Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe indirekt edhe PD-ja, kanë marrë sërish një goditje prej Gjykatës Kushtetuese.
Anëtarët e këtij institucioni kanë vendosur që të rrëzojnë kërkesën e Presidentit për të shpallur si papajtueshëm me Kushtetutën ndryshimet e miratuara nga mazhoranca në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, ndërsa kanë pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës po për këtë ligj.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se ka vendosur pezullimin e zbatimit të dispozitave të ligjit, deri në hyrjen në fuqi të vendimit.
Presidenti i Republikës dhe Partia Demokratike kërkuan që të shpallet antikushtetues ndryshimi i ligjit, sipas të cilit Kreu i Shtetit ka të drejtë të propozojë për nënkryetar të KLD-së një nga tre përfaqësuesit që vijnë nga gjyqësori.
