Kompania kineze nuk është bërë e gjallë, edhe pse Ministri ynë i Ekonomisë deklaroi se do të konsiderohej oferta e dytë. Ngelet “Bankers Petroleum”që me naftën shqiptare i ka të lidhura mirë interesat. Por oferta e kësaj kompanie është sa një e pesta e vlerës reale në treg të Albpetrolit. Do ta katandisë qeveria jonë Albpetrolin me shitje nën vlerë, në vetëm 105 milionë euro, në praktikisht kokoshin një thelë?
Lajmi i tërheqjes nga gara të fondit të investimeve që kishte ofruar 850 milionë euro (me të drejtë agjencia e lajmeve “Reuters”e konsideronte këtë shumë një të dhjetën e prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë) për blerjen e gjigantit tonë të naftës Albpetrol është sa tronditës, aq edhe domethënës për cilësinë tmerrësisht të ulët të tenderave publikë shqiptare.
Vendimi për caktimin e fituesit të garës tek një fond investimesh (pra një strukturë që në rastin më të mirë e ka riskun e sipërmarrjes të paktën 60 përqind dhe bazohet në humorin e mirë apo të keq të atyre që hedhin para në një thes të përbashkët), dhe jo tek një investues strategjik me emër, kapital të garantuar dhe eksperiencë në kërkimin dhe nxjerrjen e naftës, është thjesht aventuresk. Një vendim i bazuar vetëm në deklarimin e një shifre marramendëse të ofruar dhe në asgjë tjetër. Dhe kjo ndodhi në një kohë kur ndërmarrja jonë shtetërore e nxjerrjes së naftës është pasuria më e madhe publike e vendit. Vlera e saj tregtare llogaritet në aktualisht të paktën gjysëm miliardë euro.
Kinezët
Kompania (një kompani kineze) e renditur e dyta në garë dhe që kishte ofruar diçka më shumë se gjysmën e kësaj vlere (297 milionë euro), nuk është bërë e gjallë, edhe pse ministri ynë i Ekonomisë deklaroi se do të konsiderohej oferta e dytë. Ngelet “Bankers Petroleum”që me naftën shqiptare i ka të lidhura mirë interesat. Por oferta e kësaj kompanie është sa një e pesta e vlerës reale në treg të Albpetrolit. Do ta katandisë qeveria jonë Albpetrolin me shitje nën vlerë, në vetëm 105 milionë euro, në praktikisht kokoshin një thelë? Po ta bëjë, humbasim menjëherë 400 milionë euro. Tani, me procesin e privatizimit të ngecur për gjigantin tonë të naftës, menaxhimi publik i Albpetrol është në nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit. Humbjet, abuzimet në prag fushate zgjedhore do të shtohen si kërpudhat pas shiut, me një ndërmarrje të cilës nuk i dihet fati, as i afërt, as i largët. Po ndodh një “déjà vu (situatë tashmë e parë)”, si me INSIG. Në 4 vjet, kompania shtetërore e sigurimeve, që nuk u privatizua “me sukses”për dy herë rradhazi, humbi 60 përqind të tregut dhe një shifër biznesi prej të paktën 30 milionë euro. Po Albpetrol sa po humbet? Të jemi të sigurtë se humbjet do të jenë me shumëfisha ato të INSIG.
Po përgjegjësi??
Po kush do të jetë përgjegjës për këtë menaxhim skandaloz të pronës më të vyer publike të Shqipërisë? Asgjë nuk është bërë në dritën e diellit. Qytetarët e këtij vendi asnjëherë nuk kanë parë apo lexuar (madje as edhe ekspertët) një program strategjik kombëtar për ruajtjen, shfrytëzimin dhe zhvillimin e rezervave të naftës në vendin tonë. Apo një program privatizimi me variante dhe skenarë rezervë për shitjen e Albpetrolit.
Sot askush në qeveri nuk mund të japë një përgjigje të saktë nëse Albpetrol do të privatizohet realisht, kur dhe sa të ardhura do të marrë Buxheti i Shtetit. Kjo dëshmon një papërgjegjësi ekstreme publike. Kompania nga ana tjetër ka edhe një problem të madh social. Ka me mijëra punonjës. Punësimi në Albpetrol është mbajtur si një formë mbështetjeje financiare për familjet në zonat përkatëse, ku aktiviteti i naftës përfaqëson një ndër mundësitë e pakta për të jetuar. Në thelb punësimi në këtë kompani ka përbërë një formë subvencioni për popullsinë e zonave naftëmbajtëse. Kush do t’i mbajë këta njerëz kur të ndodhë privatizimi?
Punonjësit?
Qeveria thotë se formula e privatizimit përfshin edhe kompensimin e punonjësve, por ende nuk ka asgjë të qartë, pse mungon ofruesi serioz dhe fituesi i mirëfilltë i tenderit për Albpetrolin. Ngelet që qeveria të organizojë mirë dhe profesionalisht një tendër të dytë, sa më ndërkombëtar dhe me njoftime e informacione të plota për kompaninë, që fluturojnë larg e gjejnë investuesit e duhur. Por duket se qeveria sot e ka mendjen vetëm tek zgjedhjet dhe tek pagesat e kompanive të huaja që i sigurojnë lobingje jashtë. Dhe do ta lerë Albpetrolin në këtë agoni të rëndë. Kjo kompani për çdo ditë që qëndron ende shtetërore vetëm humbet vlera në treg, duke u shkaktuar humbje të ndjeshme interesave publike shqiptare. Po shndërrohet në një makth, duke u shpërfytyruar e denigruar përditë.