Kume: Duhet urgjent një KQZ funksionale

redaktor

Eksperti për çështjet zgjedhore, Kristaq Kume shprehet se klasa politike duhet të marrë një vendim në lidhje me plotësimin ose jo të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Duke e cilësuar si një detyrim plotësimin e vendeve vakante të KQZ-së, Kume tha se moszbatimi i tij është tregues shumë domethënës, negativ, për qëndrimin dhe sjelljen e klasës politike ndaj këtij institucioni. Ish-kreu i KQZ-së thekson se është koha, për të mos thënë se ka kaluar shumë kohë, që të merret një vendim, ose të plotësohet KQZ-ja me anëtarët e munguar siç e kërkon Kodi aktual, ose të ndryshohet formula ose të ndryshohet ligji dhe KQZ-ja të mos vazhdojë të jetë institucion i përhershëm, por të konstituohet vetëm kur ka zgjedhje. Kume thekson se zgjedhjet për organet e pushtetit vendor janë shumë afër dhe nevoja për të patur një KQZ funksionale është urgjente.

Nëse opozita bojkoton procesin e ndryshimeve të  kodit, çfarë  ndodh? Çfarë duhet të  bëjë  mazhoranca?

Ligji zgjedhor nuk është ligj i thjeshtë. Ai është Kod e si i tillë, për çdo ndryshim që mund të bëhet në të është i nevojshëm miratimi me shumicë të cilësuar. Mazhoranca aktuale edhe pa opozitën e ka mundësinë për të miratuar çdo ndryshim që mund t`i bëjë Kodit Zgjedhor aktual. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se, duke qenë se Kodi Zgjedhor është ligji që përcakton rregullat e “garës” elektorale, garës për pushtet, qendror ose vendor, ai duhet të ketë, në maksimumin e mundshëm, dakordësinë e palëve. Ndryshe mund të shndërrohet në një objekt lehtësisht i atakueshëm prej politikës, duke prodhuar, në këtë mënyrë efekte negative për të gjithë procesin zgjedhor. Pra, për t`iu përgjigjur pyetjes suaj, mazhoranca i ka mundësitë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kod, por për të krijuar kushte sa më të favorshme për një proces zgjedhor në standardet e kërkuara, ajo nuk duhet të shterohet në përpjekjet për të realizuar një proces legjislativ konsensual, me pjesëmarrje sa më të madhe të opozitës dhe jo vetëm.

KQZ është  ende e paplotësuar. Me këto afate që  kanë  ngelur, duhet që të  shkojnë  tre anëtarët e tërhequr apo duhet  riformatim nga e para?

Plotësimi i vendeve vakante të KQZ-së është detyrim ligjor. Moszbatimi i tij është tregues shumë domethënës, negativ, për qëndrimin dhe sjelljen e klasës politike ndaj këtij institucioni. Ajo “kujtohet” për të vetëm kur ka zgjedhje. Kështu që klasa politike krijon kushte jo të favorshme pune për këtë institucion. Kështu ajo e mban përherë nën presion atë dhe, për rrjedhojë, i ngushton edhe hapësirat për punë efektiv dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që ky institucion ka. Është koha për të mos thënë se ka kaluar shumë kohë që të merret një vendim. Ose të plotësohet KQZ-ja me anëtarët e

Kristaq Kume
Kristaq Kume

munguar siç e kërkon Kodi aktual, ose të ndryshohet formula sipas së cilës formohet dhe të rikonstituohet ose të ndryshohet ligji dhe KQZ-ja të mos vazhdojë të jetë institucion i përhershëm, por të konstituohet vetëm kur ka zgjedhje. Opsioni i parë është i mundshëm të bëhet menjëherë, të tjerët kërkojnë që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor. Partitë politike duhet të vendosin. Zgjedhjet për organet e pushtetit vendor janë shumë afër dhe nevoja për të patur një KQZ funksionale është urgjente.

Çfarë  komplikacionesh krijohen nëse Gjykata Kushtetuese miraton qoftë edhe një  referendum lokal në  lidhje me reformën territoriale që  kanë  paraqitur njësitë  vendore?

Së pari Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për kërkesën e bërë në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit për ndarjen territoriale administrative. Sa i takon referendumeve lokale, akoma nuk ka një procedurë të filluar, që investon këtë gjykatë për t`u shprehur për iniciativën qytetare për referendum lokal. Pra, jemi në kushtet kur priten zhvillime, ndaj dhe gjykimi mund të bëhet kur ato të ndodhin. E rëndësishme është që të gjithë institucionet që ligji i ngarkon me detyra e përgjegjësi në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme vendore, të kryejnë në kohë detyrat. Është e rëndësishme që procesi legjislativ për hartimin e ligjit zgjedhor, amendimet e Kodit Zgjedhor, të bëhen sa më parë. Arsyetimi se çfarë mund të ndodhë, mund të krijojë situata që do të kërkojnë rishqyrtim të punëve që bëhen sot dhe ndaj më mirë të mos i bëjmë nuk është as ligjor dhe as i efektshëm. Në të shumtën e tij, ai është arsyetim në bazën e të cilin qëndron vetëm interesi i lojës politike të ditës.

A  është  e arsyetuar kërkesa e njësive vendore për një  referendum lokal?

Kërkesa për referendum vendor, ashtu siç është artikuluar pyetja për zgjedhësit, është një gjetje që synon të mbështet kërkesën për këtë lloj referendumi, i cili, siç përcaktohet në ligj, nuk mund të zhvillohet për të rrëzuar një ligj ose pjesë të një ligji. Pyetja që do t`i kërkohet zgjedhësve të një njësie vendore, të japin përgjigje, do të jetë nëse e pranojnë apo jo që njësia vendore e tyre të mos ekzistojë si e tillë. Pra, kërkohet të bëhet referendum për të plotësuar atë që duhet të ishte bërë përpara se të miratohej ligji për ndarjen territoriale administrative dhe që, sipas iniciatorëve të tij, nuk është bërë. Kjo situatë të shpie në mënyrë të logjikshme tek pyetja se, çfarë efekti do të ketë produkti i një referendumi të tillë, në rastin kur zgjedhësit do të shpreheshin kundër mos ekzistencës së njësisë përkatëse vendore. Ky rezultat e prek apo jo ligjin për reformën territoriale administrative? Në se po, atëherë rezulton që, një referendum lokal atakon një ligj ose një pjesë të tij! Dhe ky është një atribut që, si u theksua më sipër, nuk e ka referendumi lokal. Pra, siç shihet lehtë, çështja kërkon të gjykohet. Megjithëse ligji nuk e detyron, këtë pritet ta bëjë KQZ-ja nëpërmjet kërkesës që do t`i drejtojë Gjykatës Kushtetuese për t`u shprehur për kërkesën që është bërë për zhvillimin e referendumeve lokale. Ndërkohë, e rëndësishme është që sa kohë që kuadri ligjor aktual kërkon të fillohet nga puna për zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor, institucionet përgjegjëse duhet të fillojnë punën.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *