Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca 26
Ish-hetuesi: ’Kadri Hazbiu ka ardhur dhe ka dëgjuar deponimet e Beqir Ballukut në hetuesi. Unë e informoja dhe me shkrim, por gjërat me zarar nuk shënoheshin në procesverbalin e hetimit!’
Dëshmia e Kristofor Mërtiros, ish-hetues i Beqir Ballukut dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit të ‘Puçistëve në ushtri’, në seancën e 26-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, sjell fakte të bashkëpunimit të hershëm të ‘Grupit agjenturor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’ me atë të puçistëve në ushtri. Jo vetëm kaq, po sipas Mërtiros, ka qenë vetë Kadri Hazbiu që ka urdhëruar e kontrolluar deponimet e Beqir Ballukut, në mënyrë që të mos përmendej asnjë detaj i këtij bashkëpunimi, të mos dilte në asnjë vend e të mos fiksohej në procesverbal emri i Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e të implikuarve të tjerë… “Kadri Hazbiu, jo vetëm një herë, ka ardhur gjatë hetimit, e ka takuar dhe ka dëgjuar deponimet e Beqir Ballukut. Unë ja dërgoja të gjitha deponimet e Beqirit, me informacion me shkrim. Por ata, me porosi të Kadriut, nuk u përfshinë në procesverbalin e hetimit” -dëshmon mes të tjerave në këtë seancë ish-hetuesi Kristofor Mërtiro…
(Vijon nga numri i kaluar)
Seanca 26
Kryetari(Aranit Çela): -Radhën për dëshmi e ka Kristofor Mërtiro. I njeh këta të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Gani Kodra, Llambi Peçini, Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga dhe Ali Çeno?
Kristofor Mërtiro: -I njoh…
Kryetari: -Ne të kemi thirrur për dy gjëra: Lidhur me procesin e grupit të Beqir Ballukut, çfarë ka dalë aty për këta e nuk është vënë, duke u mbështetur në atë që ke bërë ti. Dhe e dyta, lidhur me një bisedë që keni pasur me të pandehurin Feçor Shehu lidhur me këtë grupin, tani, të Fiqret Shehut e këtyre…
Kristofori: -Në muajin dhjetor të vitit 1974 u caktova në grupin hetimor të komplotistit Beqir Balluku me shokët e tij. Isha së bashku me Nevzat Haznedarin. Gjatë procesit, Beqir Balluku deponoi, domethënë aty, se ai ishte përpunuar kryesisht nga kinezët që në vitin 1962 kur kishte shkuar në Kinë, të cilët, pra kinezët nuk ishin dakord me vijën e Partisë së Punës. Po ashtu më vonë, siç deponoi ai, pra deponoi Beqiri: ”U përpunova nga kinezët për antitezat që e kanë bazën tek teoria e Mao Ce Dunit. Domethënë, që Shqipëria nuk kishte mundësi të bënte një luftë frontale, por luftë partizane. Jam përpunuar nga udhëheqësit kinezë Mao Ce Dun e Çu En Lai.”.
Unë këto, deponimet e armikut Beqir Balluku, ja raportova të nesërmen Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Kadri Hazbiu më tha: ”Mirë, këto çështje të mos fiksohen në procesin hetimor, po më bëj një informacion”. Unë bëra një informacion me shkrim me emrin tim dhe ja dhashë Kadriut. Ai më tha se do ja dërgonte udhëheqjes. Pas një apo dy ditësh, Kadri Hazbiu erdhi vetë në hetim dhe e pyeti përveç të tjerave edhe për problemin e marrëdhënieve, bisedave që kishte bërë me Çu En Lain, Mao Ce Dunin e personalitete të tjera kineze. E pyeti dhe për çështjet me Jugosllavinë. Këto nuk u fiksuan në procesin hetimor, me përjashtim të informacionit të bërë…
Gjithashtu, gjatë procesit hetimor, Beqir Balluku, sipas udhëzimeve të dhëna nga Kadri Hazbiu, u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me Panajot Plakun. Ai, Beqiri, tha se “unë nuk kam ndonjë gjë me Panajot Plakun, por marrëdhënie shoqërore të ngushta Panajot Plaku ka pasur me Liri Belishovën, Maqo Çomon dhe Mihallaq Ziçishtin”. Si kurdoherë, edhe këto ja raportova të nesërmen Kadri Hazbiut. Ka qenë prezent dhe Feçor Shehu e grupi i hetimit që ishte aty. Kadriu më tha “bëj një informacion dhe t’ia dërgojmë sekretarit përkatës në Komitetin Qendror”. Dhe unë i bëra një informacion në dy kopje për këtë. Ja dhashë, e nuk e di se çfarë u bë më tej. Kjo nuk u fiksua në procesin hetimor të armikut Beqir Balluku, domethënë në dosjen hetimore, me përjashtim të informacionit…
Po ashtu, gjatë hetimit, armiku Beqir Balluku, përmendi aty se kishte rezerva ndaj Mehmet Shehut që nga viti 1946. Sipas tij, në një inspektim që kishte bërë Mehmeti në Korpusin e Korçës, ai e kishte ofenduar Beqirin. Sipas deponimeve të Beqirit, pakënaqësitë e tij ndaj Mehmet Shehut u shtuan në vitin 1947, kur Beqir Balluku u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Domethënë, atë kohë, nisën fërkimet…
Por më vonë, sipas Beqir Ballukut, pas Kongresit të Parë këto mosmarrëveshje u shuan dhe lindën nga viti 1964 ose 1965, sepse sipas tij, këtu, Mehmet Shehu përkrahte Petrit Dumen dhe nuk përkrahte domethënë Beqir Ballukun. Sipas tij, këto mosmarrëveshje, ishin shtruar dhe në Byronë Politike. Ai përmendi këtu rastin në stërvitjen “Kaptina e Martaneshit”, ku Mehmet Shehu, nuk e përfillte Beqirin, por e drejtoi stërvitjen me Petrit Dumen.
Këto, bashkë me Nevzat Haznedarin, unë ja raportova Kadri Hazbiut. Ai na bërtiti: ”Keni rënë në pozitat e armikut Beqir Balluku!… Ç’janë këto që po fliten në drejtim të Mehmet Shehut!?” E mori materialin dhe e grisi. Natyrisht këto nuk janë fiksuar në procesin e Beqir Ballukut.
Kryetari: -As informacion nuk u bë?
Kristofori: -Informacionin e bëmë, materialin ja dhamë, se ç’u bë më tej…
Kryetari: -U bë informacion?
Kristofori: -Informacion nga unë, jo. Vetëm materiali siç kishte deponuar Beqir Balluku, ato shprehje të tij, domethënë… Materiali u kthye, domethënë, u gris… Këto janë në procesin e Beqir Ballukut…
Gjithashtu, kam marrë pjesë dhe në procesin e sabotatorëve. Isha hetues për Kiço Ngjelën e më vonë për Vasil katin. Kiço Ngjela theksoi se metodat decentralizuese e vetë administruese, i futi Abdyl Këllezi
Kryetari(Aranit Çela): -Pastaj, për këtë Fiqret Shehun, ç’keni biseduar ju?
Kristofori: -Këtë vit, në këtë periudhë, kam qenë kryetar i Degës së Veçantë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që merrej me elementët antiparti. Pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, u ngarkova që të merrja masa për sigurimin e këtij, e cila, pra Fiqreti, u çua në Belsh të Elbasanit. Sipas detyrave që më dhanë, shkova dhe organizova punën e sigurimit të tyre. Nuk më kujtohet a ka qenë fundi i dhjetorit të vitit 1982 apo fillimi i janarit të vitit 1983, pasi u ktheva në zyrë Kadriut i thashë: ”More po, ç’i mbajmë këta, pse nuk i arrestojmë?”.
Kryetari: -Cilën doje të arrestoje ti?
Kristofori: -Fiqret Shehun dhe të birin e saj. Por kryesisht Fiqret Shehun. Feçor Shehu më tha: ”Çfarë do të nxjerrësh nga Fiqret Shehu!? Ai, djali i saj, një vagabond është, po merrni masa të mos pësojë ndonjë gjë”. Këto ishin ato shprehjet e tij.
Kryetari: -Keni ndonjë pyetje?
Ndihmësgjyqtari: -Nëse të kujtohet, a është zhvilluar hetim për teorinë e rrëshqitjes?
Kristofori: -Tani, janë dy materiale për teorinë e rrëshqitjes, një në vitin 1966 dhe antitezat e vitit 1971. Materialin e vitit 1966 e hetuam. E doli se e kishin bërë Elahmi Hado e Vaskë Gjino. Këta punuan nën drejtimin e Beqir Ballukut e Petrit Dumes. Ky, material u hodh poshtë nga oficerët… Hetimi u përqendrua në antitezat që kishte bërë në vitin 1971 armiku Beqir Balluku…
Ndihmësgjyqtari: -A ke pasur ti gjatë hetimit mendime për këtë komplot, për t’i vazhduar më tej hetimet?
Kristofori: -Nga fundi i procesit hetimor të armikut Beqir Balluku, ku unë isha hetues në një moment, darkë ishte, ai më tha: ”Do t’ia vëmë kapuçin, do t’ia vëmë në kokë kësaj veprimtarie. Me gjithë insistimin dhe këmbënguljen, ai nuk tha gjë atë natë. Raportova si zakonisht, raport që bënim për hetimet e Beqir Ballukut. Raportova këtë shprehje të Beqir Ballukut. Aty, duke raportuar, kërkova që të shtyheshin edhe ca ditë hetimet, pra që ta pyesja më tej… Orientimi u dha aty nga Kadri Hazbiu, duke qenë prezent edhe Feçor Shehu dhe grupi, që plani i veprimeve hetimore, ballafaqimi të mos ndërpritet dhe njëkohësisht t’i kërkohet Beqir Ballukut çfarë ka…
Ndihmësgjyqtari: -Pasi të thirri i pandehuri Kadri Hazbiu dhe të ngarkoi detyrën për të hetuar grupin e armikut Beqir Balluku çfarë porosie të ka dhënë, çfarë kujdesi apo kujtese të kishe gjatë hetimit?
Kristofori: -Tërë grupi që ishim mbledhur, sa hymë na ngarkuan e na ndanë detyrat se kush do të merrte pjesë në këtë e në atë… Dha këtë orientim: ”Duhet të keni kujdes se këto janë kuadro që kanë pasur kontakte me shokë udhëheqës dhe mundet të denigrojnë, të thonë për këtë apo atë çështje që kemi pyetur ‘X’, kemi marrë miratimin e ‘X’-it. Dhe mund të kenë marrë ndonjë pëlqim ashtu në këmbë si armiq që kanë qenë. Prandaj këtu duhet pasur kujdes si për grupin e parë, ashtu dhe për grupin e dytë, domethënë, si për grupin e komplotistëve, ashtu dhe të sabotatorëve”.
Ndihmësgjyqtari: -Gjatë kohës që hetoje Beqir Ballukun, gjatë kohës që ishe hetues, të kanë thirrur ty për ndonjë problemin tënd?
Kristofori: -Po, më kanë thirrur. Më ka thirrur Feçor Shehu, për ca çështje armiqësore të babait tim…
Ndihmësgjyqtari: -Si të tha pastaj?
Kristofori: -Më këshilloi, më foli një çikë me të ashpër, më foli ashtu drejt që këto nuk janë gjëra të mira…
Ndihmësgjyqtar: -Ti vazhdove punën e hetimit?
Kristofori: -Po vazhdova…
Kryetari(Aranit Çela): -Keni ndonjë pyetje:
Kadri Hazbiu: -Kisha një pyetje. Në lidhje me këtë që thotë për lidhje të Panajot Plakut, apo për rreth shoqëror?
Kristofori: -Rrethi shoqëror.
Kryetari: -I pandehuri Feçor Shehu, ke ndonjë pyetje lidhur me këtë?
Feçori: -Kam.
Kryetari: -Hajde.
Feçori: -Kristoforit i kujtohet që me porosinë time është dërguar në Elbasan një grup i tërë për të siguruar Fiqret Shehun dhe ky e drejtonte atë bashkë me degën e Elbasanit duke çuar edhe survejim, duke çuar edhe teknikë, duke çuar edhe forca atje që të mos arratisej Fiqret Shehu…
Kryetari: -Të kujtohet ty?
Kristofori: -Po, është e vërtetë. Unë jam ngarkuar në krye të grupit hetimor e ashtu siç thotë…
Kryetari: -Kush ta ka dhënë urdhrin ty?
Kristofori: -Feçor Shehu.
Feçori: -Atëherë, si e shpjegon ky, domethënë që unë kam dhënë urdhër të mos arrestohet dhe çfarë do të nxjerrësh nga kjo?
Kryetari: -Tani, këto janë dy momente të ndryshme apo jo?
Kristofori: -Dy momente.
Kadri Hazbiu: -I kemi kërkuar ne Beqir Ballukut që t’i vërë kokë kësaj pune, ne ja kemi kërkuar?
Kryetari: -Pyet i pandehuri Kadri Hazbiu, që këtë punën e kapuçit, që ta mbyllim, e ka nxjerrë vetë Beqir Balluku, apo ja thamë ne, domethënë Kadriu e Feçori?
Kristofori: -E keni kërkuar ju me insistim.
Kryetari: -Mund të largohesh. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Deponimet e armikut Beqir Balluku, ja raportova të nesërmen Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Kadri Hazbiu më tha: ’Mirë, këto çështje të mos fiksohen në procesin hetimor, po më bëj një informacion’. Unë bëra një informacion me shkrim me emrin tim dhe ja dhashë Kadriu Hazbiut. Ai më tha se do ja dërgonte udhëheqjes. Pas një apo dy ditësh, Kadri Hazbiu erdhi vetë në hetim dhe e pyeti përveç të tjerave edhe për problemin e marrëdhënieve, bisedave që kishte bërë me Çu En Lain, Mao Ce Dunin e personalitete të tjera kineze. E pyeti dhe për çështjet me Jugosllavinë. Këto nuk u fiksuan në procesin hetimor. E kjo, sigurisht me porosinë dhe këmbënguljen direkt të Kadri Hazbiut”
SOM 2
“Gjatë procesithetimor, Beqir Balluku, sipas udhëzimeve të dhëna nga Kadri Hazbiu, u pyet edhe për marrëdhëniet e tij me Panajot Plakun. Ai, Beqiri, tha se ‘unë nuk kam ndonjë gjë me Panajot Plakun, por marrëdhënie shoqërore të ngushta Panajot Plaku ka pasur me Liri Belishovën, Maqo Çomon dhe Mihallaq Ziçishtin’. Si kurdoherë, edhe këto ja raportova të nesërmen Kadri Hazbiut. Ka qenë prezent dhe Feçor Shehu. Kadriu më tha “bëj një informacion dhe t’ia dërgojmë sekretarit përkatës në Komitetin Qendror”. Dhe unë i bëra një informacion në dy kopje. Ja dhashë. Kjo nuk u fiksua në procesin hetimor të armikut Beqir Balluku, domethënë në dosjen hetimore, me përjashtim të informacionit…”
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e ish-oficerit Hodo Bega: Si pushkatuam pa gjyq dy mirditorët me urdhër të Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit dhe Feçor Shehut.
-Dëshmia: Si u rrah dhe u masakrua në qelinë numër 11 Teme Sejko nga Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu në vizitën e fshehtë dhe të kundërligjshme pa praninë e hetuesit të çështjes.
-Debatet mes dëshmitarit Hodo Bega e të pandehurit Kadri Hazbiut lidhur me ekzekutimet pa gjyq dhe mbajtjen në qeli 12 deri në 13 vjet të të dënuarve me vdekje.

F A R S Ë…
Se keshtu ja donte puna, se ua kerkonte Usai madh, qe te “deshmohej me fakte”
VEPRIMTARIA ARMIQSORE E MEHMET SHEHUT, KADRI HAZBIUT E KO….
keta deshmitare te porositur e te pjekur në “furre”,
Kakarisin sipas dirigjimit qe u bente Ustai…
Armik Mehmet Shehu!…
Ka kaq naiv që ta besojne kete…
Por lufta per pushtet duhej te bente dhe “armiq” dhe “deshmitare per ta…
I DUHESHIN PARTISE…