Ka qenë e mbetet gjithnjë një dilemë e pazgjidhur ajo nëse artisti ka apo jo një frymëzim të pakushtëzuar materialist për të bërë një vepër; si të thuash, nuk është një krijesë me atribute të veçanta, por një njeri krejt i zakonshëm, që si shumëkush, për të siguruar jetën, është pajisuar me një talent, e me atë bën para, pavarsisht nëse talentin e ka në art apo gjetkë në ndonjë fushë tjetër të aktivitetit njerëzor.
Shumë koka të mëdha përgjatë shekujve janë përpjekur t`i japin një përgjigje kësaj dileme, por nuk kanë mundur. E ja, na vjen një artist nga Tropoja, me mesazhin që, po nuk ta ndjeu zemra një diçka, të tjerat nuk bëjnë fajde, përfshirë dhe paratë. Emrin e ka Arif Dushaj.
Eshtë këngëtar popullor dhe duhet theksuar ajo çfarë është më kryesore: Këndon live. Ai ka dhënë një intervistë në një të përditshme, ku ka rrëfyer mbi krijimtarinë e tij në raport me preferencat politike.
Sipas asaj çfarë ka thënë, ai nuk e ka patur problem të bëjë një këngë për Bashën, më pas për Berishën, por kur ka ardhur puna tek një këngë për Ramën, aty ka ngecur, pasi fjalët nuk i kanë dalë dot.
p.s. Mendimtari e kritiku i madh francez Deni Didero, tek ‘Paradoksi i aktorit’, ka mbrojtur pikërisht tezën që artisti – aktori në rastin konkret – nuk duhet të jetë pasionant, por profesionist i ftohtë, me qëllim që, mos e dëmtojë veten emocionalisht si shpagim për t`i kënaqur të tjerët.Pak gjasë ka që Arifi ta ketë lexuar Dideronë, aq më tepër që është këngëtar e jo aktor – e theksojmë: që këndon live – por mjafton fakti që ai lë kokën për Berishën – siç e ka pohuar adhurimin për të – gjë që tregon për gjeninë e tij të frymëzimit, më tepër se për atë të krijimit. Që do të thotë se dhe për Ed Palokën mund ta bëjë një këngë, por kurrsesi për Ed Ramën!/E.H

pune malokesh ,per nje verior mjafton qe te jete nga veriu dhe te tjerat nuk kane rendesi