Teuta regjistroi humbjen e 5-të rresht, ndërsa Kukësi rigjeti buzëqeshjen në “Niko Dovana”. Humori është i ndryshëm në kampet respektive ku zv.trajneri i “Djemve të Detit”, Ilir Biturku e pranoi se skuadra është në krizë të thellë. “Është e pesta humbje rresht. Në tre ndeshjet e stafit të ri kjo ishte më e dobëta. Duhet të reflektojmë sepse tashmë kemi sfidën me Apoloninë që është kundërshtari direkt. Objektivi jonë është që të largohemi nga zona e ftohtë”, tha Biturku. Javën e ardhshme Teuta sfidon Apoloninë në një 90-minutësh me vlera mbijetese dhe Biturku karikon skuadrën për t’u rikthyer në rrugën e fitoreve. “Kam bindjen që skuadra do tregojë vlerat e vërteta me Apoloninë, do të futemi në fushë për fitore dhe jam i bindur se do të marrim tre pikët”, deklaroi zv.trajneri i Teutës, Ilir Biturku.
