Deputetja Jorida Tabaku me një deklaratë nga selia e PD e konsideroi shpërblimin e dhënë nga qeveria për festat e fundvitit si një kothere e ndarë sipas preferencave të tij dhe interesave elektorale.
“Në përpjekje për të larë, sadopak gjynahet e një viti në keqqeverisje, mazhoranca po përtyp cinizmin e radhës duke shpërndarë atë që deri dje e ironizonte. Kryeministri Rama ka vendosur t’i japë vetëm një kategorie të caktuar nënpunësish dhe qytetarësh një shumë parash si për të krijuar përshtypjen se është një qeveri sociale. Duhet t’i rikujtojmë mazhorancës së sotme se nga 2005 deri në 2012, në shpërblim janë përfshirë të gjitha kategoritë sociale në nevojë. Ndërkohë që qeveria e rilindur dhe sociale pasi mori një vit pushim u caktoi vetëm 18 miliardë lekë shpërblime vetëm një kategorie të caktuar. Ndërkohë që vetëm shpërblimi i fundit i fundvitit ai i vitit 2012 ka qenë në vlerën 32 miliardë lekë.
Siç edhe na lajmëroi Kryeministri nga foltorja e Parlamentit, filozofia e shpërblimit të këtij viti ka qenë e bazuar në preferencat e tij. Kjo filozofi shpërblimi e ka shndërruar në lëmoshë shpërblimin e djeshëm të pensionistëve dhe në kothere shpërblimin nga fondi i veçantë për administratën”, tha Tabaku.
