Josa i kursyer: Ndërhyrjet në merkato, me pikatore

redaktor

Vit i ri, por ambiciet e Skënderbeut nuk ndryshojnë. 2015-ta ofron për kampionët misionin e mbrojtjes së kurorës dhe mundësinë për t’i çuar në 5 numrin e titujve radhazi, duke shkruar një faqe të artë në historinë e futbollit shqiptar. Objektiva të cilave ju dedikohet dhe dëshira e trajnerit Mirel Josa për vitin e ri në planin profesional. Është kohë merkatoje dhe Skënderbeu deri më tani ka afruar vetëm Liridon Latifin, teksa Josa nuk përjashton mundësinë e përforcimeve të tjera, por trajneri konfirmon se ndërhyrjet do të jenë të kufizuara, pasi eksperienca i thotë që më e rëndësishme është ruajtja e balancave brenda grupit.

“Periudha e afrimit të lojtarëve është e vështirë, pasi unë kam një grup që ka punuar mirë, ndaj dhe lëvizjet do të jenë me pikatore. Nuk ka shumë vend për lëvizje pasi më e rëndësishmja mendoj se është ruajtja e ekuilibrave brenda grupit”, thotë Josa. Objekti i dëshirave për Skënderbeun mbetet Sebino Plaku, me Josën që bën të ditur për “Sport News” edhe ndonjë rol tjetër ku mund të ketë përforcime.

“Mund të përforcohemi me një mesfushor krahu si dhe synojmë rikthimin e Plakut, por gjithçka varet nga kërkesat ekonomike të lojtarit dhe nga sa është i predispozuar të ofrojë klubi”, theksoi tekniku.

Josa bëri të ditur se Peter Olyianka mbetet një futbollist i ekipit korçar dhe do të jetë me skuadrën gjatë fazës përgatitore në Spanjë, pavarësisht zërave për oferta në drejtim të sulmuesit nga jashtë vendit, ndërkohë që evitoi një mesazh për rivalët e titullit duke preferuar t’i drejtohet skuadrës së tij.

Gjatë periudhës përgatitore në Marbella të Spanjës, Skënderbeu do të zhvillojë disa miqësore prestigjioze me skuadra si Club Brugge, Ado Den Haag dhe Oostende.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *