pjesë sërish në një konkurs për modifikimin e makinave në BMW SHOW në Santa Pod. Mes 4 mijë konkurrentëve ai ka shkëlqyer duke rrëmbyer pesë trofe. “Që nga suksesi i parë, makina u fut në garazh për modifikime të mëtejshme dhe rritje në fuqi të motorit. Jo sepse nuk isha i kënaqur me performancën e saj, por kisha ambicie për ta kaluar makinën në një nivel tjetër më të veçantë. Kjo periudhe zgjati afërsisht dy vjet, si rezultat ndryshimet dhe modifikimet ishin kolosale. Duke arritur një qëllim të tillë, doja me ambicie të madhe të konkurroja në show-n më të madh të BMW-së 2014 dhe në konkurset e makinave më të veçanta e më të rralla në gjithë Britaninë. Doja shumë të tregoja cilësinë e kësaj makine, veçanërisht tani që ishte e super modifikuar me 500 kuaj fuqi. Fillova suksesshëm në gusht të 2014 duke fituar 5 trofe të rinj si “Best of Show” BMW. Fillimisht në BMW National Festival përsëri në 17 gusht të këtij viti në Gaydon. Këtë herë në festival makina shkëlqeu kaq mirë dhe impresionoi gjyqtarët e festivalit që e klasifikuan atë si BMW më të mirë të festivalit ku edhe mu dhurua trofeu (“BMW show & shine 2014” Winner). Mbas këtij konkursi unë vazhdova të paraqitesha në shumë show të tjerë. Gjithmonë duke patur dëshirën dhe ambicien për t’i fituar të gjitha, ja dola mbanë me sukses të plotë. Shumë njerëz dhe pjesëmarrës, publiku i këtyre konkurseve dhe shfaqjeve ngelën të befasuar me paraqitjen e makinës dhe brenda tre muajsh fitova 5 çmime si “best of show”. Edhe këtë herë jam zgjedhur sërish për të qenë në kopertinën e një reviste shumë prestigjioze këtu në UK, “Performance BMW”, numri i së cilës do të dal në janar. Unë sapo kam përfunduar setin fotografik”.
***
Intervistë
Historia shqiptare e BMW-së së 88-s: “Punova 10 vjet si i çmendur”
Makina e modifikuar nga Marseli është një BMW E28, prodhim i vitit të largët 1988. Në këtë intervistë ai tregon ku e gjeti këtë makinë dhe çfarë ndodhi më pas.
Marsel, si është historia e kësaj makine BMW E28 e vitit 1988?
Që kur kam emigruar në Angli, kam qenë në vëzhgim të përkushtuar për një rast të artë duke patur parasysh që makinat e këtij viti prodhimi kanë moshë të konsiderueshme prej 2 dekadash. Të gjesh një BMW klasike E28 në gjendje të përsosur është pothuajse e pamundur. Por të gjithë miqtë e mi kishin dëgjuar nga unë për këtë kërkim. Një ditë Nick Rundall më telefonoi dhe më tha: “Bëhu gati të vish këtu në shtëpinë time sepse ëndrra jote mbase sapo është bërë realitet”. I lumturuar u drejtova menjëherë për në shtëpinë e Nick Rundall-it. Sa arrita atje, e pyeta sa e shiste makinën!? Nick më tha: “Marsel, jam në dijeni të plotë se sa shumë e ke qejf këtë makinë. Unë po ta dhuroj sepse vlera e kënaqësisë në këtë rast vlen më shumë se sa lekët që mund ta shisja”. Iu hodha në qafë dhe e përqafova fort. Kështu ndodhi që në 2004 unë u bëra pronari i një makine shumë të rrallë dhe me vlerë të lartë respekti në botën automobilistike klasike.
Sa kohë ke punuar me të?
E zhvesha deri në skelet. Që në dhjetor të 2005-ës deri në gusht të 2014-ës, kjo makinë ka qenë nën restaurim. Dhe i gjithë viti 2014 ka qenë viti i lëvizjes së makinës duke përmirësuar gjithë papërsosmëritë që kishte. Më ka munduar më shumë konvertimi dhe modifikimi i motorit. Ecuria e këtij projekti nuk ishte aspak e thjeshtë, shumë kërkime në web dhe shumë telefonata të zgjatura janë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Kam patur momente me veten time që kam dyshuar nëse duhej të vazhdoja më tej. Por miqtë dhe familja më dhanë kurajo.
Cilat janë ndryshimet që konsiderohen sukses nga teknikët e BMW-së?
Suksesi qëndron në modifikimi dhe inxhinieria e konvertimit me anë të një turboje. Këto makina nuk janë prodhuar me motor turbine nga BMW. Që te arrish të rinkonstruktosh një motor të tillë duhet të kalosh masat e një modifikimi të thjeshtë. Ky konvertim hyn në një fazë ekstreme. Ky fakt mua më gëzon sepse më bën të parin person zyrtarisht të
deklaruar që arrita këtë shkallë modifikimi.
Cili është ambienti juaj ku punoni aty, keni një ofiçinë tuajën?
Kam një ofiçinë private që është ndërtuar enkas për këtë makinë. Punoj aty ditë dhe natë sidomos kur e përgatit makinën për në show. Për mua është një gëzim i madh që një punë kaq cilësore që i kam kushtuar kësaj makine po vlerësohet nga autoritetet e botës automobilistike klasike.
Ju vetë, çfarë lloj makine keni në përdorim?
Jam entuziast i makinave klasike, kam 3 BMW dhe një Mitsubishi Evolution Ralliart.
Po, cila ju pëlqen më shumë?
Për mua një makinë është dhe ka gjithmonë për të qenë brenda zemrës, është BMW E28 M5.
***
Korçari
Djali i këngëtares së njohur
Nëse emri nuk ju kujton gjë, mbiemri me siguri, po. Është djali i këngëtares shqiptare, Lindita Theodhori. Por sot nuk po flasim për Marselin dhe lidhjet e tij me muzikën, por për të dhe lidhjen e tij me makinat. Në këtë takim me DITA-n, Marseli ka një histori suksesi për të na treguar, një ndryshim në një makinë BMW që e ka bërë të famshëm te të gjithë adhuruesit e makinave në të gjithë botën.










Urime me vjen shume mire per ju Ju uroj per gjithcka kini arritur dhe jam krenar se je patrioti im
Po ky eshte model i vjeter o burre ! Akoma ne eprdorim eshte ky model ?
Nje shoku im ne Vlore kishte nje makine te tille BMW te zeze, ajo dukej si makin varrimi
Ai e mburte por mua nuk me pelqente hic, se une kisha nje Nissan Primera qe ishte super e shpejte dhe shume e bukur –Ndersa kjo lloj BMW-je eshte kot fare
Keto BMW-te e reja , jane te shkelqyera , ndersa ky Model i vjeter i BMW -se eshte i merzitshem ne pamje
Por ketij Inxhinjerit bravo i qofte se qenka treguar inteligjent
Urime dhe shiko merru me BMW-ne e re , se ato jane makina klasi
ik ore lab arrogant! ju doni vetem skafet
Tamam vlonjat
Bravo bravo.Te uroj shum per mundin dhe zgjuarsine tende.Mos u ndal,suksese te tjera do arrish.Urime .