Shpresa vdes e fundit… por vdes ama

redaktor

Kaloi një vit nga dita kur në DITA unë bëra një denoncim publik ku ndër të tjera shkruaja:

UNË DENONCOJ: Shkeljen e ligji “Për Urbanistikën” dhe Vendimit Nr. 1, datë 23.06.2004 të KRRTRSH “Për miratimin e Studimit Urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës”.

Denoncimet e mia në “stop rrënimit” dhe “stop korrupsionit në drejtësi” i kam bërë tashmë dhe jam duke pritur reagimet e institucioneve përkatëse.

Gazeta DITA e bëri ditë denoncimin tim dhe asnjë reagim zyrtar nuk erdhi…

Sot mora shkas nga një lajm që për ironi të fatit vjen përsëri nga qyteti im, Vlora. Kutia online?!

Dikur, kur ishim fëmijë këndonim “hodha një letër mu në postë, ajo rrugës humbi….” Edhe unë hodha shumë letra në postë dhe gjithmonë vinte vazhdimi i këngës së fëmijërisë… “një shoqe erdhi mbrapa meje dhe në xhep ma vuri”…. Pra pa përgjigje.

U lodha me drejtësinë e padrejtësisë, me zyrtarë me dhe pa gravatë, me letra për qeverinë e me përgjigjet me tekst standard, të thatë e burokratik.

U gënjeva nga propaganda dhe besova se erdhi dita e zbatimit të ligjit. Në të vërtetë nuk u gënjeva, por ma donte zemra të bëhej diçka për mua, për ty, për atë…

Po, është e vërtetë: Shqipërinë nuk e prishën ndërtimet pa leje, por ato me leje abuzive të dhëna nga njerëz me pushtet dhe të mbrojtura nga ata me toga të zeza…

Tani nuk dua të akuzoj më gjyqtarët e korruptuar që vetëm drejtësi nuk japin, as kryetarin e KRRT-së që është përgjegjës kryesor i katrahurës urbanistike të qytetit tim e as ndërtuesin që asnjëherë nuk ka qenë i tillë. Tani dua të mallkoj ditën kur vendosa të ndërtoja në qytetin tim të lindjes, orën kur filloi tragjedia e familjes sime dhe minutën kur hyra në “pallatin e drejtësisë”. Paç fat Vlora ime…

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *