Në skajin më verior të Shqipërisë, rrëzë malit të Shkëlzenit në rrethin e Tropojës, familja Demaj mbush të tretin vit në ngujim. Historia e gjakut për ta nis në Kosovë.
Djali i familjes Demaj qëllon për vdekje dy persona, nga tre që i kishin zënë pritë në 16 maj të vitit 2012.
“Në gjakmarrje kemi hyrë në 16 maj 2012. Të ngujuar jemi, jemi dy pleq, burrin e kam 80 vjeç, vetë jam 62 vjeçe. I çoj fëmijët në shkollë dhe nuk e di a më vijnë a s’më vijnë. U thosha nuseve mos ua vishini fëmijëve rrobat e kuqe se e ke malin lart dhe na i vret dikush në oborr”, rrëfen me lot në sy për Ora News, Nurija, nëna e djalit e cili ka vrarë dy persona. Kërkesa e saj është në formë lutjeje: Shteti t’i shpëtojë familjen nga frika e vdekjes.
Pasi fëmijët e Nuries, emigruan në Belgjikë, refuzimi për të qëndruar ishte i menjëhershëm me pretendimin se familja në të cilën kishin hyrë në hasmëri ishte e një shtetësie tjetër, asaj kosovare dhe për ta nuk sillte ndonjë rrezik.
Ndërkohë, distanca që i ndan këto dy familje është vetëm 10 minuta. “Kërkoj nga shteti që të më shpëtojë familjen. Gjaksin me makinë e kam 10 minuta larg, edhe më këmbë bën gjysmë ore. Shteti belg ka thënë se Kosova është një shtet tjetër”, u shpreh Nurija. Në këtë familje, në kullën e të cilës janë të ngujuar 11 persona, të ardhurat e vetme janë pensionet, që pjesa më e madhe e tyre shkojnë për medikamente.
