Nesër ndizen dritat. Të paktën historia e festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, datën 6 dhjetor e njeh si momentin kur dekori ka përfunduar, spina vendoset në prizë dhe… festat janë zyrtarisht të hapura. Në Tiranë ka filluar të ndihet atmosfera, madje ka pasur nga ata që nuk kanë pritur datën 6. Ne kemi bërë një vëzhgim në dyqanet e kryeqytetit, te të cilat, në pamje të parë duket se mund të gjesh gjithçka, që nga një top i vogël 500-lekësh e deri tek një pemë 200 mijë lekë.
Manjola Afezolli është pronarja e dyqanit më të vjetër të këtij lloji në Tiranë, në të cilin festa ka filluar që në nëntor. Ajo na pret me buzëqeshje si çdo klient që vjen në dyqan me rastin e festave të fundvitit.
Manjolën e gjeni çdo ditë në një prej ambienteve më të bukur në zonën e ish-Bllokut, për momentin, ku edhe nëse nuk ke lekë në xhep për të blerë diçka, atmosfera e krijuar të imponon që të futesh e të jetosh disa çaste si në përrallë. Sa hedhim hapin e parë brenda, përveç pemës në formën tradicionale, shohim me dhjetëra aksesor që e bëjnë këtë muaj festiv. Në “shtëpinë e ëmbël” të Manjolës gjen që nga dorezat e kuzhinës e deri tek kanat e ujit. Këtë muaj, gjithçka kthehet në funksion të festave.
Zbukurimin e shtëpisë së saj na tregon e ka përfunduar dhe dritat i ka ndezur disa ditë më parë. E pyesim se si i ka parë ajo klientët në dyqanin e vet këtë vit: “Ka qenë një vit i mirë deri më tani. Kemi filluar ta ndjejmë atmosferën e festave. Edhe pse në pamje të parë duket ndryshe, njerëzit janë interesuar që ambientin brenda banesës së tyre ta arredojnë siç e do zakoni i këtij muaji. Nëse vitet e kaluara atmosfera ka qenë më e vakët, këtë herë e ndjej më të ndezur. Ka shumë njerëz që i jetojnë bukur Krishtlindjet. Viti që kaloi ka qenë shumë i trishtë. Ndërsa këtë vit është komplet e kundërta”.

Sipas Manjolës, tendencat për 2014-ën janë ngjyrat e ngrohta; pasteli, roza, roza antike, po ashtu është edhe ajo bojë qielli në gri. Ngjyra e shampanjës është shumë interesante dhe e përdorur këtë vit.
Ndërsa si aksesorë veç drerëve e lepurushëve, këtë vit hyjnë edhe pinguinët. “Për ta pasur disi të animuar situatën rreth e qark, edhe yjet janë të nevojshëm”, tregon ajo.
“Mua më pëlqejnë shumë pemët me personazhe. Drerët janë ata që dominojnë si çdo herë. Është kafsha që shoqëron babagjyshin. Janë pinguinët këtë vit, lepurushët, arinjtë e bardhë. Personalisht i pëlqej shumë kafshët si shoqërues të pemëve ndaj e sugjeroj gjithmonë”.
Po çmimet? “Të dekorosh një shtëpi duhet të kesh minimalisht 30 mijë lekë të reja në xhep. Por ka edhe pemë që shkojnë 20 mijë lekë, sigurisht, janë për familje që e përballojnë dhe që kanë vila të mëdha, por blihen, njerëzit i marrin”, na sqaron Manjola. Ku nuk duhet të gabojmë? “Kur flasim për pemën, ajo le të jetë e pastër si pemë, jo e ngatërruar. Nuk jam për kombinime ekstreme ngjyrash. Unë jam për një linjë të qetë të pemës, që mos të të marrë mendjen”.
Manjola na këshillon se tjetër gjë që duhet të kemi parasysh janë filxhanët, pjatat, mbulesat. “Dua që çdo gjë në dhjetor të jetë e kuqe. Të përfaqësojë Krishtlindjen.”
Disa truke të thjeshta, me pak shpenzime dhe me shumë harmoni, do të të ndihmojnë ta kthesh shtëpinë në një festë të vërtetë
Si ta dekorosh shtëpinë për Krishtlindje
Me ca lëvizje të thjeshta, mund ta bësh dekorin festiv të fundvitit vërtet magjik. E gjithë koha e përgatitjes së zbukurimeve në shtëpi është një kohë e pazëvendësueshme, argëtuese dhe e bukur. Megjithatë, disa gjëra të vogla duhet t’i kesh parasysh para se të fillosh zbukurimet e Krishtlindjeve.
Studio hapësirën
Kush nuk do të donte një bredh të madh Krishtlindjesh në shtëpi, por a është hapësira e nevojshme për ta pasur? Nëse jeton në një shtëpi apo apartament të vogël, për vendosjen e pemës e ke të nevojshme të heqësh disa mobilie rreth e rrotull apo ta spostosh pemën në një ambient tjetër nëse nuk është e mundur të gjesh një hapësirë në sallon. Ki parasysh që kudo ta vendosësh, ambienti duhet të ketë hapësirën e duhur të qarkullimit. Një pemë e madhe në një ambient të ngushtë dhe të vogël do të ishte mbytëse dhe do të humbte dhe funksionin estetik që ka. Por edhe nëse ke një hapësirë të madhe, duhen marrë gjithmonë në konsideratë zonat e qarkullimit përpara përcaktimit të vendit të bredhit.
Zgjidh dekoret tradicionale
Pema është simboli i Krishtlindjeve, ndaj e para gjë që duhet të bësh është të zgjedhësh një pemë të vërtetë dhe të blesh zbukurimet artificiale. Dekorin për pemën mund ta zgjedhësh sipas shijeve dhe stilit tënd, këtu nuk ka asnjëherë rregulla. Vendi më i mirë për të është salloni, në mënyrë që të gjithë të ftuarit ta vërejnë sapo të hapet dera. Nëse të duken të pamjaftueshme zbukurimet, ja disa ide që mund ta pasurojnë pemën:
Një pemë e ndezur me drita shumëngjyrëshe krijon menjëherë atmosferë tjetër në shtëpi dhe gjithçka rreth e rrotull e bën më të bukur. Dritat e vogla të bardha janë të njohura, por mund të blesh edhe të tjera me ngjyra të ndryshme, blu, të kuqe, të kaltra etj. Fillo zbukurimin e pemës duke e vendosur vargun e dritave nga poshtë, në mënyrë që të ketë afër edhe ndonjë prizë elektrike. Më pas, vendosi dritat në formë spirale.
Zbukurimet
Pema e Krishtlindjeve, nëse nuk ka zbukurimet, nuk ka asnjë vlerë. Ndaj, edhe kur mundësitë janë të pakta, disa gjëra të vogla mund t’i bësh edhe vetë. Përdor kopsa, kristale, letra shumëngjyrëshe, pambuk etj. Mos harroni të vendosësh yllin në krye të pemës. Është një simbol tradicional i yllit të Davidit, që çoi tre njerëzit e mençur për të gjetur vendlindjen e Jezusit. Po ashtu, mund të vendosësh në pemë një engjëll, një flokë dëbore ose gjithçka tjetër si dekorim festiv.
Dekori në fund të pemës
Poshtë pemës mund të vendosësh një tapet të bardhë, në mënyrë që të duket si një sipërfaqe toke e mbuluar nga bora. Vendos dhuratat rreth e qark pemës në mënyrë të çrregullt. Mos harro kafshët. Animacioni është shumë i preferuar këtë vit.
Çorapet e kuqe
Çorapet janë një element tjetër mjaft i rëndësishëm. Mund të jenë edhe çorape të punuara me dorë. Përdor fjongo të kuqe dhe të gjelbra, pasi janë ngjyrat që simbolizojnë festën. Është mirë që çdo anëtar i familjes të ketë çorapen e vet. Vendosi bashkë pranë oxhakut!
Dekoro derën me një kurorë Krishtlindjesh
Bli një kurorë të bërë me gjethe bredhi të freskëta ose artificiale. Një kurorë do ta bëjë shtëpinë të duket më e dashur për Krishtlindjeve. Po ashtu, mund të bësh një kurorë me tela ose plastike që mund ta përdorësh edhe pas sezonit festiv.
Drita në natyrë
Nëse ke pemë të vogla ose shkurre në oborr, mund të vendosësh disa drita në formë rrjete, duke i hedhur ato mbi shkurre. Konsideroje si një ide të zgjuar blerjen e dritave në formë copash akulli që rrinë të varura mbi derë.
Vendos qirinj në dritare
Nëse në stilin tuaj është delikate dhe qetësia, vendosja e një qiriu elektrik në çdo dritare të shtëpisë, do të ishte një ide e bukur pa shumë shpenzime.
Bëj flokë dëbore prej letre
Fëmijët e adhurojnë borën për festa. Ndaj do ishte ide e bukur të merreshin me krijimin e këtyre formave, që mjafton t’i ngjisësh në dritare.









Extrem tbukura sipas meje vazhdoni
Shum tbukura vetem vazhdoni
pershendetje kam nevoi per nje iden tuaj si te rregulloi pemen ta bej te bukur