Nëse para vitit 90-të Bulqiza ishte krenaria e Shqipërisë në industrinë e rëndë minerare, qyteza e vogël prej më shumë se katër vitesh është kthyer në vendin e makthit dhe terrorit. Dhe shkaku kryesor janë bërë galeritë e shumta të kromit që kanë rënë në duart e qindra kompanive, por edhe individëve, që diku ligjërisht dhe diku në të zezë, prodhojnë jo vetëm viktima të pafajshme, si minatorët që varrosen të gjallë, por edhe viktima në emër të mafias së kromit dhe rivalitetit të egër. Aq i ashpër është bërë ky rivalitet, sa vetëm në katër vitet e fundit numërohen 8 të vrarë, 5 të plagosur, një i vetëvrarë, pa llogaritur dëmet materiale. Lufta është përqendruar në Zonën D, e cila njihet edhe si nëntoka më e pasur me krom dhe që është kthyer në mollë sherri. Shumë prej vendasve janë bërë edhe në “tutorë” të firmave private, ku hyjnë me detyrim si aksionerë, nëpërmjet shantazheve dhe gjobave. Si pasojë e kësaj skeme, dyshohet se ka lindur edhe seriali i atentateve, ku viktima më e fundit ishte Shkëlzen Leka, 36 vjeç, një emër i njohur i grupit që kishte zotërimin e disa galerive në Bulqizë.
Si lindi konflikti
Manovra që u bë në vitin 2009 me koncesionet e kromit në Bulqizë, lejoi hapësirat abuzive edhe për individët privatë. Zaptimi i galerive kryesisht në Zonën D, solli punësimin në të zezë të banorëve që punonin për të siguruar bukën e gojës. Më të fortët vendosën gardhin e tyre nëpër galeri, ku ruanin territorin dhe menaxhonin biznesin. U ndanë në disa grupe, ku përfaqësonin miqësi, fise, familje apo krushqi. Fillimisht pati përplasje mes dy fiseve Tërnova dhe Shehu, zotërues të mjaft galerive, por edhe me lidhje gjaku mes tyre, kushërinj. Konkurrenca dhe mosmarrëveshjet degjeneruan në një rrahje masive në qytet. Kurse në mars të vitit 2010 vjen incidenti tjetër, kur Ilirjan Jangulli dhe miqtë e tij dyshohet se grabitën me armë një sasi të madhe prej 700 tonë krom, me vlerë të paktën 4 milionë lekë të reja, nga galeria e një prej grupeve rivale. Kaq u desh dhe sherret u ndezën keq, ku në to u përfshinë 4 klane, secili për hesap të tij.
5 janar 2011
Njihet si dita e betejës së madhe për kromin, zanafillë e atentateve vdekjeprurëse të mëpasme mes dy grupeve rivale. Ilirjan Jangulli akuzohet se në qendër të qytetit të Bulqizës, gjatë një konflikti për motive të çastit ka qëlluar me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme Fehmi Kërçuni, një minator i pafajshëm. Po ashtu ka plagosur Shpëtim Rekën dhe Eleonard Ndreun. Policia tha se ka qenë përplasja e fiseve Duriçi dhe Sheta me përkrahësit e tyre. Vëllezërit Arben dhe Ardian Duriçi u përfshinë në konfliktin të armatosur, ku u sulmuan nga Jangulli, Destan Sheta dhe të tjerët.
13 qershor 2011
Ekzekutohet në një lokal në mes të ish-Bllokut, 32-vjeçari Nadien Zeneli dhe plagosen dy shokët e tij. Viktima ishte nga Bulqiza dhe jetonte në Tiranë, por me aktivitet në fushën e kromit, pasi ishte i përfshirë në sipërmarrjet e disa biznesmenëve në atë zonë. Kjo ishte edhe pista kryesore e krimit të kryer. Por më 29 qershor, Policia e Tiranës tha se arrestoi Mariglen Hakën, nga Nikla e Krujës dhe se motiv ishte hakmarrja për gjakun e vëllait të vrarë në 2004 në Krujë, Roland Hakës dhe ku dyshohej se një nga autorët ishte Zeneli, njëkohësisht krushk në familjen Haka.
Viti 2012-2014
Ndërmerren disa sulme me armë, eksploziv dhe kërcënime ndaj familjes Duriçi, në Bulqizë dhe Tiranë. Arben Duriçi dhe vëllai i tij Ardian Duriçi, pronarë të disa galerive në Zonën D, ka qenë në përplasje me Ilirjan Jangullin e Destan Shetën, derisa ndodhi beteja e bujshme më 5 janar 2011 dhe më pas vijoi seriali i vrasjeve. Tritol iu vendos shtëpisë së familjes Duriçi në 2012 në Bulqizë, pa dëme në njerëz dhe makinës në Tiranë më 2014, po pa të lënduar. Të dyshuarit ishin Ilirjan Jangulli dhe Destan Gjeta, tashmë të arrestuar.
17 janar 2013
Operacioni i skuadrës së krimeve të rënda në kryeqytet ka vënë në pranga Ilirjan Jangullin, 33-vjeçari nga Bulqiza, që prej 2 vitesh ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi akuzohet për vrasje dhe vjedhje kromi në minierën e Bulqizës. Ai u akuzua për vrasjen e 5 janarit 2011 në qendër të Bulqizës, ku nga përplasja e dy grupeve mbeti i vdekur një minator i rastësishëm, Fehmi Kërçuni dhe u plagosën dy anëtarë të grupit, Shpëtim reka dhe Eleonard Ndreu. Më 3 prill 2010 gjykata kishte dhënë “arrest me burg” për Jangullin, për grabitjen e 700 tonëve krom i armatosur, ngjarje e 29 marsit 2010.
20 prill 2013
Vritet biznesmeni i kromit, 40-vjeçari Shefqet Shehu, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij Vehab Shehu. Ata u qëlluan në një lokal vetëm 200 metra larg komisariatit të policisë Bulqizë. I dyshuar është Fadil Tërnova, 25 vjeç, pronar i disa galerive, i cili u arrestua një orë pas ngjarjes teksa po përpiqej të arratisej në Maqedoni. Gjithçka lidhej me një konflikt të vjetër të ndodhur në vitin 2009, në vendin e quajtur “Pishat”. Në atë kohë Vehab Shehu është plagosur rëndë me armë zjarri nga anëtarët e familjes Tërnova, edhe pse në lidhje gjaku mes tyre, kushërinj. Ata kishin qenë bashkëpronarë të galerive deri në 2009 dhe më pas janë ndarë duke nisur konfliktet për rivalitetin e Zonës D. Fadil Tërnova ishte në kërkim kur kreu vrasjen dhe i dënuar me 8 muaj burg për përfshirjen në plagosjen e Vehabit në 2009.
2 shtator 2013
Dita kur ekzekutohet Qerim Marku, 40 vjeç, pronar i disa galerive në Zonën D, njëkohësisht person i njohur si problematik dhe me konflikte të shumta, ndërkohë që i plagosur ka mbetur dhe Sami Smeli, 60-vjeç. Marku ruhej prej muajsh dhe dilte shumë rrallë nga shtëpia. Por ditën e ngjarjes ai ka shkuar në një servis pranë banesës, ku autorët e maskuar e kanë sulmuar, duke e lënë të vdekur në vend. Për vrasjen e Markut u dyshua rivali tjetër i tij, Gjin Nika dhe grupi, por edhe klanet e tjera me të cilat kishte konflikte. Policia e Dibrës ka evidentuar përplasje ndër vite mes familjeve të B. dhe E. Çupit, E. Ketës, L. Tërnovës, R. Duriçit, N. Shabanit, F. dhe U. Tançit, si dhe A. Shehut.
2 shtator 2013
Pothuajse në të njëjtën orë, në Durrës, u gjet i vetëvrarë brenda në makinën e tij biznesmeni i kromit në Bulqizë, Shkëlqim Mullai. Nga hetimet e kryera rezultoi se 40-vjeçari punonte prej vitesh në këtë industri dhe kishte marrë shuma të konsiderueshme kredi në banka apo borxhe që nuk i shlyente dot. Ngjarja u cilësua si flijim në gjendje depresive, pasi nuk u gjetën prova për një vrasje të mundshme, megjithëse u ngritën dyshime, pasi në të njëjtën ditë në Bulqizë ishte vrarë edhe Qerim Marku, një tjetër pronar galerish në Zonën D.
17 janar 2014
Hasan Talja po dilte nga shtëpia e tij në rrugën “Bajram Allaraj” në Tiranë, kur është qëlluar me një breshëri plumbash te pragu i banesës. Biznesmeni 42-vjeçar ndërroi jetë në spital. Policia tha se motiv i krimit ishin konfliktet për biznesin e kromit në Zonën D në Bulqizë me grupe rivale. U dyshua për Gjin Nikën dhe grupin e tij.
19 janar 2014
Arrestohet Gjin Nika, i njohur si njeriu që bënte gardianin e bizneseve të kromit në Bulqizë dhe vepronte për llogari të tyre, apo paguhej, ose i gjobiste nëse nuk paguanin. I dyshuar për një seri krimesh të ndryshme, por jo i arrestuar. Kapet me armë pa leje dhe dyshohet për vrasjen e biznesmenit Hasan Talja, 2 ditë para se të arrestohej, në periferi të Tiranës. I shtohet edhe akuza e plagosjes së shokut të tij Gentian Kaci më 8 prill 2013 te “Don Bosko”. Për krimin i del kundër në dëshmi edhe Shkëlzen Leka. Por në shkurt, rreth një muaj pas ndalimit, Gjykata e Apelit e liron për mungesë provash dhe vonesë denoncimi.
24 janar 2014
Arrestohet Destan Gjeta, i cilësuar si një nga të fortët e Bulqizës dhe i dyshuar për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve gjatë një konflikti për çështjet e kromit. I arrestuari, bashkë me ortakun e tij, Ilirjan Jangulli, është cilësuar si një nga kundërshtarët e biznesmenit të kromit, Arben Duriçi, ndërkohë që familjes së këtij të fundit i janë bërë disa atentate
4 prill 2014
Ekzekutohet vetëm dy javë pasi ishte liruar nga Apeli pronari i disa galerive të kromit, Gjin Nika, i akuzuar më herët për vrasje e plagosje, shantazhe dhe gjobëvënie. Vritet bashkë me të edhe Fabio Xhunga, ky aksidentalisht, teksa e shoqëronte me motor nga Bulqiza për në Tiranë. Ngjarja ndodhi në Tapizë të Krujës, teksa ktheheshin për në kryeqytet. U dyshua për ish-mikun e tij dikur në grup, Gentian Kaci, bashkë me të tjerët, që mund të ishin hakmarrë.
5 dhjetor 2014
Ekzekutohet në “Rrugën e Kavajës”, brenda një restoranti përballë xhamisë, Shkëlzen Leka. Dy persona të maskuar dhe me motor kanë ndaluar para lokalit, një prej tyre ka hyrë brenda duke e qëlluar me 8 plumba pistolete 36 vjeçarin dhe u arratisën. Leka humbi jetën pak minuta më pas. Policia tha se shkak dyshohen konfliktet për biznesin e kromit në Bulqizë, që kishin prodhuar seria-vrasje mes grupeve rivale. Dyshohet se miqtë e të vrarit Gjin Nika mund të jenë autorët e vrasjes për hakmarrje. Leka kishte dëshmuar kundër Nikës në plagosjen e Kacit vitin e kaluar. Dikur kishin qenë i njëjti grup. Deri dje në mbrëmje policia nuk ka mundur të ndalojë asnjë të dyshuar, por ka kryer 20 shoqërime.

Po Rilindja dhe ministri i pa afte GJiknuri cfare po bejne?
PER MUA SI LEXUS, GAZETA DITA ESHTE GAZETA NUMER NJE NE SHQIPERI.
KJO ESHTE TAMAM GAZETARI….GAZETARI INVESTIGATIVE DHE ME PROVA.
BRAVO GAZETA DITA, JU LEXOJM DITE PER DITE.
ska dale akoma gjoja gjate me thane i lumte police se po ben pune te mire ,,,,,krimi vazhdon per hesap te tij,,,,,,,,,jane zhduk na fb bracet, tahiret&co,,,,,,,,,ne fakt kane qene te angazhuart me fut ne burg hajdutet kokpalare qe nuk po vdesin shtyllave te korentit,,,,,,,,,,qeveri leshi,,,,,,,nuk po kujtoj vrasjen a santos ,,arrestimin e fullhajnit se vete gjate puna,,,,,,,,,,!!!!!!!!!!