E majta dhe prona publike

editor

Kryeministri ynë nuk lë rast pa dalë në mediat televizive të shumta, ditën dhe natën, duke na bërë me dije, për efikasitetin e privatizimeve të tij në stil të gjërë, duke harruar se tanimë ka mbetur në Shqipërinë tonë pa u privatizuar vetëm ajri që thithim. Prapa kësaj fasade oratorie të ndritshme, ka një realitet të trishtë dhe që iu dhemb në palcë të gjithë shqiptarëve, që nuk janë pjesë e transaksioneve korruptive të qeverisë: borxhi publik në shifra marramendëse, varfëria këmbëkryq në familjet shqiptare, shërbimet publike të anatemuara e të diskriminuara, dështimi i ÇEZ-it me një faturë disamiliardëshe pas… Në gjithë këtë katrahurë të qëllimshme, zembreku i pronës publike duket se ka ngrirë dhe ekonomia kombëtare po shkon me hapa të shpejtë drejt rrënimit. Që këtej rrjedh dhe alternativa e të majtës shqiptare, që do të marrë në duar qeverisjen pas 23 qershorit, në lidhje me pronën publike, raport që është përcaktues në fatin e një qeverisje të pritshme dhe fatin e vetë të ardhmes së demokracisë në një shoqëri të hapur si kjo e jona. E majta politike shqiptare, e grupuar rreth koalicionit opozitar, ka mundësi që ta ndalë këtë agjendë të frikshme dhe duhet ta ndalë me çdo kusht, sepse pretendon për një rilindje kombëtare dhe kjo rilindje duhet të nisë nga raporte të reja të shtetsave dhe të politikës me pronën publike.

Deformimi, tjetërsimi, grabitja dhe shkatërrimi i pronës publike ka nisur që në vitin 1992, kur dishepujt “blu” të “terapisë shok” u vërsulën me pisha në duar dhe i vunë flakën Shqipërisë, dogjën fabrika, uzina, kombinate, punishte, vreshta, plantacone me mollë e kumbulla, grabitën pasuritë e mbetura më “duar të pastra”, në emër të një lufte absurde kundër komunizmit, nga ish-komunistë fanatikë dhe plangprishës, që duke djegur gjithçka, donin të mbulonin gjurmët e krimit dhe të vjedhjeve galopante, që do të ndërmerrnin më vonë, ditën për diell.   Pas kësaj, nisi ndërtimi i ologarkisë politiko-financiare të Oborrit Blu rreth Doktorit, u cili u bë simbol i babëzisë dhe i qeverijses për intersa private abuzive dhe korruptive të këtij Oborri.

Energjia diabolike e Kreministrit për të renditur një mori suksesesh virtuale, që në fakt janë dështime dhe manipulime, është një mënyrë e dalë boje për të fshehur plaget e shoqërisë shqiptare, në saj të qeverijses së tij mafioze, për interesa të klanit blu.  Tjetërsimi, përvetësimi me metoda nga më të stërholluarat dhe grabitja e pronës publike është kryemëkati i këtij kryeministri, që i fton shqiptarët ta votojnë për herë të tretë, që të çelnikosë dhe të bunkerizojë akoma më shumë klanin e tij oligarkik, për të vijuar grabitjen me “duar të pastëra”.

Shumëkush sot mund të radhisë pafund pyetje, se përse kemi shkuar ne shqiptarët deri në këtë pikë të ngrirë e të trishtë, ndërsa Berisha Kryeministër bën narcistin dhe me tone të larta, pa iu dridhur bebja e syrit, deklaron, se “jemi vendi më privat në botë”, kur në emër të privatizmit kanë rrjedhur miliarda në drejtim të paditur, sigurisht jo në xhepat e taksapaguesve shqiptarë!

Kjo mburrje e Kryeministrit është në fakt pika numër një e dobësisë së tij qeverisëse, pasi strategjia  e privatizimit të gjithçkaje është një faliment i shpallur i shtetit përballë grupeve të interesit privat, me të cilat janë lidhur bosat që mbajnë peng qeveritarët tanë.  Të shesësh pronën e shqiptarëve, që është gjaku dhe jeta e tyre, apo t‘a shkatërrosh e t’ua falësh farefisit dhe klaneve, atyre që të kanë në dorë për shkak të shërbimeve që të kanë ofruar apo ofertave joshëse, kjo nuk e ka emrin reformë, por Pazar në dobi të Oborrit Politik. Kjo nuk quhet më krizë, por është një këmbanë alarmi, që duhet të shkund vetëdijen e topitur të gjithkujt,  që nuk ka interesa të drejtpërdrejta me Oborrin.

Jemi vendi që kemi banesa për frymë ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në botë, ku me këtë kaos ndërtimesh, me të cilat mburret Kryeministri, nuk mund të shkojmë askund, përveçse të gënjejmë vetveten në mbretërinë e ftohtë të betonarmesë, që na ndot të gjithëve dhe na mashtron me shkëlqimin e rremë.                                                                                                                                    Janë shembur malet dhe janë betonizuar fushat, është rrudhur toka e bukës dhe është zgjeruar rrjeti informal i ndërtimve pa kriter, është nxjerrë në treg dhe në ankand ekonomia kombëtare dhe e gjithë kjo katrahurë quhet reformë dhe trumbetohet si arritje qeveritare!

Berisha mburret por nuk thotë se sipas statistikave të OBSH dhe disa organizatave të tjera  botërore të ushqimit dhe mirëqenies, vendi i tij është vendi me dietën më të keqe ushqimore në të gjitha vendet e “botës së tretë”, ai nuk thotë shumë gjëra të tjera të trishta, sepse nuk i intereson dhe nuk ka kurajo t’í deklarojë.

Shefi i qeverisë na fton të festojmë, të bëjmë paradë mode e mitingje solidariteti me qeverinë, kur ne jemi në kushte mbijetese të sforcuar, kur shumica e shqiptarëve mezi shtyjnë ditët, sidomos shtresat më të zbukuara të shoqërisë, si pensionistët, ish ushtarakët, invalidët etj.

I kudondodhuri mediatik zoti Berisha, që nuk përton të prononcohet në të gjitha televizionet e vendit, herë babaxhan e i përkorë, herë acarues e ironik, sidomos kur përpiqet që dështimet dhe paudhësitë e tij dhe të të tijëve, të na i shesë për suksese e arritje, që bota duhet t’i marrë për modele, në rrugën e zhvillimit dhe progresit të gjithëanshëm, këmbëngul që ne të gjithë, të majtë e të djtahtë, të jemi të vetëdijshëm për ecurinë e reformave të tij dhe të jemi mirënjohës që kemi në krye një qeveri si ajo e tij. Ndërsa një popull i tërë, i mbetur në udhëkryq, rropatet në tunelin e krizës të gjejë një fjollë drite për të dalë nga tuneli, Kryeministri rreket të na bind se nuk jemi në tunel, por në stratosferë, në një fluturim kozmik, plot befasime dhe hijeshi.

Në lidhje me këto aspekte duhet të thonë fjalën e tyre ekonomistët dhe sociologët, jo ata me frak partiak, por të pavaruarit e vërtetë, që iu dhimset vendi i tyre dhe duan që ai të dalë nga kthetrat e të keqes. Duhet të flasin ata që kanë se çfarë të thonë, me qëllim që të mos ndodhë si në romanin e Bejlit “Ku ishe ti Adam”, por intelektualët dhe eilta kombëtare të kryejnë detyrën e tyre historike ndaj fateve të atdheut dhe kombit.

Mbi të gjitha për këto çështje dhe dilema të mëdha duhet të flasë e majta politike shqiptare, koalicioni i majtë rreth Partisë Socialiste dhe liderit Rama, duhet të flasë ajo që pritet të marrë pushtetin në këtë rrotacion politik dhe që me resurset platformore dhe elitat intelektuale që ka, me ligj dhe drejtësi për të gjithë, do ta presë nyjen gordiane të krizës. Do ta zhbëjë grabitjen dhe tjetërsimin e pronës publike. Do t’ua marrë oligarkëve pronat gjigande, të vëna pa djersë, pa konkurencë të ndershme, pa respektim të rregullave të startit të lirisë, pronat e marra me vendime partie ose me metoda guerile, dhe do t’i rikthejë në prona publike.  Do t’iu kthejë njerëzve besimin te politika, duke i bërë të mendojnë se politika nuk është arti i grabitjes dhe manipulimit të së vërtetave, në lidhje me pronën apo me gjithçka tjetër, qoftë materiale qoftë mentale, por një mekanizëm shërbimesh në dobi të qytetarit të lirë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *