I dashur lexues! Mapo janë inicialet e Magazinave Popullore, dyqane të mëdha që kanë shumë reparte për lloje të ndryshme mallrash të konsumit; një variant i hershëm i qendrave të sotme tregtare. Në vendet e lindjes, ato ndaheshin sipas natyrës dhe llojit të mallrave që tregtonin, në mapo ushqimore (për të gjitha produktet ushqimore të konfeksionuara përveç fruta-perimeve), në mapo industriale, për të gjitha mallrat joushqimore përveç materialeve të ndërtimit, kimikateve apo karburanteve; dhe në mapo universale, një përzierje e të dyja llojeve. Mapot si një huazim sovjetik patën një përhapje të gjerë në Shqipërinë komuniste, sidomos në qendrat e qyteteve kryesore. Mapo-ja e parë është hapur në Tiranë, në 8 nëntor 1948.
