Qeveria po planifikon të rishikojë sërish buxhetin e vitit 2013 duke ndërmarrë shkurtim të mëtejshëm të shpenzimeve. Ky ndryshim në buxhet nuk do të prekë pagat apo pensionet, por sipas kreut të qeverisë, do të shërbejë për të kompensuar të ardhurat e munguara nga lehtësitë fiskale që po planifikohen të ndërmerren. Pavarësisht se pak javë më parë u miratua paketa fiskale me lehtësi për biznesin, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi miratimin e një pakete të dytë me lehtësi të mëtejshme, që prekin jo vetëm bizneset, por edhe individët, ndryshime për të cilat biznesi nuk është vënë në dijeni.
Në mbledhjen e përjavshme me deputetët demokratë, kryeministri tha se, në mbledhjen e qeverisë këtë javë do të miratohet vendimi për heqjen e TVSH-së për makineritë bujqësore. Ky vendim, pritet të japë si efekt të menjëhershëm nxitjen e punësimit dhe zgjerimin e aktiviteteve bujqësore në vend, ndërsa në një periudhë 2 apo 3 vjeçare, do ta kthejë bujqësinë në një sektor konkurrues. Një vendim tjetër që do të jetë pjesë e paketës së njoftuar nga kryeministri është edhe heqja e çdo detyrimi fiskal ndaj bizneseve për çdo të ri të punësuar. Një vendim tjetër që prek me dhjetëra mijë familje, sipas kreut të ekzekutivit, është akti normativ që u mundëson këshillave të qarqeve që të legalizojnë shtesat e pallateve. Këtë akt, kryeministri e cilësoi si zgjidhje të asaj që cilësohet si “nyje gordiane” për sektorin e ndërtimit. Qeveria ka planifikuar që gjatë vitit 2013 të ndërmarrë një serë reformash për të stimuluar rritjen ekonomike. Përveç shtimit të investimeve përmes rritjes së nivelit të borxhit publik, qeveria ka parlajmëruar se një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet lehtësive fiskale për biznesin, si sektori kryesor në përballimin e vështirësive ekonomike. Të gjitha këto deklraime vijnë në një kohë kur fushata ka nisur. Biznesi për vite të tëra ka kërkuar lehtësi fiskale, por që zëri i tij nuk është dëgjuar. Tashmë ndryshimet vijnë dhe asnjë prej tyre nuk është konsultuar me biznesin. Deri dje pasdite asnjë propozim nuk kishte mbërritur për anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit, duke lënë qartë të kuptuar se ndryshimet miratohen për fushatë dhe nuk konsultohen me grupet e interest.