Trajneri i Kombëtares ruse të futbollit, Fabio Kapelo, rezervon vetëm lëvdata për kampionët e Europës, Realin e Madridit.
Sipas tij, performanca e tyre gjatë pjesës së parë të sezonit ishte impresionuese duke e thelluar edhe më shumë bindjen e 68 vjeçarit kur deklaron se “Los blancos” janë një nga ekipet më të mira në historinë e futbollit.
Skuadra e drejtuar nga Karlo Anceloti numëron një seri mbresëlënëse fitoresh radhazi dhe aktualisht merr pjesë në Botërorin e Klubeve, ndaj Fabio Kapelo beson se madrilenët i përkasin një niveli superior krahasuar me rivalët, duke mos kursyer komplimentat për ekipin nga Santiago Bernabeu, raporton Sport News:
“Cdokush e kupton se ekipet e tjera nuk e kanë nivelin e Real Madridit.
Reali është një makineri e rëndë të tjerat janë thjesht ekipe futbolli, ekipe me lojtarë që zotërojnë kualitete shumë të mira, por që prapë nuk arrijnë kompaktësinë që i kthen madrilenët në një makineri.
Reali i Madridit nuk është nga ky planet. Sigurisht që nuk mund të mos e them se janë një nga skuadrat më të mira të të gjitha kohërave.
Anceloti është i ndërgjegjshëm për këtë fakt dhe skuadra e tij synon fitoren në cdo ndeshje.
Ata kanë gjithcka nevojitet për të arritur këtë objektiv, mbrohen mirë, kanë një mesfushë të shkëlqyer dhe talente fantastik në sulm.
Cfarë duhet të bëjnë është vetëm të ruajnë atë që kanë arritur që nga nisja e sezonit.”
Fabio Kapelo e ka drejtuar Realin e Madridit në dy periudha të ndryshme, fillimisht në sezonin 1996-1997 dhe më pas në 2006-2007, sezon gjatë të cilit, fitoi edhe titullin e La Ligas me Los Blancos.
