Partia Demokratike ka denoncuar një rast ku dy ditë më parë, policia ka mbajtur të shoqëruar në komisariatin numër 3 në Tiranë, një fëmijë 5 vjeç.
Drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, Ervin Salianji në një deklaratë për mediat tha se fëmija është marrë bashkë me nënë e saj, e cila është arrestuar pasi nuk përballon dot faturat e larta të energjisë, teksa është pa punë dhe pa mbështetje ekonomike.
“Marrëzia, papërgjegjshmëria dhe pashpirtësia e kësaj qeverie nuk ka fund. Tek ky komisariat, Komisariati nr 3 në Tiranë, është shoqëruar dhe mbajtur e izoluar kjo fëmijë 5 vjeç, çka duket nga fotot që vajza është mbajtur për një kohë të gjatë në qelinë e izolimit, në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Deklaratën për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Deklaratën e Pekinit. Shoqërimi i fëmijës është bërë për shkak se nëna e saj nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike”, u shpreh Salianji.
Më tej përfaqësuesi i Partisë Demokratike nënvizoi dy standardet, që sipas tij manifeston qeveria.
“Qeveria po arreston dhe po shoqëron njerëzit e pamundur dhe të varfër, fukarenj, dhe po promovon kriminelët, personat me precedent penal, vjedhësit e energjisë, duke i bërë drejtorë.
Qeveria po lejon në rrugë kriminelët dhe po izolon si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore fëmijët. Identitetin e vajzës nuk e bëjmë të ditur për shkak se është minorene por në datën 30 nëntor, sipas dëshmisë së nënës së vajzës së ndaluar me inicialet N.N, janë izoluar në komisiariat”, tha Salianji.
