Siç mësohet nga të afërm pranë familjes së të ndjerës Paola Bishaj, 20-vjeçares së vrarë pak ditë më parë në Vlorë, së bashku me kushëririn e saj Parid Velaj, njoftimi i kobshëm nuk i është përcjellë së jëmës në formë tradicionale prej të afërmve, të cilët, siç e do puna në të tilla raste, përpiqen të gjejnë format e duhura të dhënies së kumtit tragjik për ta amortizuar sa mundet goditjen e parë… Por nga media, e cila, me kredon e doemosshme të lajmit të parë, e ka ofruar me një gratisllëk, deri dhe mizor vrasjen, emrat e viktimave e çdo detaj. Dhe, duke i qëndruar besnik misionit të informimit me çdo çmim, edhe në këtë rast nuk e ka llogaritur çmimin. Nga media mos prit që në tilla raste, lajmi titrik – ngaqë atij i takon të jetë i pari – të nis me parantezën ngushëlluese dhe thelbësisht humane: Bëju (i,e) fortë! Vdekja për ata që jetojnë është! Jo, pasi ajo nuk mendon, por punon fort e gjitha, për lajmin e parë! Një lajm, po nuk qe dhe pak njerëzor, sado tragjizëm të përmbajë, nuk vlen hiç të jetë i pari. Siç do thoshtë i urti në këtë rast: Më mirë i fundit e me nder, se i pari e me turp!
p.s. Slloganet e disa mediave elektronike lidhur me lajmin janë paradokse të gjalla. Një sosh, edhe pse nuk është televizion informativ, por gjeneralist, gjë që e privon të japë ai lajmin e parë, e mbron me forcë faktin se aty dhe vetëm tek ata, kalon lajmi i parë. Ndërsa tek një tjetër, nga mënyra e formulimit (‘Lajmi i pari’), del se ai është po aq i rëndësishëm e vendimtar sa dhe oksigjeni që na mban në jetë!
