Punëtorët francezë, italianë, grekë dhe polakë, të cilët janë pushuar nga puna, do të marrin në total një ndihmë prej 35,5 milion eurosh. Rreth 6000 punëtorë janë inkuadruar në këtë plan masash me synim mundësimin e krijimit të një aktiviteti të ri sipërmarrës, gjetjen e një pune tjetër, ose formësimin e mëtejshëm profesional. Ky është në thelb, rekomandimi që Komisioni i Buxheteve në Parlamentin Europian, ka dhënë këtë të enjte.
Ja kush janë kompanitë që kanë kryer pushime në masë në Europë, ish punëtorët e të cilëve do të përfitojnë nga kuadri i kësaj ndihme:
Air France: 25 milion euro për 3886 punëtorë
Transportuesi ajror francez ka kërkuar një ndihmë, pas pushimit në masë nga puna të 3886 personave, për arsye të konkurrencës së ashpër që vinte kryesisht nga tre kompanitë e tjera ajrore në gjirin Persik dhe të rritjes së çmimit të karburanteve. Ndihma e FEM-së, prej 25 937 813 euro që do të rimbursojë autoritetet franceze, mbi financimin e kryer për riintegrimin e punëtorëve të pushuar në tregun e punës, përfaqëson shumën më të rëndësishme të derdhur ndonjëherë nga fondi europian.
Odyssefs Fokas: 6,44 million euros për 600 punonjës
Kompania greke Odyssefs Fokas ka qenë e detyruar të pushojë në masë 600 punonjës, për arsye të një rënie të konsiderueshme blerjesh, e shkaktuar kryesisht nga zvogëlimi i të ardhurave për familje në Greqi, vend i cili njeh tashmë përqindjen e pestë më të lartë të papunësisë në botë. 6,44 million euro të FEM-së do të përdoren për të ndihmuar ish punëtorët në hapje të aktivitetit të tyre ose për të ndjekur një formacion të ri.
Whirlpool: 1,89 milion euro për 608 punonjës
Whirlpool Europe sh.p.k dhe furnizuesit e saj në provincën e Trentes në Itali kanë pushuar 608 punonjës për shkak të uljes së kërkesës për pajisjet elektroshtëpiake. Pushimet në masë kanë rënduar papunësinë, në një rajon ku përqindja është dyfishuar që prej fillimit të krizës duke shkuar në 6,1% në vitin 2013. Autoritetet Italiane do të përdorin fondin prej 1,89 milion të FEM-së, për të ndihmuar punëtorët e pushuar nga puna për të gjetur një punë. Bëhet fjalë për kërkesën e tretë të ndërhyrjes të FEM-së në sektorin e fabrikimit të aparaturave elektronike në Itali.
Fiat Auto Poland: 1,26 milion euro për 777 punonjës
Fabrikanti italian i automobilave Fiat ka pushuar më shumë se 1000 punonjës në një uzinë në Tychy, në jug të Polonisë, për arsye të humbjes së një pjese të tregut të tij, në tregun evropian të prodhimit të veturave. Prodhimi ra me më shumë, se një të tretën në vitin 2011 dhe në vitin 2012, duke prekur njëkohësisht uzinën dhe furnizuesit e saj, në një rajon ku papunësia është në rritje konstante që prej vitit 2011. Bëhet fjalë për kërkesën e 22 për ndërhyrje të FEM-së nga ana e Polonisë, në sektorin e automobilave. Fondi prej 1,26 milion euro i FEM-së do të shërbejë për formacione të ndryshme formimi të 777 punonjësve, që synojnë të gjejnë punë.
FEM është krijuar me synim të shërbejë si një mbështetje plotësuese ndaj punëtorëve europianë që pushohen nga puna, si shkak i modifikimeve tërësore të strukturës së biznesit botëror, si pasojë e globalizimit ose e krizës financiare. Ndihma financiare konsiston në rikuadrimin e tyre profesional në tregun e punës, ndjekjen e formacioneve dhe këshillimeve profesionale ose për krijim të aktivitetit privat. Kapaciteti i fondit për hapësirën 2014-2020 shtrihet në 150 milionë euro. Në shumicën e rasteve, autoritetet kombëtare kanë lëshuar tashmë masa dhe shpenzimet e tyre rimbursohen nga BE, kur kërkesat për ndihmë aprovohen.
Në lidhje me rekomandimin e fundit të Komisionit të Buxhetit në PE, pritet prononcimi i eurodeputetëve mbi këto kërkesa përgjatë sesionit të këtij muaji, si edhe vendimi i Këshillit më datat 15-16 dhjetor./it
