Tare: Berisha nuk do të largohet nga Lazio

redaktor

Etrit Berisha nuk lëviz nga Lazio. Portieri i Kombëtares shqiptare që u bashkua rreth një vit më parë me ekipin bardhekaltër, nuk po gjen hapësira në skemat e Stefano Piolit çka ka bërë që zërat për një eksperiencë të re të mos mungojnë.

Por nga “Formello” vjen konfirmimi se 25-vjeçari i lindur në Prishtinë do të qëndrojë në Romë për të vazhduar aventurën me Lazion, pavarësisht se Marchetti ka rifituar vendin e titullarit. Ishte Hellas Verona, skuadra që shfaqi dëshirën për të bashkuar në grupin e saj gardianin kuqezi, por drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare e theksoi qartë se Berisha mbetet nën urdhrat e Piolit.

Situatë aspak e qartë për Berishën, që disa ditë më parë u shpreh publikisht se situata aktuale nuk është komode për të. Portieri shqiptar u transferua te Lazio rreth një vit më parë nga skuadra e Kalmaarit. Ai numëron 21 ndeshje zyrtare me skuadrën bardhekaltër në të cilat ka pësuar 31 gola.

Ishte Edy Reja ai që e caktoi titullar në katërkëndëshin e portës laciale, por me ndryshimin e stolit ndryshuan edhe hierarkitë sepse Pioli i besoi sërish ish portierit të Kombëtares Italiane, Federico Marchetti.

Përpara transferimit te Lazio, Berisha u përfol edhe për një kontratë të mundshme me Chievo Veronan, por më pas gjithçka u sfumua. Mesa duket, qyteti i Romeos dhe Xhuljetës mbetet në axhendën e portierit prishtinas edhe për vitin 2015.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *