Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë në Vatikan
Poliklinika “Gemelli” dhe Spitali Pediatrik “Bambino Gesu” në Vatikan do të vijojnë të ofrojnë trajtimin e fëmijëve shqiptarë që vuajnë nga komplikacione të rënda shëndetësore. Vijimi i këtij bashkëpunimi është finalizuar dje me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë sonë të Shëndetësisë dhe Universitetit Katolik të Zemrës së Shenjtë në Vatikan.
Sipas kësaj marrëveshjeje, pala italiane angazhohet të ofrojë mbështetjen e nevojshme për Palën Shqiptare, në zbatimin e protokolleve diagnostike dhe terapeutikë, referuar patologjive komplekse si dhe në zhvillimin e projekteve për trajnimin e personelit mjekësor dhe infermieristik. Ndërkohë që do të jetë dikasteri ynë i Shëndetësisë që do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit për të cilat Poliklinika Universitare “A.Gemelli” mund të ofrojë konsulencë dhe mbështetje direkte në kuadër të trajnimit për asistencën shëndetësore dhë menaxhimit.
Sa i përket trajnimit të personelit mjekësor, infermieristik dhe menaxherial, sipas marrëveshjes ky trajnim do të bëhet nëpërmjet mënyrave të regjistrimit të përkohshëm pranë Poliklinikës Universitare “A.Gemelli”, trajnimeve pranë strukturave shqiptare të interesuara dhe aktiviteteve të llojeve të ndryshme, që do të përcaktohen bashkërisht.
