“Një larje hesapesh për shuma të mëdha në trafikun e drogës”.
Ky është motivi që sipas policisë fshihet pas ekzekutimit me breshëri automatiku të Edmond Batrit dhe Admir Alisë, të njohur si “të fortët” e Shkodrës mesditën e së shtunës 20 dhjetor, raporton Ora News.
Përmes një deklarate për shtyp policia e Shkodrës njofton se Admir Alija e Edmond Batrit, rezulton se kanë respektivisht nga 6 plagë të shkaktuara me armë zjarri, ku ndër të tjera ka plagë me dëmtime masive në pjesën e kokës, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ndërsa Amarildo Pirani, 20 vjeç i cili mbeti i plagosur në këtë atentat ka plagë të parrezikshme për jetën.
“Nga informacionet në rrugë operative dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh për shuma të medha në trafikimin e drogave. Po punohet per zbulimin e autorit-vet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka nisur procedimi penal pa autor, per veprat penale te “Vrasje rrethana cilesuese” dhe “Mbajtjes pa leje te armeve e municioneve luftarake” për vrasjen e ndodhur një ditë më parë pranë vendit te quajtur Dudas, Lagjia “Ahmet Haxhija” Shkodër.
