Ambasadorët amerikanë zënë një vend të veçantë në hierarkinë e diplomatëve të rëndësishëm në Tiranë, dhe kjo nuk është sekret. Që kur sekretari i Shtetit Xhejms Bejker mbushi siç nuk është mbushur asnjëherë deri më sot sheshin Skënderbej, me vizitën e tij në vitin 1991, u bë e qartë se vokacioni i shqiptarëve për SHBA-në ishte rikthyer edhe “zyrtarisht” më në fund; gati-gati si për t’u kthyer kusur 45 viteve të anatemave ndaj amerikanit të fundit që la Tiranën me nxitim, Harri Fullcit.
Por po kaq shpejt sa iu rikthyen dashurisë ndaj Amerikës, shumica e shqiptarëve u ftohën me përfaqësuesit e saj këtu. Duhet sqaruar se nocioni dhe marrëdhënia e parë mbeti, ndërsa ndjesitë e të këtushmëve ndaj personave konkretë që përfaqësonin vendin e madh, të fuqishëm, të zhvilluar, demokratik… me një fjalë të gjitha ato që nuk i kishim, pësuan shumë luhatje. E para “prishje zemre” ndodhi me ambasadorin Rajerson, që aq sa inkurajuese na dukej mbështetja e tij e hapur ndaj Sali Berishës president në fillim, aq alergjikë na bëri me suportin e pakushtëzuar, pavarësisht gafave e instalimit të autoritarizmit që tashmë dukej qartë. Një suport që shkonte deri në pjesëmarrje ashiqare nëpër fushatat elektorale të PD-së.
Gjasat janë që nga ky rast i parë i sjelljeve të një ambasadori të SHBA-së në Tiranë, shqiptarët nxorrën një mësim: Ta shohin me vërejtje dhe skepticizëm performancën e tij konkrete, duke ruajtur ndërkaq vazhdimisht vokacionin ndaj SHBA-së si shtet mik dhe si demokraci; padyshim, edhe si destinacion emigrimi i kërkuar për shumë prej nesh. Ndaj dhe ndryshe nga çdo ambasador tjetër, përbënin dhe vazhdojnë të përbëjnë lajm se kë takoi, çfarë i tha, si duhet lexuar mes rreshtash mesazhi, ç’qëndrim mbajti ambasadori i SHBA-së ndaj krerëve tanë të politikës. Nuk mund të bënte dallim në këtë listë të ngushtë emrash që erdhën anonimë dhe ikën si personazhe të dorës së parë, edhe Aleksandër Arvizu, i cili zëvendësoi Xhon Uidhërsin, një “star” i aktualitetit politik po ashtu.
Zoti Arvizu, në krahasim me paraardhësit ka një specifikë që e bën edhe më të veçantë: Largimi i tij është lajmëruar dhe vendosur që vitin e kaluar, kur ai nisi të jepte intervistat e fundit, përshtypjet e këshillat finale para se të merrte valixhet. Për një trill të zakonshëm të përplasjeve të brendshme politike në Uashington, pasardhësi i tij Donald Lu nuk po merrte miratimin në Senat dhe Arvizu mbeti. Mesa duket, për ta çuar deri në fund trajektoren e marrëdhënieve të tij me politikën shqiptare. Tashmë është e sigurtë që kandidatura e zotit Lu është miratuar, ndaj dhe fjalët, takimet, porositë, mallëngjimet e paraardhësit të tij mund të jemi të sigurtë se ishin vërtet të fundit.
Meqenëse gjithçka në politikën shqiptare është relative, dhe absolute është vetëm prania e Sali Berishës në të, mund të thuhet se raporti i ambasadorëve amerikanë me të është një konstante që të gjithë këta diplomatë do ta mbajnë mend edhe kur të shkruajnë memuare. Dhe ka një emërues të përbashkët Aleksandër Arvizu me parardhësit e tij në rrugën e Elbasanit: Edhe ai iku si armik i Berishës. Fakti është që, nga viti 1996 e deri në 2014-ës Berisha nuk është përshëndetur me asnjë ambasador amerikan që ka mbaruar misionin e vet në Tiranë. Ai i ka shpallur armiq ata dhe bashkëpunëtorë të kundërshtarit politik, qoftë ky Nano, Meta apo Rama. Por para se të vijmë këtu, itinerari është i gjatë.
Aleksandër Arvizu erdhi në Tiranë në dhjetor 2010. Sapo kishte takuar paraardhësin Uidhers (që po largohej i neveritur nga kryeministri Berisha), dhe ishte “përditësuar” për zhvillimet politike. Por vetëm tre javë pasi hyri viti i ri 2011, ndodhi vrasja e katër protestuesve paqësorë përballë kryeministrisë, dhe Arvizu i hodhi kovën e parë të madhe me ujë të ftohtë opinionit publik shqiptar: Një javë më pas, ai përgëzoi privatisht dhe publikisht kryeministrin, për vendimin zemërgjerë që ky mori për anullimin e një tubimi të PD-së, i cili do ishte përgjigje ndaj protestës së opozitës, që u mbyt në gjak. Dhe për Arvizunë, rezultoi se me këtë gjest Berisha u tregua “burrë shteti”. Përgjatë dy muajve në vazhdim, ambasadori do justifikonte vrasjet, duke thënë se edhe në Amerikë vriten protestuesit e dhunshëm kur vënë dorë mbi forcat e rendit, e plot broçkulla të thënë në të nxehtë. Ndoshta i nxehur edhe për faktin se kreu i opozitës Rama, nuk ja dëgjoi fjalën dhe i mbajti manifestimet e planifikuara për homazhet e viktimave, pastaj edhe një tubim i heshtur javën në vazhdim, të premte për të premte. Nuk harroi Arvizu edhe të deklaronte se prokuroria duhet të punojë pa ndërhyrje politike, se do ofronte ndihmën e FBI-së për hetimet e vrasjeve etj.
Ndërkaq, nuk shihte asgjë tjetër. Nuk shihte sesi pengohej puna hetimore e prokurorisë orë e cast; se policia i hidhte romuze kryeprokurores Ina Rama, ndërsa Berisha bëri puçiste atë, kreun e opozitës, presidentin e Republikës, një grup gazetarësh etj. Dhe nuk i etiketoi thjesht me fjalë në zemërim e sipër, por bëri gati dhe hetimet parlamentare. Ndërkaq, nuk dorëzonte serverin e kamerave të sigurisë së kryeministrisë, fshihte armët dhe gëzhojat, shpërbleu grupin e sulmit të Gardës etj. Këto nuk i pa, por Arvizu pa diçka tjetër që e shqetësoi pa masë: Një artikull kritik i Ilir Yzeirit në “Shekulli”, nuk i pëlqeu sepse sjelljet e ambasadorit, autori i quante ‘kinezërira’. Ose dikush në ambasadë ja përktheu keq, ose vetë Yzeiri luajti “me dy porta” më këtë term që nëpërmendte tiparet aziatike të ambasadorit, pak rëndësi ka. Fakti është që ambasada e shpalli “Shekullin” gazetë të bojkotuar, pothuajse non grata; përshtypja e përgjithshme ishte se më tepër se epitet tendencioz, e gjitha kjo ishte një keqkuptim i nervoz.
Incidenti u shua me kalimin e ditëve dhe javëve, por ndërkaq një sfidë tjetër afrohej në horizont. Zgjedhjet lokale që do të kishin në epiqendër garën e Tiranës, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Më i rëndësishmi i tre mosketierëve të diplomacisë së huaj në Tiranë, bashkë me ambasadorin e BE-së Sekui dhe të OSBE-së Volfarth, Arvizu deklaroi se treshja do përvishte mëngët që rezultati tejet i ngushtë i Tiranës, ku Rama ishte fitues me dhjetë vota, të lexohej saktë deri në fund. Të gjithë e mbajnë mend sekuencën e palestrës së shkollës “Vasil Shanto”, shndërruar në qendër numërimi, kur Arvizu e ushtroi fjalë për fjalë premtimin: Përveshi mëngët. Kuptohet, zgjodhi variantin më të lehtë. Do kishte qenë më e udhës që përveshja e mëngëve të ishte metaforë, dhe vërtet numërimi e rinumërimi që bëri KQZ-ja nën drejtimin e Arben Ristanit, të mos katandisej në një maskaradë ditën për diell, e në një vjedhje të hapur mandati. Sigurisht, ambasadori më pas nuk ngurroi të urojë fituesin Basha, të cilin e quajti “yll në ngjitje”. Kushedi ç’neuroza do ta kenë kapur Xhon Uidhersin ato ditë atje në SHBA. Kushedi sa vetëve iu është kujtuar Rajersoni (ai i pari, jo ai që më pas e kuptoi ç’gabim kishte bërë).
Pasi kaloi frika e apokalipsit të 2012-ës, për ambasadorin po afrohej një sfidë tjetër. Mbaronte në verën e 2012-ës mandati presidencial i Bamir Topit, dhe ishin ndezur ethet e emrit të ri në krye të shtetit. Shumë emra u luajtën në tregun e negociatave parapolitike, por Arvizu nuk zhgënjeu pritshmëritë e kujtdo që priste thagmën e rradhës prej tij, kur mbështeti kandidaturën e Fatos Nanos për president. Por nuk është vetëm kjo. Artikulonte hapur pëlqime e mospëlqime kandidatësh; fjala vjen hodhi poshtë Jozefina Topallin. Por ndërkohë po projektohej bindshëm emri i gjykatësit Xhezair Zaganjori drejt presidencës. Dhe ditën e fundit ndodhi çudia: Bie Zaganjori, del emri i analistit apologjet të PD-së Artan Hoxha, që vishet me kostumin e duhur për rastin por e kthejnë nga rruga, dhe votohet Bujar Nishani. Në lojë ishin zgjedhjet e parakohshme nëse ekuacioni komplikohej, dhe thuhet se Berisha kërcënoi haptaz deputetët e vet me këtë variant.
A është ky momenti që Aleksandër Arvizu e kupton që ja kanë punuar, dhe ftohet me kryeministrin burrështetas? Ndoshta. Më saktë, po. Ai mungoi në sallën e Kuvendit, ku dërgoi sekretaren e vet politike. Iu deshën gati dy vjet për ta njohur Berishën, dhe në jo pak raste e kuptoi se ndikimi i tij si ambasador dhe përçues i politikës zyrtare të departamentit të Shtetit mund të anashkalohej kollaj, përmes lobimit direkt të kryeministrit në paradhomat e pushtetit në Uashington.
Në vijim Arvizu pa sesi ndërrohej shpejt e shpejt, shefi i SHISH-it, si flakej e lihej pa punë prokurorja e përgjithshme, si u bashkuan sërish ish aleatët e majtë dhe si doli rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Si për kompensuar “burrin e shtetit” dhe “yllin në ngjitje”, ai i cilësoi ato zgjedhje të krahasueshme për impaktin në shoqëri, me marsin 1992.
Pjesa tjetër e mandatit të Aleksandër Arvizusë është një histori reagimi për të “ndrequr ç’mund të ndreqet”. Dha intervista të fundit para një viti, po jep edhe tani, kësaj here për fare. ‘Dhurata’ e tij ishte zgjatja e afatit të vizës për qytetarët shqiptarë. Ky vit extra, ishte një “qershi mbi tortë”, që i dha kohë të njihte më shumë dhe me nge vendin dhe njerëzit, thënë ndryshe të “shqiptarizohej” ca, aq sa ndonjë mik hipotetik shqiptar mund t’i drejtohej edhe shkurt në emër, Sandri; i dha gjithashtu mundësi atij të darkonte edhe me njerëz të artit e të muzikës, fjala vjen një këngëtare, paçka se i mbeti merak që nuk takoi dot një aktore. Kreu një vizitë personale në Spaç dhe bëri disa sugjerime për forcat politike, duke marrë për përgjigje një koment të zemëruar të Berishës në facebook.
Sidoqoftë, në analizë të fundit, zoti ambasador po ikën si një zyrtar i zakonshëm i një ambasade të jashtëzakonshme të Tiranës. I cili nuk mundi dot t’i njohë dhe t’i zotërojë rrethanat, por u diktua prej tyre.

Gjithe te mirat z. Arvizu. Jam i sigurt qe shume gjera do te deshiroje te shkonin ndryshe. Le te shpresojme se tashme cdo ambasador amerikan do i lexoje me vemendje shenimet e paraardhesit sepse eshte e trishtueshme te behen gabime ndaj kauzave dhe personave te caktuar dhe pastaj te mesohet nga gabimet. Klika e tranzicionit duhet izoluar dhe jo promovuar me cilesime si burre shteti!!! Lajm i mire dhe ai i vizave por me i mire do te ishte liberalizimi i tyre ndaj shqiptareve dhe akoma me mire nese do permendje emra te shquar te biznesit amerikan te gatshem te investojne ne Shqiperi. Zgjidhja nuk eshte ikja dhe sindroma e saj por berja e vendit dhe hapje e metejshme ndaj aleatit shekullor amerikan. Paci fat dhe mbaresi
Ne cilin shtet ka qene ambasador ky Arviziu?
Ambasador i drejt-perdrejt ishte Winters. Ai mbajti qendrim te drejte dhe burreror ne Shqiperi
kurse Arvizu qe nji ambasador i lekundur dhe jo kompetent ose i korruptuar.
Ky ambasador vitin e fundit mbajti nji qendrim te drejte e parimor.VITIN E PARE PERKRAHU
SALI BERISHEN DHE E FYU POPULLIN TONE.
Z.Arvizu ishte ne Shqiperi per te percuar politiken zyrtare te SHBA-se dhe fakti qe ai qendroi ne detyre me teper se afati ligjor tregon se Ai e ka kryer me se miri detyren ndaj Shtetit te tij.
Mendoj se ne fjalen e tij ai shprehu qarte ate se cka duhet te bejme ne si qytetare ndaj politikaneve tane, JO PUSHTET ABSOLUT pasi kthehen ne TIRANE.
Falminderit z.ARVIZU, Juve dhe shtetit tuaj per ate cka keni bere per ne.