Dikush shumë më shum-i

redaktor

Fotoja e vajzës së vogël brenda komisariatit të policisë u shfaq e rishfaq në çdo media të shkruar e vizive. Ajo foto na turpëron të gjithëve dhe na sëmbon në zemër të gjithëve. Përpara asaj fotoje duhet të dorëzohemi të gjithë: Ne si shoqëri e pandjeshme, ne si prindër të paaftë dhe ata si policë të papërgjegjshëm që, minimalisht, harrojnë të jenë qytetarë.

Ajo foto më rri para syve edhe kur i mbyll. Sepse, përveçse turpëruese për ne, ishte dhe e dlirë. Po, po, e dlirë.

Një fëmijë i bukur që i sheh jetës së ashpër që e rrethon vetëm gjëra të bukura dhe ndaj i buzëqesh. Sepse ëngjëlli di vetëm të buzëqeshë. Na buzëqesh neve, shoqërisë indiferente, prindërve të paaftë, madje edhe policëve që nuk u menduan dy herë për ta futur në ato ambiente të rënduara nga krimi.

Ajo përsëri buzëqesh çiltër, sepse as që mund ta imagjinojë të keqen që po mundohemi t’i bëjmë të gjithë sëbashku. Sepse për atë, ende bota mundet të jetë vetëm e mirë dhe e bukur, siç është ajo vetë.

E shoh e rishoh atë foto dhe trishtohem me një buzëqeshje të hidhët. Sikur të mundemi ta rikapim fillin sërisht këtu, në këtë moshë, në këtë çiltërsi, në këtë besim tek bota që na rrethon. Sikur të rifillojmë ta shohim botën me syrin e një fëmije. Sikur të mundemi ta transformojmë në një iluzion të bukur që pastaj vjen e bëhet një realitet i bukur, njësoj siç bëri Roberto Benigni i madh tek “La vitta e bella”.

Sepse iluzioni i madh, nëse ndiqet me çdo kusht, mund të kthehet në realitet. Sikur ajo fëmijë, që na vuri në kaq shumë mendime, të mos mundte kurrë ta kuptojë se çfarë u përpoqën t’i bënin, pa e lodhur fare mendjen e vrazhdë për ta kuptuar. Do Zoti mos ta marrë vesh kurrë, por të vazhdojë të buzëqeshë ashtu çiltër e ëmbël, me kukullën në dorën e vogël.

Bekuar qofsh ti moj vajzë e fotografisë dhe mjerë kush përpiqet të të keqpërdorë.

Me siguri i ke bërë të mendohen thellë edhe ata që kanë patur vendin e merituar në atë dhomë të pistë: Kriminelët, prostitutat, mashtruesit, hajdutët…Kushdo nga ne, të rriturit, që mendojmë më parë të vjedhim sesa të punojmë, që mendojmë më parë të mashtrojmë sesa të shtrijmë këmbet sa kemi jorganin, që mendojmë më parë të ushtrojmë forcën sesa të vëmë në punë arsyen, të gjithë ne pra, kemi pak vend të merituar në atë dhomë të pistë.

Po vetëm ti, moj vajzë e vogël jo!

Nuk është për ty ai vend, as si vizitore. Për asnjë lloj arsyeje!

Qoftë për papërgjegjshmërinë ose naivitetin e policëve, qoftë për papërgjegjshmërinë ose djallëzinë e nënës që të merr me vete, qoftë për papërgjegjshmërinë apo verbërinë e strukturave sociale që duhet të monitorojnë këto fenomene. Të paktën fëmijët duhet t’i kursejmë e t’i mbajmë larg nga pasojat e mëkateve tona.

Ne fakt, të vegjlit tanë, janë të vuajturit më të mëdhenj të kësaj shoqërie. Janë ata ëngjëjt-dëshmitarë të pavullnetshëm të barbarive tona. Janë ata “mishi për top” i egoizmit tonë të sëmurë. Janë ata dhimbja e pakuruar e mosvëmendjes dhe dritëshkurtësisë të shoqërisë shqiptare, sot e në shekuj.

I kemi keqpërdorur për vite me rradhë. Madje u kemi përkulur edhe shpinëzën e njomë që në orën 7.30 të mëngjesit me çantën 30 kg mbi supe. Nxënës apo ushtarë? Epo tenderi i librave na kërkonte shumë kg letër. I kemi shpërndarë nëpër rreshta mitingjesh partiake duke u dhënë në vend të lodrave foton e një plakushi të rrjedhur të tribunës e, akoma më shumë, duke i shtyrë përpara gjithë hipokrizi drejt puthjes së plakur të udhëheqësit legjendar dje, apo kryemitingashit sot, duke i bërë kështu të besojnë se jo Santa Claus, por ai plaku i tribunës është plaku i bardhë i përrallave.

Po, të gjithë ne jemi fajtorë.

Të gjithëve duhet të na vrasë ndërgjegjja e të reflektojmë kur shohim atë vogëlushe që buzëqesh pas shiritit të zi që i zë sytë e bukur. Në fakt, ja kemi mbuluar sytë që të mos na sëmbojë shikimi i syve të pafajshëm të saj. Ja kemi mbuluar sytë, duke dashur të mbulojmë turpin tonë. Dikush më shumë e dikush më pak, jemi njësoj fajtorë.

Me përjashtim të “dikujt shumë më shumë” fajtor se ne të gjithë. Ja tek del në deklaratë shtypi ky “dikush shumë më shum-i” për të shprehur indinjatën e zemërimin ndaj mbajtjes së vajzës së vogël në komisariatin e policisë. Reagimi i fortë është i kuptueshëm dhe i detyrueshëm për këdo. Me përjashtim të “dikujt shumë më shum-it”!

Jeni të pabesueshëm, zotërinj, dhe të padenjë për sqimën që kërkon kjo kauzë. Ju keni ende të palarë nga duart, gjakun që përloti sytë e një vajze tjetër të vogël, që me foton e saj të dhimbshme bëri të qajnë sa e sa shqiptarë e joshqiptarë. Ana Ziver Veizi quhet, besoj e mbani mend. Pra, para se të guxoni të shihni foton e vogëlushes brenda komisariatit të policies, lani një herë duart nga gjaku i 21 janarit, gjaku i prindërve të pafajshëm të fëmijëve akoma më të pafajshëm. Pastaj qetësoni gjithashtu më parë shpirtrat e paqetë të Gërdecit. Shkoni tek shtëpia e Zamira Durdajt dhe shikoni portretin e vogëlushit-ëngjëll në murin e shtëpisë së thjeshtë të saj. Nën atë foto, loton ende një nënë që pret drejtësi.

Dhe pastaj, akoma më pastaj, zotërinj, lejojani vetes indinjatën për vogëlushen që qëndroi me nënën e saj për disa orë në komisariatin e policisë. Sepse indinjata është luksi i të vuajturve dhe i të moralshmëve.

Share This Article
12 Comments
  • Ilir, dmth. ti me indinjaten tende e fut veten tek te vuajturit dhe te moralshmit?
    Po per ate vajzen 17 vjecare qe u arrestua ne Fushe-Kruje, po per gjithe ato familje qe nuk jane ne gjendje te paguajne energjine elektrike cfare keni ndermend te beni? Ti lini ne meshire te drites se pishes, urise dhe acarit?
    Kur permend 21 janarin ben mire te kujtosh se kush eshte aleati i Rames dhe yti. Prandaj para se te shperthesh me patos hipokrit, kujto sa shume i perdori Rama familjaret e viktimave te 21 janarit e se si po tallet me ta.
    Jo Ilir jo, politika e asnje krahu nuk ka aspak te drejte morale te flase per dhimbjet e fukarait.

  • Shkrimet tuaja eshte gjithmone kenaqsi t’i lexosh Ilir. Edhe jane politike nuk jane aspak te merzitshme dhe gjuha qe perdorni eshte zbavitese dhe terheqese per lexim. Ne rastin e sotem paralelizmi qendron madje beni mire qe e theksoni absurditetin e cinizmit te atij dikush shume me shumit. Por nje sygjerim do ua jepja. Nja dy rreshta kritike per Ramen sepse kriminelet sic i cilesoni me te drejte vazhdojne te shesin pordhe e cinizem neper deklarata shtypi nderkohe qe viktimat e tyre jane nen dhe dhe te afermit e viktimave jetojne ne ferr te gjalle. Ky eshte turp per Ramen. Duhet ndeshkim. Eshte vone madje.

  • E verteta e kesaj teme na vret te gjitheve ;
    Mendjelehtesia e te emes, idiotesia e policeve, plage te shoqerise sone qe nxjerrin krye cdo dite edhe ne menyrat me ekstreme.
    ju falenderoj z.Ilir per shkrimet tuajate gjetura inteligjente

  • Ka te drejte Sala qe flet o Ilir. Duhet te ishhte prapa hekurave dhe nuk eshte. Na ben edhe moral e ndjeshmeri legeni.

    • Une nuk i di hollesirat e ketij rasti. Ne se nena jetonte vetem me vajzen ne shtepi dhe ne se ajo duhej çuar sipas ligjit per sqarim ne polici, ku do ta linte vajzen ? Nuk e di por sikur me shqeteson nje cike ky patosi i shkrimit. Ne emisjonin Fiks Fare kam pare nje vajze te vogel tete vjecare, qe jetonte vetem me gjyshin dhe vellane e vogel. Kjo vajze Heroine gatuante, bente buken, lante rrobat me dore dhe ishte bere kryefamiljare, shtojme ketu se kjo familje prej tre vetesh nuk kishte te ardhura dhe jetonte shume keq.
      Ne fund te fundit ne polici vajza ishte me te emen dhe jo vetem. Sidoqofte shkrimi ishte me shume patos ndoshta te tepruar, ne kuptimin qe sic thashe me siper ka shume vajza te vogla qe jetojne shume me keq ne Shqiperi.
      Kuptohet se mund ta kem edhe gabim, por ky eshte mendimi im. Cdo gje e tepruar nuk eshte e mire. Me eshte dukur shume hipokrit reagimi i medjave te djathta dhe i opozites.

  • Ne Evrope femijet I mbajne punonjesit sociale nderkohe qe prindi eshte ne polici. Sa per reagimin e djathte nuk ka faj kur Rama le kriminelet te lehin.

  • Fatkeqesi eshte se shoqeria civile ashtu si politika udhehiqet nga mafia.Ne cdo vend te botes shoqeria civil kish cuar policet ne banken e te akuzuarve dhe qeverine drejt doreheqjes.Sa per Ramen mendoj se nuk ja vlen me te merremi ,.perfaqeson nje mashtrues dhe ale at te Berishes e te fullaneve.Kemi 24 vjet qe bijte e bllokut po hane demokracine dhe po shkaterrojne kete popull.

  • Ilir kejo ngjarje nxier ne pah dy probleme 1naivitetin e policeve ose me mire pa pergatitjen e tyre intelektuale dhe profesionale ,vajza duhej te mbahej ne zyre ne kolltuk dhe ti jepej dhe dicka per te ngrene apo per te pire dhe 2Nivelin dhe gjendjen e opozites.Kejo opozite eshte kunder perparimit kombtar sepse ajo duhet te merret me vijen me ligjet dhe jo me gabimet njerezore une duhet te kujtoj se ky eshte nje gabim i rendomtei nje polici POR 21 janari nuk ishte i tille Gerdeci nuk ishte i tille 97 nuk ishte e tille urdheri per te hedhur bomba mbi VLORE nuk ishte i tille e shume e shume te tjera SEdyti te gjithe duhet te kuptojne se ligji nuk ka ndjenja kush gabon do perballet me pasojat SE tretite gjithe duhet te kuptojne dhe ne radhe te pare gjyqetaret se dhe ata e kane vendin atje SEPSE ku nuk ka drejtesi nuk ka PAQE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *