Specializimet në mjekësi, kalojnë provën e parë 734 kandidatë, nesër nis testimi final

redaktor

Vetëm kandidatët që kanë kaluar me sukses provën e intervistës me gojë kanë të drejtë të hyjnë në testimin final për të siguruar një të drejtë studimi në programet e specializimit tek mjekësia. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka detajuar gjatë pasdites së djeshme listën zyrtare të 734 kandidatëve që kanë të drejtë të japin provimin e informatizuar, sipas orarit të përcaktuar tashmë për secilin prej tyre. Mëngjesi i ditës së nesërme (ora 9:00) shënon edhe çeljen zyrtare të provimeve për të 35 specialitetet mjekësore. Kandidatët do testohen sipas një grafiku të përcaktuar për shtatë ditë me radhë. Për të mësuar orarin, si dhe datën e testimit kandidatët duhet të kontrollojnë online listën e shpallur në faqen zyrtare të AKP-së. Provimet do të zhvillohen me dy turne, ku sipas kalendarit të përcaktuar do të testohen 105 kandidatë në çdo datë të parashikuar. Konkretisht, testimet do të zhvillohen në mëngjes (orën 9.00), si dhe turni i dytë nis në orën 14:00 të datave nga 22-24 dhjetor, si dhe do të vijojnë më pas në datat 26-30 dhjetor. Testi do të jetë tërësisht i informatizuar dhe do të ketë në përmbajtje 100 pyetje me alternativa. Vlerësimi i kandidatit do të bëhet me sistem pikësh, maksimumi 1000 pikë të konvertuara. Rreth 20 për qind e pikëve, ose e thënë ndryshe 200 pikë i përkasin notës mesatare të rrumbullakosur me dy shifra pas presjes dhjetore. Rreth 70 për qind e pikëve (700 pikë) të rrumbullakosura me dy shifra pas presjes dhjetore janë përcaktuar për testimin me shkrim që secili kandidat do të zhvillojë në profilin e tij, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Ndërsa 100 pikët e mbetura i përkasin intervistës me gojë. Kandidatët që do të shpallen fitues nga pikët e mbledhura në të tria fazat e testimit do të paraqiten më pas për të nënshkruar kontratën e punësimit. Pas përfundimit të kualifikimit, personi është i detyruar të punojë në strukturat e shërbimit mjekësor të spitalit ku është shpallur fitues, në shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, për një periudhë të paktën 3 vjeçare, në pozicione pune jashtë Tiranës, dhe 5 vjeçare, për mjekët që do të punojnë në pozicione pune brenda Tiranës, në Institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe sipas nevojave institucionale të Ministrisë së Drejtësisë. Thyerja e këtyre rregullave shoqërohet me penalitete përkatëse.

Testimi final

Provimet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë në fushën e mjekësisë do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Në rregullore sqarohet se kandidati duhet të paraqitet në ambientet e agjencisë 30 minuta para fillimit të provimit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: “letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e specializimit (dokumenti origjinal), kopje të Kartë ID ose pasaportës, në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: “Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi vlerësohen si kriter skualifikimi, ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit, si dhe ndalohet komunikimi gjatë testimit. Thyerja e këtyre rregullave shoqërohet me përjashtim të kandidatit nga testimi, e për rrjedhojë edhe përjashtim nga gara për të fituar studimet e specializimit afatgjatë në profilin e kërkuar mjekësor”.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *