Vrau djalin 4-vjeçar pas divorcit, nëna në gjyq

redaktor

Divorci dhe frika se ish-burri dhe njerëzit e tij do i merrnin djalin 4-vjeçar me forcë, edhe pse gjykata ia kishte lënë asaj, ka shtyrë Nexhmije Muratin (Dushkun), që të therte fëmijën në gjumë dhe më pas të tentonte vetëvrasjen, duke u plagosur rëndë. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka marrë të pandehur të dyshuarën dhe dërgoi dje për gjykim kërkesën ndaj 26-vjeçares, me akuzën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, vepër penale që hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda sipas ndryshimeve në Kodin Penal dhe parashikon mbi 30 vite burgim, deri në izolim perjetë. Krimi ndodhi më 10 gusht të këtij viti në fshatin Godolesh të Elbasanit dhe sipas organit të akuzës ngjarja erdhi si pasojë e gjendjes së rënduar depresive të nënës.

Rreth orës 02:00 të mëngjesit të 10 gushtit, në fshatin Godolesh të komunës Labinot-Fushë të rrethit Elbasan, Nexhmije Dushku (Murati para se të divorcohej), në kushtet e depresionit ka vrarë me thikën e bukës djalin e saj 4-vjeçar dhe më pas ka tentuar të vrasë veten, duke goditur me thikë organet jetësore, pjesën e fytit dhe plagosur rëndë. Pas mjekimit në spital, 26-vjeçarja e kaloi rrezikun për jetën, ndërsa aktualisht gjendet e paraburgosur. Vetë të afërmit e Nexhmijes njoftuan policinë dhe dhanë ndihmën e parë.

Nga hetimet e kryera në katër muaj, rezultoi se Nexhmije Dushku (Murati), para 5 vitesh është martuar me Altin Muratin, edhe ky banues në Godolesh. “Gjatë martesës çifti ka lindur një djalë në vitin 2010. Dy vitet e para të martesës marrëdhëniet kanë qenë normale, derisa mes të pandehurës dhe familjarëve të Muratit kanë nisur konfliktet që kishin në thelb mënyrën e sjelljes së Nexhmijes. Konfliktet brenda familjes Murati janë zhvendosur edhe mes vetë çiftit, derisa çështja ka përfunduar në Gjykatë dhe të dy janë divorcuar me vendim të formës së prerë. Gjykata i ka njohur kujdestarinë nënës së fëmijës”, thuhet në dosjen hetimore.

Kurse babai ka pasur detyrim financiar 6 mijë lekë në muaj për të rritur fëmijën dhe ky i fundit do e takonte të birin një herë në javë. Pas divorcit Nexhmija është zhvendosur tek familja e prindërve të saj, po në të njëjtin fshat. Megjithë divorcin, 26-vjeçarja nuk e ka ndryshuar mbiemrin e burrit. Kurse Altin Murati pas ndarjes është larguar për në Angli, ku është vendosur në Londër. Në vijim prindërit e Altinit kërkuan të takonin nipin e tyre një herë në javë dhe pas refuzimit të Nexhmijes iu drejtuan gjykatës, ku e morën këtë të drejtë. Por nga frika se mos i merrnin djalin, e pandehura ka refuzuar, derisa një psikolog dhe përmbaruesi gjyqësor kanë ndërhyrë. “Në këto kushte, Nexhmija ka marrë të birin në gjumë mëngjesin e 10 gushtit duke e therur në fyt jashtë banese dhe më pas ka prerë edhe veten. Në momentet e fundit i ka telefonuar motrës, ndërsa duke u zvarritur te pragu i shtëpisë është gjetur nga prindërit”, konkludon prokuroria.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *