Për 9 muajt e këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar mbi 100 milionë lekë të vjetra vetëm për udhëtimet e ligjvënësve shqiptarë.
Sipas raportit të monitorimit të Kuvendit, shuma është përdorur për të realizuar blerjen e 202 biletave për deputetët. Në zërin për shpenzime udhëtimet jashtë shtetit, sipas raportit të paraqitur nga drejtoresha e Financës dhe Buxhetit në Kuvend, Ermira Kopliku, “ato përfshijnë kryesisht kosto për biletat, akomodimet jashtë shtetit, dietat ditore dhe kosto udhëtimi nga aeroporti në hotel e kthim të delegacioneve parlamentare që marrin pjesë në aktivitetet jashtë vendit. Në këtë 9mujor janë blerë 10.1 milionë lekë bileta, për 202 bileta, për mbi 54 aktivitete në shtete të ndryshme, raporton “Shqip”.
Janë shpenzuar rreth 3.5 milionë lekë për akomodim dhe pritje e përcjellje të delegacioneve të huaja dhe rreth 1,4 milionë lekë, pritje në zyrën e kryetarit, në ambientet VIP në Rinas, takime pune etj., shpenzime të kryera me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare (DSHQnë), që funksionon në ambientet e Kryesisë apo sallës së seancave plenare.
Në këtë raport jepen dhe shuma prej 180 milionë lekësh të vjetra që shkojnë për shpenzimet e punonjësve të shkarkuar, por që kanë fituar betejën ligjore me Kuvendin. Shpenzimet për paga janë akorduar për 361 të punonjës. Në këtë numër, përfshihen deputetët, stafi politik dhe stafi administrativ. Në mënyrë të njëtrajtshme, fondi i pagave duhet të ishte shpenzuar 75% e fondit të akorduar, ndërsa në fakt, sipas raportit, është shpenzuar rreth 63%. “Kjo për disa arsye: Ndërsa numri i deputetëve për të cilët është akorduar fondi i pagave është 140, disa nga deputetët (tashmë në funksionin e ministrit), akoma nuk kanë dorëzuar mandatin e deputetit, kanë marrë pagat në Ministritë përkatëse, kështu që ky fond i kursyer do të kthehet në buxhetin e shtetit (rreth 6.6 milionë lekë). Ndërsa numri në total i punonjësve është 361, pagat janë paguar për 344 punonjës, pra disa vende janë në procedura konkurrimi për t’u plotësuar me personel.
Në këtë raport nuk përmendet fakti nëse janë paguar ose jo deputetët e PDsë, të cilët bojkotuan Parlamentin në muajin korrik të këtij viti.
