Gazetari që zgjodhi Beogradin për të zhvilluar karrierën

Dita

Ka qenë viti 2006, pavarësia e Kosovës ende dukej e largët, shqiptarët për të mos thënë aspak, rrallë shkonin në Serbi, kurse gazetarët e kishin gati të pamundur që të raportonin nga atje, pas parasysh që nuk kishin as dokumente, e mbi të gjitha kishin frikë.

Idro Seferi, gazetar në atë kohë vetëm 22 vjeçar, merr rrugën drejt Beogradit, fillimisht vetëm për disa raportime, por nuk vonon shumë, dhe ai vendos që të lë gjithçka në Kosovë, për të vazhduar karrierën e gazetarit në Serbi.

Tetë vjet pune në Serbi, nuk i përshkruan të lehta, nga fillimi kur e kalon kufirin për në Serbi, e më pas në Beograd kur ballafaqohet me protestat e dhunshme të serbëve, për shkak shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me protestat për arrestimet e të akuzuarve në Hagë, me paragjykimet si shqiptarë nga Kosova…

“I kam menaxhuar mirë këto situata, edhe pse ka tensione dhe për shumë njerëz mbetesh gjithmonë shqiptari që punon për shqiptarët dhe për këtë nuk ka dilema”, shprehet Seferi për ‘Zërin’.

Rruga për në Beograd

Në fund të vitit 2006, atëherë si gazetar i të përditshmes ‘Zëri’ në Prishtinë, Idro Seferi, udhëton për në Serbi për të përcjell një gjykim për krimet e luftës në Gjykatën Speciale në Beograd, një nga gjykimet e para ku të akuzuarit ishin serb dhe viktimat shqiptarë, përshkruan rrugën e tij të parë drejt Beogradit, Idro Seferi.

“Bashkë me familjarët e viktimave, shkuam nga Prishtina dhe në kufi në prisnin njësitet e policisë dhe deri në Beograd udhëtuam nën shoqërinë e tyre. Na vendosën në një hotel që dukej sikur në periferi të Beogradit dhe sikur nuk mund të shkoje askund në këmbë. Zakonisht policia ishte me ne dhe dilnim pak”, kujton Seferi.

Përveç gjykimit, Seferi fillon dhe shkruan edhe për tema të tjera, dhe aty siq thotë ai: “e pash që mund të kishte shumë për çka të shkruhej”.

“Kur e pash që mund të shkruhej më shumë mendova: ne kishim konflikt me Serbinë, kemi kaluar një luftë dhe nuk kemi arritur të kuptojmë shumë aspekte të tjera të panjohura dhe doja ta dija më shumë se kush ishin serbët. E hodha idenë që të punoja në Beograd. Në fillim nuk e besoja as vet se çfarë po synoja”, shprehet Seferi.

Me pak para, fillon jetën në Beograd

Pas kthimit në Prishtinë, Seferi menjëherë fillon të kërkojë lidhje për të shkuar në Beograd, pasi që në atë kohë me dokumentet e UNMIK-ut ishte pothuajse e pamundur të bëhej një gjë e tillë.

“Kur e vendosa dhe lash gjithcka në Kosovë, kam provuar tre herë të kaloj kufirin. Të tretën herë e kalova dhe u nisa”, tregon Seferi, i cili arrin në Beograd, përmes Kragujevcit, ku merr letërnjoftimin e ish-Jugosllavisë (të cilin Serbia vazhdonte ta jepte për shqiptarët).

Fillimi për të ishte i frikshëm, nuk kishte shumë para me vete, dhe ditët e para kërkon nga miku i tij Sven Peters, një gjuhtar belg dhe shkrimtar që në atë kohë punonte në Fakultetin e Filologjisë në Beograd, që të qëndronte tek ai për një kohë.

Si fillim e kishte vetëm një punë, për gazetën Ekspress e cila nuk i zgjati shumë.

Me Top Channel, (për të cilin punon akoma sot) ishte i lidhur që në Kosovë përmes kolegëve të Topit, por udhëheqësit e saj atë kohë, nuk e besonin se Seferi vërtet do të jetonte në Serbi.

Ndihma që morri nga ndërkombëtarët

Millani, taksisti serb i lindur në Mitrovicë, të cilin e takoi përmes mikut të tij Sven Peters, e ndihmoj Seferin që të gjej një banesë, ku jetoj për një vit rresht.

Në konferencës e parë në Serbi të prokurorës Carla del Ponte, Seferi takon Thomas Roser, gazetarin gjerman, i cili e ndihmon atë për punët në teren.

‘Fillimisht për të huajt, për korrespodentët e huaj ishte interesante puna që bëja dhe punoja shumë edhe me ta, kurse për serbët, përvec gazetarëve, kishte ndrojtje apo kishin edhe jetën e tyre por nuk thelloheshim shumë”.

Por me kalimin e kohës, sot Idro Seferi ka arritur që në çdo konferencë, institucion… të njeh dhe ta njohin njerëzit.

“Pas shumë vitesh edhe paraqitjeve të shpeshta nëpër media njerëzit më konsiderojnë si beogradas”, shton ai.

Para pak kohësh, Seferi ka qenë i ftuar në emisionin e njohur ‘24 minuta’ të Zoran Kesiq.

Ishte pak ditë pas ndeshjes Shqipëri-Serbi, situatë akoma tensionuese dhe Seferi në emision lëshon droning e famshëm, që për qudi reagimet e serbëve ishin pozitive, prej të cilëve ai merr edhe dhurata.

Më rrezik të punosh në veri të Mitrovicës se në Beograd

Kërcënimin më serioz që Idro Seferi e ka përjetuar nga serbët, ka qenë kur ka raportuar në veri të Mitrovicës, në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.

Ishte momenti kur Seferi me televizionin Top Channel shkon tek ura e Ibrit kah pjesa e veriut, dhe bën lidhjet direkte në gjuhën shqipe, kur i afrohen grupe ultra radikale, të cilët e kërcënojnë rëndë dhe atë në praninë e karabinierëve Italian dhe policisë së Kosovës.

“Përveq disa rrethanave, kur bëhet fjalë për tubime nacionaliste në Beograd të cilat janë të ashpra, në raste të tjera nuk ka rrezik që të punosh në Serbi. Kurse në veri situata është më e pallogaritshme”, shton Seferi.

Si situatë të vështirë në Beograd, kujton kohën e protestave të dhunshme, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, pastaj kur janë bërë arrestimet e të akuzuarve të Hagës, e deri së fundmi në aeroport në pritje të kthimit të radikalit Vojisllav Sheshel.

Por, Idro Seferi, nuk i’u ka shpëtuar as paragjykimeve të shqiptarëve nga Kosova, të atillë që e kanë quajtur ‘kopili serb’, por ky grup njerëzish siq thotë ai janë pakicë, sepse shumica e vlerësojnë për të mirë.

I lumtur për rrugën që ka zgjedhur

“Besoj se ka qenë vendimi më i mirë që e kam marrë në jetën time. Kjo periudhë e jetës, më ka krijuar shumë mundësi dhe më ka hapur shumë dyer. Këtu kam takuar njerëz të ndryshme nga i tërë rajoni dhe në rajon. Njoh njerëz gjithandej dhe nuk ka vend në Ballkan ku nuk mund të punoj apo realizoj një gjë. Kam takuar shumë njerëz që kanë lënë gjurmë në jetën time, njerëz të thjesht, miq, kam ndjerë dashuri dhe kam tejkaluar vetëvetën”, shprehet Seferi.

Sot, pos që është korrespodent i rregullt për Top Channel, Seferi punon edhe për televizionin zviceran SRF, në ndërkohë merret edhe me projekte të tjera.

“Nëse do të kthehesha mbrapa, besoj se sërish do të nisesha për në Beograd dhe do të punoja shumë më fuqishëm se sa në fillim”, e përfundon rrëfimin e tij, gazetari Idro Seferi./Zëri

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *