Këtë sezon prezencat e tij në Serinë A me fanellën e Palermos janë zero, megjithatë diçka e tillë nuk do të thotë se klubi sicilian nuk e vlerëson siç duhet portierin kosovar Samir Ujkani, pasi siç raportojnë mediat italiane drejtuesit e Palermos kanë bërë gati një kontratë të re për futbollistin 26-vjeçar.
Ujkani gjatë dy sezoneve të fundit ka luajtur shumë pak me Palermon duke qëndruar gjithmonë nën hijen e Stefano Sorrentinos, i cili që nga mbërritja e tij te sicilianët në 2013-n është shndërruar në portierin e parë skuadrës.
Sipas mediave italiane ish-portieri i kombëtares shqiptare do të jetë futbollisti i radhës që do të nënshkruajë një kontratë të re, edhe pse kohëzgjatja e marrëveshjes së re që pritet të firmosë Ujkani si dhe termat ekonomike të saj nuk bëhen të ditura.
Portieri kosovar është ende shumë i ri dhe drejtuesit e Palermos besojnë se ai është një lojtar me perspektivë për të ardhmen e skuadrës ishullore.
Gjatë këtij sezoni, Samir Ujkani regjistron vetëm 1 paraqitje me ekipin e drejtuar nga trajneri Giuseppe Iachini edhe atë në Kupën e Italisë në sfidën që skuadra nga Renzo Barbera e humbi me shifrat 3-0 përballë Modenës.
Ujkani është transferuar te Palermo në vitin 2007, gjatë kësaj periudhe ai ka luajtur në formë huazimi për tre sezone edhe te skuadra e Novarës për tu rikthyer sërish në radhët e formacionit sicilian.
