Me fillimin e vitit të ri, një sërë ligjesh të reja të miratuara këtë vit pritet që të hyjnë në fuqi. Janë disa ligje tepër të rëndësishme të cilat pritet që të marrin fuqi ligjore. Reforma e pensioneve, reforma në paketën fiskale, në policinë e shtetit, tokën bujqësore, ndarjen e re territoriale etj., janë disa prej projektligjeve më të rëndësishme që priten të kenë një impakt të madh tek qytetarët.
2015, viti i zbatimit të reformës në pensione
Në 1 janar 2015 në Shqipëri do të nisë zbatimi i skemës së re të pensioneve. Ajo do të funksionojë sipas parimit sa më shumë kontribuon, aq më të lartë do ta kesh pensionin. Skema parashikon kështu të heqë kufirin e pensionit maksimal. Nuk do të ketë më pension të pjesshëm. Aq sa vite kontribuohet në skemë, aq do të jetë edhe masa e pensionit që do të marrë aplikuesi. Në ndryshimet e parashikuara në nenin 32 të këtij projektligji, saktësohet se do të bëhet e mundur edhe heqja e tavaneve të cilat kufizonin marrjen e një pensioni më të lartë se dyfishi i pensionit minimal dhe më të madh se 75 për qind e pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës.
Ligji i ri njehson pagën minimale kontributive me pagën minimale në shkallë vendi dhe përcakton rregullat strikte për indeksimin e pagave kontributive. Bazuar në ndryshimet e parashikuara në nenin 59 të ligjit aktual, si dhe referuar nenit 31 të këtij projektligji, për efekt të llogaritjes fillestare të pensioneve duke filluar nga data 1 janar 2015 e në vazhdim do të bëhet edhe ripërcaktimi i koeficienteve të indeksimit të bazës së vlerësueshme, përcaktimi i një page referuese për vjetërsinë e punës në ish- kooperativat bujqësore, eliminimi i dyshemeve administrative që krijonin shkëputje në llogaritjen e pensioneve fshat-qytet.
Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë do vijojë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Ndërkohë që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056. Shkaqet sepse është vendosur kjo skemë për rritjen e moshës kanë të bëjnë me faktin se është rritur ndjeshëm koha e gëzimit të pensionit si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë. Aktualisht, në Shqipëri koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se meshkujt si dhe dalja në pension pleqërie më herët se meshkujt.
Ngritja e byrosë së hetimit dhe struktura e re e Policisë së Shtetit
Ngritja e Byrosë së hetimit është edhe një nga risitë e ligjit të ri për policinë që do të marrë fuqi në mars, ç’ka pritet që t’i japë një impuls të ri luftës ndaj krimit të organizuar. Për herë të parë Shqipëria do të ketë një strukturë të specializuar që do të hetojnë dhe luftojë fenomenin e korrupsionit dhe veprimtarisë kriminale që lidhet me këtë, Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një institucion i veçantë që si strukturë do të jetë brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Kjo strukturë do të ketë si objektiv të saj veprimtarinë gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të. Byroja e Hetimit do t’i ushtrojë kompetencat në gjithë territorin e vendit dhe do të hetojë kryesisht zyrtarët e lartë të Shqipërisë.
Gjithashtu, nga 1 marsi, e gjithë Policia e Shtetit do të duhet që të përshtatet me strukturën e re që parashikon ligji i ri. Grada “Inspektor” u jepet punonjësve të policisë nga Drejtori i Policisë së Shtetit kur përfundon arsimin policor. Grada “Nënkomisar” deri “Drejtues i parë” jepet nga Drejtori i Policisë së Shtetit për punonjësit, të cilët e fitojnë nëpërmjet procesit të konkurrimit. Grada “Drejtues i lartë” jepet nga Ministri. Grada “Drejtues madhor” jepet me vendim të Këshillit të Ministrave. Punonjësit të policisë që i jepet grada “Drejtues i lartë” në momentin e lirimit nga detyra ndërpresin marrëdhëniet juridike e financiare me strukturat e policisë dhe trajtohen sipas kritereve të këtij ligji.
Punonjësi i policisë do të ruajë të njëjtën gradë që ka edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse funksionit, në të cilin është emëruar, i është caktuar një gradë më e ulët, në zbatim të nenit 61, të këtij ligji, punonjësi i policisë do të mbajë këtë gradë më të lartë dhe do të trajtohet financiarisht, sipas kësaj grade, për një periudhë deri në 1 vit. Gjatë periudhës 1vjeçare, funksioni i lirë që i korrespondon gradës që mban punonjësi nuk shpallet funksion i lirë për konkurrim dhe në këtë funksion emërohet punonjësi që ka gradë më të lartë se funksioni për shkak të zbatimit të këtij ligji.
Në përfundim të periudhës 1vjeçare, nëse punonjësi i policisë nuk është i emëruar në funksion në përputhje me gradën që mban, ai merr gradën korresponduese të funksionit. Nëse punonjësi nuk pranon të mbajë gradën korresponduese të funksionit, ai lirohet nga policia. Punonjësve të policisë që kanë gradën “Nëninspektor” dhe “Kryeinspektor”, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do t’u
jepet grada policore “Inspektor”. Afati i qëndrimit në gradë për punonjësit me gradë “Kryeinspektor”, për efekt konkurrimi për fitimin e gradës “Nënkomisar”, fillon nga momenti që punonjësi ka marrë gradën “Kryeinspektor”. Punonjësit që është në periudhë prove, pavarësisht nga marrja e gradës “Inspektor”, periudha e provës 2vjeçare i fillon nga momenti që ka përfunduar arsimin policor.
Punonjësi i policisë, që ka ndërprerë marrëdhëniet e punës për t’u punësuar në strukturat operacionale me gradë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe është në marrëdhënie pune në këto struktura në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ka të drejtë të rikthehet në polici me të njëjtën gradë brenda një periudhe 3vjeçare nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Deri më 31 dhjetor 2015, tapi edhe për ata që kanë tokë, por s’kanë letra
Viti 2015 do të jetë dhe afati i fundit që shqiptarët do të kenë mundësi të verifikojnë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore dhe përfundimit të kalimit në pronësi përfituesve të tokave të ndërmarrjeve bujqësore. Ky afat vlen për të dyja projektligjet “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore’ dhe ‘Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve’”. Dhënia e tokës bujqësore në pronësi realizohet dhe vërtetohet vetëm me dokumentin bazë unik, që është “akti i marrjes së tokës në pronësi”. Nga informacionet e drejtorive të administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë këshillave të qarqeve, si dhe nga ankesat e qytetarëve, ka rezultuar se komisionet e ndarjes së tokës në fshat, në shumë raste, nuk kanë plotësuar dokumentacionin e fitimit të pronësisë (AMTP). Për të plotësuar këtë mangësi, në vitin 2012, u përmirësua ligji i vitit 2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Ligji ngarkon kryetarët e komunave / bashkive, që kur komisioni i ndarjes së tokës nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas ligjit nr. 7501 dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën. Nga ana tjetër, ligji përcakton se “afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij”. Por qeveria “Berisha” e ka nxjerrë vendimin për procedurat në mars të vitit 2013 dhe ka hyrë në fuqi në prill 2013. Në këto kushte, qeveria propozon që afati i fundit i plotësimit të AMTP-ve të jetë data 31 dhjetor 2015. Pra, kjo shtyrje bëhet nisur nga koha e shkurtër në dispozicion për realizimin e procedurave.
Risitë e paketës fiskale që hyn në fuqi në 1 janar
Nga ndryshimet në paketën e re fiskale, arka e shtetit pritet që të sigurojë rreth 160 milionë dollarë më shumë. Në paketën e re fiskale parashikohet ulja ose zerimi i 15 taksave, ndërkohë
që çmimi i naftës do të rritet me dhjetë lekë, tatimi mbi të ardhurat personale do të rritet nga 1015 % si dhe rritet me 20 lekë akciza e duhanit. Një taksë tjetër që preket është ajo e qarkullimit, që rrit me 10 lekë taksën mbi karburantet. Po ashtu, për vitin 2015 të ardhura të konsiderueshme në arkën e shtetit do të sigurojë edhe rritja me 20 lekë e akcizës së cigareve. Nga ana tjetër, në paketën e re fiskale janë parashikuar edhe disa lehtësi fiskale.
Një ndër lehtësitë fiskale që parashikohet është ajo për uljen e tarifës doganore për naftën bruto prej 10 % në 0 %, bërja 0 % e tarifës doganore për miellin e grurit, që aktualisht është 10 %, bërja 0 % e tarifës doganore për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, bërja 0 % e tarifës doganore për materialin biologjik, që aktualisht është 10 % si dhe bërja 10 % e tarifës për gomat e reja pneumatike, që aktualisht është 15 %.
Po ashtu, masa të tjera lehtësuese ndaj sektorëve përkatëse janë edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale i kontributeve të punonjësve në fondin e pensionit vullnetar dhe rritja e përqindjes së rentës minerare.
Ligji i ri për TVSH-në hyn në fuqi me 1 janar 2015
Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar i hartuar nga Administrata Tatimore hyn në fuqi më 1 janar 2015. Ky ligj synon të krijojë një sistem taksimi që ndryshon imazhin e administratës tatimore për t’i shërbyer çdo tatimpaguesi të vogël apo të madh, vendas apo të huaj, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë. Ligji ndryshon mënyrën e të tatuarit të administratës me anë të një ligji gjithëpërfshirës, që paraqet qëndrueshmëri e siguri për biznesin, si dhe mënyrën e bashkëveprimit ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës. Rregullat e vendosura synojnë të sigurojnë:
-Eliminimin e taksimit të dyfishtë të TVSH-së për transaksionet midis bizneseve në Shqipëri dhe atyre të vendosura në çdonjërin vend anëtar të BE-së (parimi i destinacionit);
-Shmangien e paqartësisë lidhur me furnizimin e pasurisë së patrupëzuar, duke e përkufizuar atë si një furnizim shërbimi;
-Trajtimin jashtë objektit të aplikimit të TVSH-së të mallrave të dhuruara deri në një vlerë tavan, përfshirë dhe kur ato dhurohen për qëllime të nxitjes së biznesit, ndryshe nga sa trajtohet aktualisht, ku çdo mall i dhuruar, pavarësisht vlerës së tij, tatohet me TVSH.
-Reduktimin e kostove të biznesit për fushatat e publicitetit dhe promocionit, duke mos kufizuar të drejtën për të zbritur TVSH e paguar në blerje nga biznesi për artikujt promocionale dhe publicitare.
Zgjedhjet me hartën e re territoriale
Zgjedhjet vendore të 21 qershorit, priten që të zhvillohen me hartën e re territoriale.
Këtë vit që po lëmë pas, mazhoranca miratoi dhe ndarjen e re territoriale, e cila pritet që të reflektojë ndryshime edhe në rezultatet zgjedhore. Ndarja e re territoriale do të jetë me 61 njësi vendore.
Shtohen 14 njësi vendore në krahasim me variantin paraprak të miratuar nga Komisioni Parlamentar i Reformës Administrativo-Territoriale, përkatësisht qarkut të Shkodrës i shtohet bashkia e Fushë-Arrëzit, qarkut të Dibrës i shtohet bashkia e Klosit, qarkut të Tiranës i shtohet bashkia e Vorës dhe ajo e Rrogozhinës, qarkut të Elbasanit i shtohet bashkia Belsh dhe Prrenjasi, qarkut të Beratit i shtohet bashkia e Urës Vajgurore dhe Poliçani. Po kështu qarkut të Vlorës i shtohet bashkia e Selenicës dhe Konispolit, qarkut të Gjirokastrës i shtohet bashkia Libohovë, Memaliaj dhe Këlcyrë, si dhe qarkut të Fierit i shtohet bashkia e Roskovecit.
