Një zhapik për Krokodilin

anazapta

Me përfundimin e dhjetorit 2014, po hyjmë në një vit zgjedhor. Nëse çdo palë zgjedhje shqiptare mediat dhe opinioni publik i kanë cilësuar delikate, këto zgjedhje lokale të verës 2015 janë dyfish të tilla. Në mos për gjë tjetër, për faktin se do të zhvillohen për herë të parë me ndarjen e re territoriale, ku do të zgjidhen drejtuesit e 61 njësive vendore. Siç tregojnë dhe intervistat e këtyre faqeve, përballë kësaj përgjegjësie, përgatitjet janë në nivelin zero. Dhe arsyeja është bllokazhi total i opozitës, ku sigurisht hyn në forcë edhe presidenti i Republikës. Nishani duket se edhe nëse e shpall dekretin e datës së zgjedhjeve të ardhshme, siç ja lyp automatikisht ligji, do ta bëjë këtë në limitet kohore të mundshme. E ndërkaq, një masë voluminoze pune pret politikën, ndërkohë që koha rrjedh.

Faktikisht, duket se opozita po jep shenjat se do ta thyejë bojkotin, duke hyrë në parlament në (gjithashtu) skajet e fateve kushtetuese. Por a përfaqëson ky gjest, edhe hapjen e një rruge të re bashkëpunimi institucional? Plotësimi i KQZ-së me anëtarët e munguar, faktikisht është në dorë të mazhorancës, por paskëtaj është për t’u miratuar kodi i ri zgjedhor, që dikton ndarja e re territoriale, dhe duhen çuar në fund të gjithë proceset përgatitore që rrjedhin nga ky hap. Thënë shkurt, edhe nëse gjërat vijojnë më në fund në rrugën normale institucionale, caktimi i datës së zgjedhjeve thjesht shkrep një reaksion zinxhir punësh që duhen kryer, ku sërish ka pengesa që mund ta devijojnë procesin. Një ndër këto pengesa është kërkesa për referendume lokale dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ndarjes së re territoriale, nga disa njësi vendore të djathta. Siç argumenton dhe eksperti Kume, organizimi i një referendumi kundër një ligji që ka hyrë ndërkaq në fuqi është nonsens, por fakti është që për sa kohë Kushtetuesja nuk është shprehur, ky faktor do llogaritur. Nëse një referendum lokal merr të drejtën për t’u organizuar, dhe banorët votojnë kundër ndarjes ku figurojnë aktualisht, çfarë do të ngjasë? A e rrëzon kjo krejt reformën territoriale?

Edhe pse Kushtetuesja deri tani e “ka lënë të kuptohet” frymën e qëndrimeve të saj mbi këtë çështje, duke rrëzuar kërkesën e PD-së, pjesa tjetër e lojës varet nga predispozicioni i opozitës këto gjashtë muaj në vazhdim. Dhe fakti është që PD-ja e Berishës dhe Bashës duket se ka arritur maksimumin nga ky gjasme konflikt me mazhorancën për rrahjen e një deputeti të saj. Është një maksimum qesharak, përballë një shumice që i thotë, “bëj ç’kërkesë të duash, do ta plotësojmë”, dhe përballë një faktori ndërkombëtar, si i djathtë ashtu dhe i majtë në BE, që shtiren sikur e sajdisin Bashën demek të zemëruar, dhe i thonë, “do t’ja tërheqim ne veshin Ramës, por t’i hyr në parlament se nuk ka lezet”. Dhe ndërsa të gjithë pas krahëve të tij i shkelin syrin njëri tjetrit me këtë politikan derëzi, Basha kthehet dhe u kumton fitoren të tijve, që bëjnë sikur e besojnë. Realisht, nëse mund të flitet për fitore, kjo u takon mendjeve racionale në PD dhe opozitë, që bënë presion që në krye të herës që ky bojkot absurd të ndërpritej. Dhe kur Dashamir Shehi deklaron pas takimit me Bashën se më datë 18 dhjetor opozita do hyjë në Kuvend, sinjali është i qartë.

Nëse opozita e dikurshme akuzonte rëndshëm kundërshtarët për vjedhjen e votës, dhe u desh një restorant “Krokodili” për të ulur palët në tavolinë, këtë rradhë “Zhapiku” i PD-së dhe Bashës është më shumë një turp për vetë atë, sesa një humbje e kohës së vlefshme nga eurodeputetët për t’i kuruar paksa makijazhin politik Bashës. Apo edhe e presidentes së Kosovës Jahjaga, që merr urdhër për të “dhënë një dorë” për të futur demokratët në Kuvend. Siç njoftoi DITA dhe u detyrua ta konfirmojë edhe Presidenca e Kosovës, zonja Presidente do të vijë në Tiranë, me një vizitë zyrtare që tradhton sebepin perfekt që PD të hyjë në atë sallë. Por gjysma e të keqes. Nëse Basha e shet për fitore, edhe ne po bëjmë sikur e besojmë këtë fitore, me shpresë se këtej e tutje do mësojë të bëjë politikanin dhe jo kalamanin e dyzuar mes dy “virtyteve”, qurravecit dhe mistrecit.
***

Nishani, datën e zgjedhjeve brenda 15 dhjetorit

Brenda 15 dhjetorit, Presidenti Bujar Nishani do të duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve. Burime nga institucioni i Presidencës, konfirmojnë për “Ditën” se kreu i shtetit do të shpallë datën e re brenda kufijve kushtetues, por pa bërë të ditur një datë të saktë. Në plotësim të detyrimit të rrjedhur prej Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të dekretojë datën për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore, jo më vonë së nëntë muaj përpara mbarimit të mandatit të organeve të zgjedhura. Mandati i këtyre organeve, për efekt të Kodit Zgjedhor, përfundon në 15 shtator të vitit të ardhshëm, për rrjedhojë, data e dekretimit të zgjedhjeve do të jetë jo më vonë se data 15 dhjetor 2014.

Një tjetër pikëpyetje është ajo që lidhet me datën se kur shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e tyre vendorë,

Nga një analizë e hollësishme e Kodit Zgjedhor, del se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të zhvilluara në datën 08 maj 2011, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli me vendimin e tij nr. 1229 në datën 15 shtator 2011. Kodi Zgjedhor aktual në nenin 10 përcakton, që për efekte të tij, mandati i të zgjedhurve lokalë aktualë, përfundon në 15 shtator të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, në bazë të kushtëzimeve ligjore të parashikuara në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet duhet të parashikohen për t`u zhvilluar jo më vonë se 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të të zgjedhurve aktualë, në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore që paraprin përfundimin e këtij mandati. Neni 8 i Kodit Zgjedhor përcakton si periudha zgjedhore 15 marsin, deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori, deri më 30 nëntor. Për pasojë, zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore duhet të zhvillohen në një prej të dielave, 21, ose 28 qershor 2015.

“Mjegullnaja” rreth KQZ-së

Procesi rrezikon që të administrohet nga një KQZ e paplotësuar duke vendosur në pikëpyetje të madhe rezultatin final që do të dalë. Për më tepër, ndryshe nga zgjedhjet qendrore që numri i qarqeve është i kufizuar në 12, tek vendoret, do të garohet për 66 njësi. Aktualisht KQZ-ja është institucion jo i plotë, në të cilin mazhoranca aktuale nuk ka përfaqësuesit e vet.

Me këtë anëtarësi të paplotësuar, duket se është e pamundur të shkohet në zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor. Ndryshimet në hartën territoriale-administrative mund të kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, në veçanti në dispozitat që rregullojnë procedurat për administrimin e procesit zgjedhor. Kjo do të kërkojë investimin e KQZ-së për të hartuar udhëzimet përkatës, të cilat mund të marrin fuqi ekzekutive vetëm nëse miratohen me shumicën e cilësuar, 5 anëtarë. Plotësimi i anëtarësisë të KQZ-së, referuar Kodit aktual zgjedhor, mund të bëhet në çdo kohë, nëse mazhoranca aktuale, PS e LSI propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ dhe Kuvendi i miraton. Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vetëm katër anëtarët e zgjedhur nga të djathtët, ndërsa e majta mbetet e papërfaqësuar. Nga të gjitha raportet ndërkombëtare, administrata aktuale e KQZ-së ka marrë vlerësime tepër negative, duke bërë edhe lojën e PD-së, ndonëse nuk arritën që ta ndihmojnë për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve. Tre nga katër anëtarët aktualë, Klement Zguri, Hysen Osmani dhe Vera Shtjefni, janë të njëjtët që përmbysën në tavolinë rezultatin në zgjedhjet vendore të 2011-s, duke ia dhënë mandatin Lulzim Bashës.

Loja e PD-së me zgjedhjet

Pavarësisht bojkotit të Kuvendit, opozita ka vijuar pjesëmarrjen e saj në mbledhjet që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por në rast se mazhoranca do të tentojë që të ndryshojë kodin zgjedhor apo dhe përbërjen e këtij institucioni për të rivendosur balancat politike, zgjedhjet rrezikojnë që të futen në ngërç. Ekspertë brenda PD-së paralajmërojnë se në rast të tentativës për të ndryshuar përbërjen aktuale të KQZ-së prej shumicës, me qëllim marrjen e drejtimit, atëherë do të shihet dhe marrëdhënia e kësaj force dhe pjesëmarrja në zgjedhje. Demokratët në fakt ndoqën dy skenare për shtyrjen e zgjedhjeve, siç ishte ankimimi në Kushtetuese prej saj i Reformës administrative, si dhe rruga e dytë, ajo e kërkesave nga njësitë e djathta për të zhvilluar referendume lokale në lidhje me ndarjen e re. Por me vendimin e Kushtetueses, duket se PD-së do t’i duhet të ndryshojë strategjinë e saj, ndërkohë që presioni ndërkombëtar që i kërkon PD-së rikthimin në Kuvend dhe vijimin e punës për zgjedhjet vendore shtohet. Pak ditë më parë, edhe Partitë e djathta evropiane i bënë thirrje PD-së që të ndërpresë bojkotin e Kuvendit dhe të bashkëpunojë me mazhorancën për reformat në vend. Nga ana e saj, ekspertët e majtë lënë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e përgjithshme të shkohet me këtë përbërje të KQZ-së. Gjithsesi, me plotësimin e vendeve vakante në disa institucione, nuk përjashtohet mundësia që të plotësohen edhe vendet e mbetura bosh.

Marrëdhënia e Presidentit me mazhorancën

Dekretimi i datës së zgjedhjeve si dhe ndryshimet ligjore që mund të nevojiten, rrezikohen edhe prej Presidentit Bujar Nishani. Përplasja mes mazhorancës dhe kreut të shtetit ka qenë tepër evidente gjatë këtij vite duke kthyer një numër të madh ligjesh. Eshtë dashur ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar dekretet kundër të Nishanit. E drejta e tij për të dekretuar datën e zgjedhjeve duket se do të jetë dhe arma e tij që do të shfrytëzohet për t’i bërë presione mazhorancës për të votuar dekretet e Gjykatës së Lartë apo dhe emrin e Guvernatorit të ri.

Domosdoshmëria e plotësimit të KQZ-së

Mungesa e konsensusit midis mazhorancës dhe opozitës rrezikon që të pengojë punën e KQZ-së. Janë një sërë aktesh të cilat në KQZ duhet të merren me konsensus. Akte që kërkojnë pesë vota të anëtarëve të institucionit që administron zgjedhjet, janë ato që kanë të bëjnë me caktimin e vendeve të numërimit të votave, mënyrën e ngritjes së grupeve të numërimit, caktimin e tavolinave të GN, aktet që kanë të bëjnë për mënyrën dhe organizimin e punës në VNV, rregullat që duhet të ndiqen nga KZAZ-ja dhe nga GNV-të, radhën e veprimeve dhe ndarjeve të detyrave midis anëtarëve të GNV-së, aktin shumë të rëndësishëm për funksionimin dhe organizimin e KQV-ve, aktin e manualit të qendrës së votimit, aktin që duhet të përcaktojë rregullat në vendnumërimet e votave nga grupet e numërimit dhe nga KZAZ-ja. Në rast se nuk do të bëhet edhe plotësimi i KQZ-së dhe vendimet nuk do të arrijnë që të merren me pesë anëtarë, atëherë do të duhet të merren më pas direkt ngas Kolegji Zgjedhor. Por që do të kërkojë nga 5-15 ditë afat, duke çuar në ekstrem zhvillimin e zgjedhjeve.

Share This Article
1 Comment
  • 3 miljon njerez dhe kaq e veshtire per te bere shtet!!!!!!
    Shqiptaret jane e keqja e vetes…..
    ja si i cileson shqiptaret nje ish diplomat shqiptar ne poloni -” shqipetareve po tu presesh kokat dhe ti hedhesh ne nje bace te madhe dhe ti trazosh me njera tjetren ato prape do ta gjejne koken e tyre….”
    Sinqerisht nuk e kuptoj kaq te veshtire e ka e majta shqipetare te mare vendime te prera dhe te menjehereshme -radikale me keto zhelet e pd-se !!!!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *