A ka hajdutëri të mirë?! Jo! Absolutisht jo! Por rendi i sotëm në një pjesë të botës, pikërisht ai që e ka me shumë dëshirë relativizimin e vlerave, mundet dhe ta legjitimojë një ditë një referendum për këtë çështje, ku në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut, ky i fundit të ftohet të shprehet me votë; dhe imagjinoni sikur me shumicë votash të fitoja po-ja. Debati komplikohet nëse bëhet një paralelizim dhe me akte të tjera të urryera, siç është vrasja përshembull; pasi, varësisht rrethaneve dhe motiveve, ka dhe “vrasje pozitive” – siç mund të jetë ajo për mbrojtjen e pronës dhe jetës, nëse ndonjë kokëçorapzi të futet natën nga dritarja për të të bërë kërdinë. Në një rast të tillë, mos filozofo shumë mbi rendet, sistemet, shkollat juridike dhe parimet etike; por kërcitja me ç`të gjendet në dorë. Por rikthehemi tek hajdutëria. Sado të endesh labirintheve të mendimit dhe etikës njerëzore, nuk gjendet asnjë hapësirë e vetme ku hajdutëria të jetë e sanksionuar. Por ama, ka një rast kur ajo mund të quhet e përligjur: kur viktimë e hajdutit, është vetë… hajduti! Kjo, ndodh në rastet kur grabiten kazino, siç një e fundit këto ditë. Dhe denoncimi në polici, që logjikisht vjen më pas, është mishërimi më adekuat ku hajduti thërret: Kapeni hajdutin! Por nuk mbaron këtu çudia; ajo shndërrohet sakaq në absurd; sepse mes dy hajdutëve, vetëm njëri konsiderohet i tillë! Po si ka ardhur puna deri këtu?! Ngase, edhe pa referendum, ‘dikush’, që padyshim i ka fort për zemër “liritë dhe të drejtat njerëzore”, ka vendosur ‘po’ për hajdutërinë, edhe si gjë e mirë!
P.s. Kur grabitet ndonjë kazino, titulli i lajmit duhet të jetë: ‘Një tjetër grabitje e ndërsjelltë mes xhepistash!’/E.H
