Revista “Esquire” ka botuar intervistën e një prej pjesëtarëve të skuadrës amerikane Navy Seals, i cili pretendon se ka vrarë kryeterroristin Osama bin Laden në maj të 2011-s. Pjesëtari i skuadrës speciale amerikane nuk është identifikuar, por është shprehur se është në radhët e marinës amerikane që prej 16 vjetësh. Personi në fjalë në revistë është shfaqur me pseudonimin “Gjuajtësi”. Ai tregon momentin e depërtimit në vendin ku strehohej Bin Laden dhe përpjekjen e këtij të fundit për t’u fshehur pas së shoqes.
“Më kujtohet që eci përpara. Nuk e di nëse gruaja kishte një jelek apo nëse po e shtynte përpara që të martirizoheshin. Duhet të qëlloja atë në kokë, kështu që të mos kishte shans që të hidhte veten në erë. Në atë sekondë e qëllova dy herë në kokë. Bam, bam. Herën e dytë u shemb në dysheme, përpara krevatit dhe unë e qëllova sërish. Bam. Sërish në të njëjtin vend. Kishte vdekur. Nuk lëvizte, gjuha i kishte dalë jashtë. E pashë se si mori frymë për herë të fundit. Mbaj mend se teksa e shihja në frymën e fundit, po mendoja: a është kjo gjëja më e mirë që kam bërë, apo gjëja më e keqe që kam bërë. Kjo është reale dhe është pikërisht ai. Balli i tij ishte hapur në formën e një V-je. Mund të shihja trurin e tij duke u hapur mbi fytyrë. Publiku nuk mendoj se do të dijë se si ishte pamja”, përshkruan ai skenën. .
“The shooter” thotë se ka frikë se familja e tij mund të bëhet shënjestër e Al Kaedës. Ai gjithashtu shton se ka probleme financiare, pasi sipas tij “qeveria amerikane i neglizhon veteranët pasi dalin në pension”.