Edhe pse po bëhet java nga tragjedia me tragetin Norman Atlantic, ka një mospërputhje të të dhënave midis autoriteteve greke dhe atyre italiane rreth të zhdukurve.
Autoritetet greke thonë se janë 18 të humbur, ndërsa prokurori i Barit në një deklaratë gjatë së mërkurës tha se bëhet fjalë për 98 pasagjerë, fati i të cilëve nuk dihet. Sipas grekëve, lista e pasagjerëve që posedojnë autoritet italiane është e “fryrë”, pasi emrat janë kopjuar disa herë.
Numri i pasagjerëve i deklaruar nga Prokuroria italiane që kanë qenë në bordin e tragetit, është 499, një shifër kjo që ndryshon nga lista zyrtare e të regjistruarve në Norman Atlantik, sipas të cilës bëhej fjalë për 478 persona. Kryeprokurori italian Giusepe Volpe doli në këtë shifër pasi mes të mbijetuarve të kësaj tragjedie, rezultuan edhe 3 klandestinë sirianë dhe 18 persona të tjerë të cilët kishin hipur në traget në momentet e fundit, që e çuan në 499 numrin.
