Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto ka udhëtuar mbrëmjen e sotme në zonën e Qafë Thanës.
Në këtë inspektim Haxhinasto, shoqërohej nga Drejtori i Pergjithshem i Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika. Haxhinasto deklaroi se Qafë Thana është e hapur, por nevojitet hedhje kripe dhe skorje në pjesë të ndryshme të aksit rrugor.
“Është një nga përgjegjësitë tona që situata në rrjetin rrugor të jetë ajo e duhura dhe të evitojmë çdo potencial dhe rrisk për aksidente. Aktualisht aksi është i hapur, është hapur që mbrëmë. Por puna duhet të vazhdojë më tej për proçese të nevojshme teknologjike siç është hedhja e kripës apo skorjeve me qëllim që edhe disa zona të caktuara të rrugës ku ka përsëri mbetje bore apo akulli të shkrijnë dhe rruga të kthehet në parametrat normalë të saj”, tha ai për Ora News.
Ministri tha se së shpejti do kemi një sistem të ri të mirëmbajtjes së rrugëve, por dhe kërkesa specifike për sa i përket firmave që marrin pjesë për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Duke filluar që vitin e ardhshëm ne do fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm me BB që parashikon mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të rrugëve , është një shifër rreth 120 milionë për 5 vitet e ardhshme. Sa i takon ligjit ne përpunojmë një standard të veçantë për të gjithë ato kompani që angazhohen në mirëmbajtjen e rrugëve. Duhet të kenë cilësi , eksperiencë të vecantë me qëllim që shërbimet që ato ofrojnë të jenë të cilësisë së duhur dhe të kenë pajsjet e duhura teknologjike, veçanërisht për situatën e dimrit ku kemi mot si ky i ditëve të fundit”, tha ai.
