Ngjyrat që na pëlqejnë në versionin metalik

redaktor

Në këtë dhjetor festash, dilema e shumë grave dhe vajzave është se çfarë do të veshin natën e Krishtlindjeve, Vitit të Ri, por edhe në organizimet me miqtë e tyre. Kërkuam një person që të jepte disa këshilla për lexuesit dhe papritur e gjetëm veten brenda një… “Fabrike kukullash”. Aty takuam Anjeza Tufinën, një “tironse” puro që, prej disa vitesh jeton në Milano. Nga ajo nuk morëm vetëm këshilla se si të vishemi në këtë periudhë, por mësuam më shumë për historinë e saj duke rrëfyer për Dita-n pasionin për të bukurën.

Një vajzë që ka tërheqje ndaj modës, të shkojë në Milano, nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente. Por Anjeza i ka hyrë thellë këtij pasioni, aq sa sot gjendet brenda industrisë së modës italiane dhe për më tepër është pronarja e një blogu që po ashtu ka të bëjë me modën. “Fabrika e kukullave”, quhet qoshja virtuale ku Anjeza hedh të gjitha të rejat më të fundit dhe stileve në veshje. Nuk quhet rastësisht kështu, pasi në pallatin ku ajo banon deri në vitet ‘80 janë prodhuar kukullat Barbi. Sot, ajo është e ftuara e jonë për të ndarë me ne disa sekrete se si të vishemi për festat e fundvitit.

Anjeza, jemi në prag festash dhe një vëmendje të veçantë në këtë periudhë e marrin veshjet. E ndani edhe ju këtë mendim. Sa e rëndësishme është veshja në festa?

Një herë e një kohë ishin ekskluzivisht festat e fundvitit për të cilat gjetja e veshjeve merrte 1 muaj përgatitje. Tashmë kemi gjithmonë shumë e më shumë evenimente ku vishemi dhe mund të themi se ja kemi marrë pak dorën të gjithë. Por gjithsesi mbetet akoma e rëndësishme veshja në të cilën na gjen viti i ri. Ndoshta nga që më 31 dhjetor lemë mënjanë problemet, dhe streset e vitit që kaluam dhe duam që data 1 Janar të jetë me të vërtetë një fillim i ri, dëshirojmë që Viti i Ri të na gjejë të qeshur, plot energji dhe me një veshje fantastike.

Jemi përpara Krishtlindjeve dhe natës së ndërrimit të viteve, si duhet të orientohemi për sa i përket veshjeve?

Për Krishtlindje kemi dreka dhe darka familjare ku kryesorja në veshje është thjeshtësia dhe eleganca. Me thjeshtësi nuk dua të them kurrsesi një palë xhinse dhe T-shirt, por një fustan njëngjyrësh ku mund të shtojmë aksesorë minimalë si një varëse me perla, ose një palë vathë me kristale Swarovski që u japin dritë fytyrës. Në pritje të Vitit të Ri varet shumë nga planet e mbrëmjes. Kush ka planifikuar një mega-party në diskotekë nuk duhet të harrojë që është një mbrëmje ku mund të veshim edhe diçka ekstreme si një fustan plot me paillettes që na bën të shkëlqejmë si një pemë e dekoruar. Për ata që do marrin pjesë në një cocteil-party, trendi i këtij viti është stili i fustaneve të viteve ‘50 që vijnë me një fund poshtë gjurit në formë kambane. Për kë ka vendosur të shkojë me pushime jashtë dhe do të pres 12 kambanat në një nga sheshet e Parisit, Londrës, Romës ose Madridit e rëndësishme është një pallto që bie në sy për formën dhe ngjyrën.

Anjeza Tufina
Anjeza Tufina

Çfarë është në trend (modë) këtë fundvit?

Veshjet e fundvitit nuk ndjekin trendet e sezonit. Janë disa materiale dhe ngjyra që janë konsideruar gjithmonë të përshtatshme për festat e Vitit te Ri. Vlen akoma rregulli që duhet të kemi diçka të kuqe, që mund të jetë një pallto nëse duam të biem në sy, ose mund të jetë diçka më e fshehur si lingerie. Të gjithë këshillat e stilit rrotullohen rreth ngjyrave metalike si floriri dhe e argjendta, por tashmë kemi mundësi të gjejmë të gjitha ngjyrat që na pëlqejnë në version metalik. Personalisht pëlqej jeshilen sepse më jep idenë e festave të fund vitit duke qenë të rrethuar nga pisha qe dekorojnë rrugët, dyqanet dhe shtëpitë.

A ka ndonjë gjë në të cilën nuk duhet të gabojmë?

Gabimi më i shpeshtë është në make-up. Nëse jemi veshur me materiale metalike, ose me paillettes, dhe gjithçka që shkëlqen duhet të bëjmë kujdes të mos shtojmë akoma më shumë dramacitet edhe në tualet. Duhet të përqendrojmë vëmendjen në një pjesë, ose një veshje minimaliste si për shembull një “jumpsuit” të zi me një tualet artistik, ose një veshje plot xixa dhe thjeshtë një vizë peneli për sytë dhe pak rimel për qerpikët.

Pa lënë mënjanë meshkujt, na sugjeroni diçka edhe për ta?

Meshkujt duhet të vishen në lartësinë e shoqërueseve të tyre. Dhe këtu varet nga planet e mbrëmjes, por e rëndësishme është të kenë në mendje që një këmishë e bardhë shkon për çdo rast si e veshur me një kostum si me një palë xhinse të errëta. Jo T-shirt, xhinse të grisura, dhe jo xhupave. Për kë akoma nuk ka në dollap një pallto treçerekeshe të zezë duhet ta mendojë si investim për të qenë i veshur menjëherë mirë pa asnjë sforco tjetër.

***

 

Intervista/ Kush është Anjeza dhe të rejat që sjellë brenda blogut të saj një vajzë nga familja Tufina

Një “tironse” në fabrikën e kukullave në Itali

Anjeza Tufina, ka studiuar Menaxhim Biznesi në Itali. Në fillim nuk ia kishte marrë mendja që këto dy pasione do i zhvillonte në të njëjtën kohë, por ja që ëndrrat dalin, kur ke vullnet dhe këmbëngul për atë që do. Kjo vajzë është njëra prej tyre që sot shëtit në korridoret e modës në Itali. Nga brenda fabrikës së kukullave të Anjezës ju sjellim këtë intervistë.

omega-constellation-watch-maison-albino-dress-prada-shoes-gucci-bag-thedollsfactory_-1050x700Anjeza, na trego diçka për veten

Jetoj në Milano ku jam transferuar fillimisht për të studiuar për Menaxhim Biznesi në universitetin Bocconi. Tani punoj si konsulente biznesi në industrinë e modës.

Vazhdoj të punoj në projekte të ndryshme me blogun, por edhe jashtë tij. Për ata që më ndjekin, e dinë që kam udhëtuar shumë në këto muaj nga Festivali i Kanës e ftuar nga DIOR deri në Shanghai për një mbrëmje me George Clooney, dhe së fundmi kam qenë e ftuar në javën e modës në Stamboll, një eksperiencë komplet ndryshe. Në Milano kanë filluar festat e fundvitit me 1 Dhjetor, kështu që çdo ditë është një veshje e re për një party. Jam në pritje që të mbarojë programi i festave që më në fund të shkoj në mal për 2 javë ku do pres Vitin e Ri duke bërë ski dhe duke pirë vin brulé.

Ç’është ky pasion për modën, kur iu ka lindur?

Të jetosh në Milano është e pamundur të mos zhvillosh një pasion për modën. Moda është nëpër vitrina, festa, evenimente, por edhe muze…

Po si jeni futur në këtë botë dhe cilat kanë qenë hapat tuaj të parë?

Hapat e parë kanë qenë nga ana profesionale edhe pse unë specifikisht merrem me anën ekonomike dhe strategjike të biznesit që qëndron pas industrisë së modës. Ana kreative gjendet vetëm në blogun tim “The Dolls Factory” nga i cili më janë hapur akoma më shumë dyer.

Cilin konsideroni ju si suksesin tuaj më të madhe deri më tani dhe pse?

Në jetë akoma jam duke punuar për të arritur një target që i kam vendosur vetes që është ai i të pasurit një firme time konsulence. Çdo sukses tjetër më duket thjesht një hap më shumë drejt asaj që unë quaj suksesi i vërtetë. Ndërsa me blogun, çdo projekt që ndërmarr është një sukses më i madh se ai i mëparshmi. Më i fundit është zhvillimi i fushatës reklamuese online të firmës amerikane GAP me 3 looks të krijuara nga unë.

Pikërisht, ajo që na bëri përshtypje dhe që më pas u lidhëm me ju ishte ky blog, na tregoni pak çfarë mund të gjejmë aty?

The Dolls Factory” është një ditar stili, bukurie dhe udhëtimesh të cilin e kam hapur prej gati 3 vjetësh. Në 2 vitet e fundit është kthyer në një punë të dytë sepse falë tij më është dhënë mundësia të bashkëpunoj me shumë firma mode dhe bukurie për të krijuar projekte të ndryshme komunikimi në ueb.

Sa kohë iu ha blogu në të përditshmen tuaj, përpos angazhimeve të tjera?

Blogu është kthyer në një punë të dytë sepse gjithmonë e më shumë kërkon kohë. Unë i dedikoj tërë kohën jashtë impenjimeve të punës, gjë që do të thotë që shpesh gjendem deri në mesnatë duke përgatitur artikujt për ditën e nesërme në blog. Por jo gjithçka është punë, blogu sjell dhe ftesa për në shumë evenimente si mbrëmje gala në Vjenë, ekspozita në Paris, fashion shows në Berlin, etj.

Si u bëtë ju pjesë e kësaj industrie?

Pas një eksperience 2-vjeçare në botën e financës, shumë rastësisht bëra një aplikim në një firmë konsulence amerikane në industrinë e modës të cilët kërkonin një person me përvojë ekonomike. Dhe prej 4 vitesh tashmë merrem me konsulencë menaxheriale për firmat të cilat prodhojnë “Made in Italy” për produktet e luksit. Në fjalë të pakta unë zhvilloj dhe ndjek zbatimin e planit të biznesit për firmat e luksit, gjithmonë nga ana ekonomike dhe jo nga ana kreative.

Çfarë mendoni të bëni në të ardhmen?

Me blogun do të vazhdoj gjithmonë edhe sikur të ndryshoj industrinë ku punoj, ose shtetin ku jetoj. Është një ditar personal dhe nuk ka kufij. Për më shumë ndoshta një ditë do të bëj një mini koleksion timin, por është një plan afatgjate sepse duke punuar me designer të rinj e di shumë mire se çfarë impenjimi i madh është sipërmarrja e një aktiviteti të tillë.

parosh-dress-giancarlo-petriglia-bag-reiss-shoes-thedollsfactoryCila është familja juaj, mbiemri Tufina na kujton Kullën e Sahatit në Tiranë. Keni ju lidhje me të?

(qesh) Është e vërtetë. Mbiemri Tufina lë pak dyshime për prejardhjen time. Unë jam e lindur dhe rritur në Tiranë në një familje “tironse” të famshëm për zanatin e sahatçinjve. Në fakt familja Tufina është e njohur për vendosjen e kullës së sahatit në qendër të Tiranës. Ndërsa babai im është piktor dhe ai më ka transmetuar dashurinë për të bukurën.

Ju keni ndonjë tërheqje me orët, çfarë ore mbani në dorë?

Unë përdor shumë pak aksesorë në përditshmërinë time, por orëve u jap një rëndësi të veçantë për shkak të background-it familjar. Më pëlqejnë më shumë orët në stil mashkullor, për të mos thënë që kam blerë edhe orë meshkujsh. Por ora që përdor më tepër sepse përshtatet shumë me stilin tim që konsiston në veshje fustanesh në shumicën e kohës është “Omega Ladymatic”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *