Ambasada Amerikane dhe ajo e Britanisë së Madhe paralajmërojnë qytetarët e tyre se vendimi për “21 janarin” mund të ndiqet nga trazira.
“Ambasada amerikane këshillon qytetarët amerikanë për ekzistencën potenciale të protestave spontane në përgjigje të vendimit të Gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm dy persona që ishin në gjyq për rolin e tyre në demonstratën e dhunshme më 21 janar 2011. Ndërkohë që nuk ka demonstrata të planifikuara në këtë kohë, ne nxisim qytetarët amerikanë që të jenë vigjilentë kur udhëtojnë në Tiranë. Ambasada u kujton se edhe demonstratat dhe të tjera tubime të mëdha, që kanë qëllime paqësore, mund të përshkallëzojnë në dhunë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane. Ndërsa ambasada e Britanisë së Madhe porosit qytetarët britanikë të bëjnë kujdes dhe të shmangin turmat e mëdha.
“Atmosfera politike është e tensionuar për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor të vitit 2013. Kujdesuni që të shmangni demonstrimet dhe turmat e mëdha”, thuhet në njoftim.