E nderuar gazeta “Dita”, po ju dërgoj këtë letër i bindur se nuk është vetëm shqetësimi im. Në 5 raste që kam vajtur në hipotekën e Tiranës më kanë lënë përshtypje mjaft të keqe nëpunësit e këtij institucioni që paguhen nga taksapaguesit, por që i sorrollasin jo me ditë por me muaj të tërë. Shkurt: Në familjen e bashkëshortes sime, në këto 3-4 vitet e fundit, për fat të keq, kanë ndërruar jetë 2 prindërit e 2 vëllezërit e saj. Në Tiranë është vetëm bashkëshortja ime, e cila kërkoi nga hipoteka që shtëpia e nënës së saj e ndarë nga jeta, të kalojë në emër të saj – ku sigurisht do të jenë edhe të tjerë pjesëtarë që jetojnë jashtë shtetit. Më datën 15.10.2014 çova në hipotekë dokumentet e nevojshme dhe zonja që m’i mori ato në dorëzim nuk më bëri asnjë vërejtje. Pas kësaj, më vjen një shkresë me firmën e z. F.Isufaj ku kërkoheshin edhe 4 dokumente të tjerë. Bëmë gjithçka dhe në datën 4.11.2014 i plotësuam këto dokumente, por fatkeqësisht përgjigja na erdhi vetëm në datën 20.12.2014, me firmën e z.Isufaj. Në përgjigje nuk na dërgohet dokumenti i hipotekës në ngarkim të bashkëshortes sime, por është në lënë në emër të nënës së saj, e cila siç përmenda më sipër nuk jeton më. Kjo me pretekstin se ka mbivendosje. Ne nuk kërkuam më tepër se 49, 74 m2 të blerë nga shteti shqiptar dhe të hipotekuar me numër 42 dt. 28.07.1962. Pyetja jonë shtrohet: Ai që kërkon për mbivendosje do të merret me një të vdekur apo me një të gjallë?
Për këtë problem, kërkova të takoj z. Isufaj, më dt. 22.12.2014, ku e prita në orën 10.00 paradite që erdhi në punë dhe sa zbriti nga automjeti i tij luksoz, ju luta të më priste për problemin. Përgjigja e tij ishte: “Unë lëshoj disa qindra firma në ditë dhe nuk pres njeri”. Dhe nuk më priti. Kërkoj të konsultohem me juristin e institucionit, por e pamundur. Atëherë kërkova të takoj drejtoreshën e sapoemëruar dhe roja më thotë se drejtoresha ende nuk ka caktuar orare pritjeje. Së fundi, më priti një zonjë ku pashë edhe njerëz të tjerë. Me edukatë e mirësjellje më çoi në sportel ku dolën dy zonja me dokumentet e mia të dorëzuara në këtë institucion. Kur ato hapën dokumentet, për çudinë time, mungonte vendimi i Gjykatës së Tiranës i shkallës së parë, që kishte pushuar çështjen në adresë të nënës së bashkëshortes sime (gjithnjë që ajo nuk jeton), me motivacion se paditësi nuk u paraqit dhe çështja ishte pushuar. Përsëri, nuk m’u lëshua certifikata e pronësisë së bashkëshortes sime! Shqetësimi im është se këta të ashtuquajtur nëpunës janë të mbartur nga ish-qeveria Berisha apo janë të porsaemëruar, sepse në përfytyrimin tim këta nuk janë gjë tjetër veçse njerëz të papërgjegjshëm, që paguhen nga taksat e popullit, por që nuk i shërbejnë popullit.
Letër e nënshkruar,
Avdyl Iljazi
