“I kërkoj falje Zotit për atë që po bëj… Kam kuptuar se nuk jam në gjendje të kryej detyrën që më është ngarkuar”. Duket sikur është pjesë nga dorëheqja e papa Benediktit XVI, por në fakt është pjesë nga filmi “Habemus Papam” (2011). Historia është shkruar dhe kthyer në film nga regjisori italian Nanni Moretti. Në rolin e papës në film, Michel Piccoli duket sikur interpreton sot Benediktin XVI, por filmi është xhiruar dy vjet më parë. Filmi flet për krizën e thellë të papës, i cili nuk arrinte të mbante peshën e detyrës së tij, duke u arratisur nga muret e Vatikanit. Ndërkohë, një psikolog, i interpretuar nga vetë regjisori, përpiqej ta ndihmonte të gjente qetësinë.
“Habemus Papam”, filmi që u prezantua në Festivalin e Kanës, u kthye në një sukses të menjëhershëm në Europë.
Edhe finalja ngjan paksa me atë çka përjetuan besimtarët katolikë gjatë ditës së sotme. Papa i kthyer në Vatikan shfaqet në podiumin para turmës. Kur të gjithë mendojnë se ai po mban një fjalim për besimtarët, papa pranon para tyre se nuk ka forcën e duhur për të drejtuar kishën në një moment zgjedhjesh të vështira për njerëzit. Në fund, ai braktis podiumin, duke e lënë kishën pa drejtues, në një përhumbje të përgjithshme.
Në kohën kur doli filmi, “Observatori roman” nuk i fshehu kritikat në adresë të tij. / Përgatiti: Gazmira Sokoli
Fragment nga filmi:
