Magani: Penalltia na dënoi në derbi, do të ringrihemi

redaktor

Tirana kërkon të ringrihet pas disfatës në derbi dhe trajneri Gugash Magani është i sigurt se humbja e pak ditëve më parë nuk do të ndikojë në vazhdimësinë e sezonit. Tekniku bardheblu e pranon se morali ka qenë i ulët gjatë kësaj jave, por sipas tij situata do të ndryshojë. “Kemi folur gjatë seancave stërvitore dhe kam bërë analiza të shkurtra me lojtarët. Kemi humbur vetëm një ndeshje që është e rëndësishme për ne por nuk ka ndodhur asnjë gjë”, thotë trajneri bardheblu.

Në lidhje me deklaratën e Fejzullahut, i cili u shpreh se në momentin e penalltisë ndjehu vetëm një prekje, Magani zgjodhi tone të larta për t’u kundërpërgjigjur. “Një trajner profesionist nuk merret me kundërshtarin. E kam riparë ndeshjen dhe nuk ishte penallti dhe nëse nuk do të ishte dhënë, rezultati mund të ndryshonte”, theksoi numri 1 i stoli bardheblu. Ai iu përgjigj gjithashtu edhe kolegut të tij, Shpëtim Duro, i cili u shpreh se Tirana është një skuadër e çoroditur.

“Jemi e vetmja skuadër që nuk kemi marrë asnjë 11-metërsh. Nuk merrem me skuadrat e tjera dhe lojtarë të skuadrave të tjera. Gjatë gjithë kohës në filozofinë time kam punë shumë dhe fjalë pak”, shtoi tekniku. Kundërshtari i radhës për bardheblutë është Skënderbeu, një tjetër ekip që rivalizon në garën për titull, por Magani thekson se skuadra e tij do të japë maksimumin për këtë sfidë.

“Duhet të bëjmë më të mirën në fushë dhe duke qenë të qetë mendoj se do ta fitojmë ndeshjen e radhës”, vijoi ai. Lidhur me merkaton e dimrit, tekniku peqinas premtoi se do të kërkojë nga presidenca 2-3 blerje të reja por nuk do të ketë largime, ndërsa një fjali Magani e rezervoi edhe për gjobën e fundit të Disiplinës, duke dalë në krah të tifozëve.

“E vetmja gjë që është jo korrekte është penalizimi sepse kanë ndodhur ngjarje të tilla si me tifozët tanë dhe nuk janë marrë vendime kaq të ashpra. edhe në ‘Qemal Stafa’ ishim udhëtues ishim më të shumtë se kundërshtari edhe pse ishim udhëtues”, tha ndër të tjerash trajneri i Tiranës, Gugash Magani.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *