Lufta italo-greke me sytë e Berlinit

redaktor

Plani dhe qëllimet e luftës 1939-1941: Një përmbledhje

Faqe 71E. Në luftën në Ballkan (Prill 1941), Hitleri kishte më pak qëllime territoriale, shumë më tepër kishte qëllim të siguronte interesat strategjike dhe ekonomike. Në asnjë mënyrë nuk donte të lejonte vendosjen e anglezëve në Greqi si dhe kërcenimin e fushave të naftës në Rumani të cilat ishin shumë të rëndësishme për luftën e tij. Po ashtu mendonte se në atë mënyrë ndihmonte Italinë të mbante pozitat e saj në Shqipëri.

Ditar Lufte

Faqe 42 – 21.08.1940. Deti Adriatik duhet të jetë i tëri nën pushtetin italian, sfera e ndikimit në Ballkan të zgjerohet. Për këtë mendohet të prishet Jugosllavia, të krijohet një Kroaci e pavarur por nën ndikimin e Italisë, të zmadhohet Shqipëria duke marre zonat e banuara nga shqiptaret në jug të Jugosllavisë dhe në Greqi si dhe bashkimi me Korfuzin dhe ndoshta me disa ishuj të tjerë në detin Jon.

Faqe 81 – 18.09.1940. Sipas njoftimeve të shtabit të përgjithshëm italian të trupave tokësore dhënë atasheut ushtarak në Romë, Divizionet 49 dhe 51 janë dërguar në Shqipëri; do dërgohet deri më 30.09.1940 edhe Divizioni 29.

Faqe 110 – 05.10.1940. Sipas një njoftimi të dates 24.09.1940 (171/40 Tepër Sekret) të atasheut ushtarak në Romë, ushtria italiane përbëhet tani nga 74 divizione, prej tyre ndodhen në atdhe 51, në Shqipëri 8, në Libi 14 dhe 1 në ishujt Dodekaneze.

Faqe 130 – 28.10.1940. Seksioni i jashtëm njofton se pasi në orën 03:00 i është dorëzuar qeverisë greke nga i dërguari italian në Athinë një notë, sot në orën 06:00 të mëngjezit trupat italiane janë futur nga Shqipëria në Greqi.

Faqe 138 – 30.10.1940. Veprimi politik i planifikuar për në fillim të Shtatorit nuk u ndërmor, por gjatë këtij muaji u përforcua korparmata XXVI italiane që ndodhet në Shqipëri me 3 Divizione. …. Më 27.10.1940 në orën 21:00, konti Ciano e njoftuar zyrtarisht personin përgjegjës gjerman, fisnikut Bismarck, se ditën që vijon në oren 03:00 do t’i dorëzohet qeverisë greke ultimatumi për të pushtimin e pikave strategjike dhe në orën 06:00 do të fillonte futja e trupave italiane nga Shqipëria në Greqinë veriore. Qëllimi i këtij operacioni është pushtimi i Korfuzit, futja nga Janina deri në gjirin e Patras për të pushtuar ishujt Levkas, Cefalonia dhe Zante si dhe marshimi për në Athinë dhe Selanik. Udhëheqja është në dorën e gjeneralit të korparmatës XXVI, Viskonti Prasca. Meqenëse 2 nga 9 divizionet që ndodhen në Shqipëri nevojiten për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë, mendohet se epërsia italiane të mos jetë aq e madhe dhe në rastin e një rezistence të madhe greke nuk duhet të llogaritet sukses i shpejtë. ….. Për shkak të kushteve jo të mira të motit, avionët italianë të stacionuar në Shqipëri nuk futen dot.

Faqe 157 – 07.11.1940. Nga forcat e aviacionit italian nisur nga Shqipëria, janë përdorur në Greqi 56 avionë luftarakë, 120 avionë gjuajtës dhe 17 avionë zbulimi.

Faqe 159 – 08.11.1940. Lajme të jashtme: lajm nga gjenerali von Rintelen, sipas të cilit po dërgohen përforcime në Shqipëri (4 divizione italiane).

Faqe 162 – 09.11.1940. Për shkak të kushteve të vështira të transportit në Shqipëri, do të kalojë shumë kohë derisa të arrijnë përforcimet në front. …. Nuk mund të llogaritet më një sukses i shpejtë i italianëve. Ata po përpiqen të ndreqin atë që nuk patën përgatitur më parë.

Faqe 163 – 09.11.1940. Përparësia e pushtimit të Greqisë veriore ka përballë disa anë negative. Nëpërmjet futjes në luftë të një vendi tjetër u zgjerua lufta dhe u përhap në Ballkan, gjë që Gjermania është përpjekur ta shmangë deri më sot. Ushtria italiane është kështu e lidhur në një drejtim më shumë. Anglezët kanë kështu një aleat më shumë dhe një pikë mbështetje tokësore, gjë që përforcon gjendjen e tyre në pjesën lindore të detit Mesdhe. Mundësitë e veprimit të tyre kundër ushtrive italiane në Libi dhe Shqipëri janë rritur.

Faqe 172 – 13.11.1940. Atasheu ushtarak në Romë dërgon të dhëna që ia ka dhënë shefi i kabinetit në ministrinë e mbrojtjes italiane, Kolonel Sorice, në lidhje me gjendjen në Shqipëri.

Faqe 182 – 19.11.1940. Gjendja në Shqipëri: E ndërlikuar.

Faqe 183 – 20.11.1940. Sipas një telegrami të datës 18.11.1940 të Atasheut ushtarak në Romë, shtabi i përgjithshëm italian e gjykon situatën në zonën shqiptaro-greke, pas tërheqjeve në disa pjesë të frontit dhe dërgimit të përforcimeve, si të qëndrueshme. Situata, megjithatë është rënduar sepse batalioni shqiptar kaloi në anën e grekëve. …. Gjenerali Marras ishte dje në Kancelarinë gjermane dhe kërkoi 3000 kamionë për t’i çuar në Shqipëri nga Jugosllavia në shkëmbim të 3000 kamionëve italianë.

Faqe 188 – 25.11.1940. Bisedimet me italianët në lidhje me kamionët për në Shqipëri arritën një farë përfundimi.

Faqe 201_202 – 05.12.1940. Sipas raportit nr. 429 datë 03.12.1940, ushtria italiane e stacionuar në Shqipëri e drejtuar nga gjenerali Soddu është pjesë e Armatës XXI (gjenerali Geloso në Tepelenë më rreth 9 Divizione), e Armatës IX (gjenerali Vercellino në Elbasan me 6 Divizione) dhe forca tokësore rezervë (1 Divizion i motorizuar, 2 regjimente kalorsie). Si përforcime të mëtejshme janë 2 Divizione të gatshme në Italinë jugore (Shih Shtesën tek Raporti i Organizimit i Komandës së Forcave Tokësore për Lindjen dhe Perëndimin). Situata duket e qëndrueshme me tërheqjen e plotë të divizioneve italiane në linjën e re të mbrojtjes, e cila shtrihet nga lumi [me] Kallama deri në RaveniKoshovicëPërmet – në perëndim të kufirit shqiptaro-grek. Në Shqipëri ruajnë rregullin dhe qetësinë trupa policore italiane të fuqishme.

Faqe 204 – 05.12.1940. Hitleri e vlerëson situatën si më poshtë: Gjendja në Shqipëri nuk është e qartë. Nëse italianët do të prapsen dhe më shumë, atëhere egziston mundësia e humbjes së gjithë Shqipërisë. Jugosllavia me sa duket do të shtyjë vendimet e saja derisa të sqarohet gjendja në Shqipëri. Faktori më i rëndësishëm në Ballkan është Rusia që po shton ndikimin në Bullgari pasi është bllokuar e tëra Rumania. Nga kjo rrjedh se çdo dobësi kudo në Europë do çojë në përparimin e rusëve.

Faqe 205 – 05.12.1940. Tërheqja e Jugosllavisë nga ana e fuqive të boshtit është e dëshirueshme dhe e mundëshme edhe në rastin që fronti italian në Shqipëri të mos përparojë. …. Hitleri nuk shikon mundësi për të dërguar trupa në Shqipëri.

Faqe 209 – 05.12.1940. Gjendje e rëndë e trupave italiane në Shqipëri dhe sulme të egra greke.

Faqe 213 – 06.12.1940. Hitleri është i brengosur për gjendjen në Shqipëri.

Faqe 218 – 07.12.1940. Gjenerali Badoglio jep dorëheqjen me sa duket për shkak të humbjeve në Shqipëri.

Faqe 219 – 08.12.1940. Ambasadori italian në Berlin është paraqitur më 07.12.1940 tek Hitleri dhe e ka përshkruar situatën në Shqipëri me ngjyrat më të errëta.

Faqe 225 – 11.12.1940. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron së gjenerali Cavallero që sapo është kthyer nga Shqipëria lajmëron më 09.12.1940 se kriza në Shqipëri ende nuk është kaluar, por shpresohet që situata të përmirësohet.

Faqe 226 – 11.12.1940. Në të dy bisedat paraqitet gjendja në Shqipëri jo aq dramatike sa deri më sot.

Faqe 230 – 14.12.1940. Sulme të mëtejshme greke në Shqipëri.

Faqe 232 – 16.12.1940. Më tej është menduar për një grup të dytë transportues me e dërguar në Itali për qëllime të transportit të trupave dhe furnizimeve drejt Shqipërisë. ….. Sulm i fortë i grekëve kundër krahut të majtë të Armatës IX italiane.

Faqe 237 – 18.12.1940. Për shkak të gjendjes së qëndrueshme të trupave italiane në Shqipëri, nuk do jetë më e nevojshme të dergohet një trupë e dytë transporti “Ju52” në Itali.

Faqe 241 – 20.12.2014. Gjendja në Shqipëri para tre javësh ishte aq dramatike sa duhej të llogaritej baraz me një disfatë të rëndë. Tani fronti është i qëndrushëm, shpresohet që të mbahet. …. Në Shqipëri tufane dëbore.

Faqe 243_244 – 28.12.1940. Atasheu ushtarak italian në Berlin thotë se megjithëse grekët sulmojnë rrallë me më shumë se 1-2 batalione, nuk bëhet fjalë që ushtria italiane të mbajë frontin në Shqipëri dhe më tepër ajo ështe duke u tërhequr në luftë e sipër. Ai është i mendimit se futja në luftë qoftë edhe e një regjimenti gjerman do të bënte që fronti të mbahej, sidomos për shkak të veprimit të jashtëzakonshëm mbi moralin e ushtarëve italianë por edhe mbi ata grekë.

Faqe 245_246 – 04.01.1941. Atasheu ushtarak në Romë lajmëron me shkrim (Nr. 6/41 Tepër e Fshehtë Tepër Përparësi) se general Guzzoni e ka bërë me dije më 03.01.1941 se gjenerali Cavallero ka marrë komandën e trupave në Shqipëri në vend të gjeneralit Soddu që është sëmurë. Ai përshendet gatishmërinë gjermane për të derguar trupa me tanke në Libi dhe një divizion me ushtarë në Shqipëri si dhe armatime e pajisje nga kontigjenti i plaçkës së luftës. Ai lutet që divizioni me ushtarë të jetë i gatshëm për t’u dërguar.

Gjenerali Guzzoni e përshkruan gjendjen në Shqipëri si vijon: Në Shqipëri pritet një sulm tjetër i fuqishëm grek ose në zonën bregdetare të Vlorës, ose në luginën e lumit Osum në drejtim të Beratit. Shpresohet se ay sulm të përballohet nga italianët.

Faqe 251 – 08.01.1941. Për futjen e trupave gjermane në Shqipëri nuk është marrë ende vendim.

Faqe 252 – 08.01.1941. Që nga data 10.12.1940 janë dërguar 16’000 ushtarë [italianë] në Shqipëri me transportuesit Ju-52.

Faqe 254 – 09.01.1941. Hitleri flet për gjendjen në Shqipëri dhe thotë se nëse do të futen trupa gjermane atje, atëhere duhet të jenë aq të fuqishme sa të mund të godasin nga shpina forcat greke që do të përpiqen të bllokojnë Selanikun. Por më parë forcave gjermane do t’u duhet të përparojnë në Shqipëri. Për këtë është e nevojshme një bashkëveprim i forcave gjermane dhe italiane si dhe një njësie me disa tanke të fuqishëm. Nuk do ishte gabim që kjo trupë e ndërthurur të fillonte përpara se të arrinte Armata XII [gjermane].

Komandanti i Ushtrisë Tokësore kërkon leje që të fillohet me mbledhjen e të dhënave të nevojshme mbi gjendjen në Shqipëri dhe ve si kusht paraprak për sukses ushtrimin e një ndikimi të mjaftueshëm mbi komandën italane në Shqipëri, në mënyrë që italianët të fillojnë sulmin njëkohësisht me forcat gjermane.

Faqe 260 – 10.01.1941. Që nga 10.12.1940 janë çuar me aeroplanët Ju-52 17’000 ushtarë [italianë] dhe 1300 ton [materiale] në Shqipëri. Gjenerali von Rintelen shkon në frontin shqiptar. Të dhëna mbi vendosjen e trupave italiane në Shqipëri. ….. Të bëhet gati Divizioni i parë malor për në Shqipëri.

Faqe 261 – 11.01.1941. Të bëhen gati një Korps gjerman për ta dërguar në Shqipëri, që përfshin 1 Divizion malor dhe forcë tankiste. Ato do të mbështesin trupat italiane në rast krize si dhe për sulmin e mundshëm dhe çarjen e frontit grek në pika të rëndësishme. Veç kësaj do kenë si detyrë të mbështesin nga shpina sulmin ballor të Armatës XII [të komanduar nga gjenerali Wilhelm List] për të hapur ngushticën në perëndim të Selanikut. Dërgimi i trupave gjermane me anë të anijeve që janë ende në detin Mesdhe ose me grupin e avionëve transportues Ju-52 në Foggia duhet të jetë kryer brenda mundësive përpara së të fillojë transporti në Libi.

Faqe 263 – 13.01.1941. Dje kapiten Bürkner njoftonte se italianët janë dakort me dërgimin e oficerëve të zbulimit në Shqipëri dhe Libi. Pikëpamje të kolonelit Jodl mbi gjendjen në Shqipëri mbështetur në raportin e gjeneral-kolonelit Rintelen. Dërgimi përfundimtar i trupave në Shqipëri vetëm kur të jetë arritur një baraspeshë e forcave. Prandaj me sa duket do ketë transport të njëkohshëm të trupave për Shqipëri dhe Libi.

Faqe 265 – 15.01.1941. Shqipëri: Vije fronti e pavolitshme në bregdet. ….. Raport i gjeneral-kolonelit Rintelen rreth bisedës me Guzzonin më 13.01.1941 mbi gjendjen në Shqipëri. …. U nisën trupa zbulimi në Shqipëri dhe Libi.

Faqe 266 – 15.01.1941. Komanda e Lartë e Forcave Tokësore lajmëron se shtabi zbulues me kolonelin Jodl me 4 oficerë të tjerë është nisur për Shqipëri.

Faqe 267 – 18.01.1941. Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes Kombëtare (Z.M.K.) në Shtabin e Operacioneve të Forcave Ushtarake (Sh.Op.F.U.) shkon më 17.01.1941 në Berchtesgaden dhe paradite më 18.01.1941 i raporton komandantit të Shtabit të Operacioneve të Forcave Ushtarake në Zyrën Perandorake në Berchtesgaden. Ai i dorëzon organizimin e trupave të parashikuara për t’u dërguar në Shqipëri dhe Libi si dhe programin e transportit për këto trupa.

Faqe 268 – 18.01.1941. Komandanti i Sh.Op.F.U. pranon mendimin e komandantit të Z.M.K. për t’i dhënë operacioneve në Libi dhe Shqipëri përkatësisht emrat “Luledielli” dhe “Zambak i Alpeve”. Urdhrat për komandat përkatëse të ushtrisë dolën më 20.01.1941.

Faqe 270 – 20.01.1941. Operacioni “Zambaku i Alpeve” që parashikon futjen e trupave në Shqipëri nuk mund të zhvillohet sipas planit, sepse italianët duhen të përdorin kapacitetet e porteve shqiptare plotësisht për të dërguar përforcimet e tyre. Vendimi i ri do të merret në fillim të Marsit. Nëse atëhere do vihet përsëri në pikëpyetje futja e trupave gjermane, atëhere ajo do të bëhet në një përmasë të zvogëluar.

Faqe 272 – 22.01.1941. Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura [general Wilhelm Keitel] dërgon shënimet e tij nga biseda me gjeneralin italian Guzzoni në Berchtesgaden më 19.01.1941 si dhe një përmbledhje të përfundimeve të bisedave të Hitlerit më Ducen në Berghof më 20.01.1941.

            Gjeneral Guzzoni në bisedë me Komandantin Suprem të Forcave të Armatosura e vlerëson situatën si më poshtë: Në Shqipëri zhvillohet lufta më e rëndësishme për Italinë. Fronti i atjeshëm ende nuk është forcuar, por linja e tanishme do të mbahet me çdo kusht kundër sulmeve greke dhe nuk egziston mundësia që Vlona ose Berati të bjerë në dorë të grekëve.

Në Shqipëri ndodhen tani 21 divizione italiane dhe qëllimi është të dërgohen atje edhe 3 të tjerë nga Italia për të krijuar në krahun verior të ushtrisë një grup prej 10-12 divizionesh (që do përfshijë 3 divizionet e përmendura më lart dhe 4 divizione alpine). Grupi do jetë gati të sulmojë vetëm pas dy muaj e gjysëm, sepse transportim më i shpejtë i tre Divizioneve dhe freskimit të Divizioneve të tjerë nuk mundet. Sulmi i këtij grupi është planifikuar në drejtimin e Korçës, nga këtu në drejtim të Ersekës për ta shkatërruar frontin verior grek dhe për të vazhduar në drejtimin e Follorinës kur linja e furnizimit nëpërmjet Korçës të jetë siguruar. Synimi i tanishëm për të kryer një sulm në bregdet me qëllime të kufizuara është braktisur.

Faqe 273 22.01.1941. Qëndrimi i komandantit të Komandës Supreme të Forcave të Armatosura (K.S.F.A.) në lidhje me vlerësimin e gjeneral Guzzonit jepet: Është pothuaj e pamundur që italianët të përgatisin në kohën e duhur trupat e nevojshme për një sulm në Shqipëri. Prandaj nuk duhet llogaritur më mbështetje italiane për sulmet gjermane të nisura nga Bullgaria kundër Greqisë.

Faqe 274 – 22.01.1941. Italianët e quajnë dërgimin e trupave gjermane në Shqipëri të dëshirueshëm po jo të nevojshëm.

Faqe 275 – 22.01.1941. Prandaj nuk ka kuptim të dërgohen trupa tani në Shqipëri. Nëse fronti do të qëndrojë atje pa lëvizur, do të kishte pasoja psikologjike të padëshirueshme. Nëse do të futen trupa, atëhere lufta do të filloje para kohe në jug-lindje.

Faqe 280 – 25.01-.1941. Futje e trupave greke në Shqipëri.

Faqe 289 – 29.01.1941. Në Shqipëri ndodhen 24 Divizione italiane.

Faqe 290 – 30.01.1941. Gjendja në Shqipëri duket se është e qëndrueshme.

Faqe 292 – 31.01.1941. Raport i datës 29.01.1941 i gjeneralit Rintelen. Të dhëna të Guzzonit mbi Shqipërinë dhe Libinë.

Faqe 305 – 05.02.1941. Trupat gjermane në Libi dhe në Shqipëri, vetem në rast se do të ketë trupa atje, do të vihen taktikisht drejtpërsëdrejti në shërbim të komandave italiane. Këto trupa janë nën komandën e Komandantit të Trupave Tokësore i cili nëpërmjet oficerit ndërlidhës ka lidhje me komandën italiane në terren.

Faqe 307 – 06.02.1941. Skuadroni Luftarak III për Qëllime të Veçanta në Foggia do të jetë vetëm nën komandën e Korpusit Ajror X për të furnizuar e trupat tokësore gjermane ne Afriken veriore. Është e nevojshme të behet në kohë një planifikim i ri i transporteve italiane për në Shqipëri.

Faqe 322 – 13.02.1941. Në Shqipëri nuk ka veprime luftarake me rëndësi.

Faqe 324 – 14.02.1941. Pika kryesore e mbështetjes së forcave ajrore angleze është Kreta. Prej andej me ndihmën dhe të aeroporteve të tjera në Greqi kryhen goditjet në Shqipëri.

Faqe 326 – 15.01.1941. Meqenëse gjendja e frontit në Shqipëri është e qëndrueshme dhe në këtë stinë të vitit nuk pritet ndonjë sukses i rëndësishëm në rast sulmi, qoftë edhe me trupa gjermane, atëhere nuk do të mbahen trupa gjermane në gatishmëri për këtë rajon.

Faqe 343 – 04.03.1941. Leter e gjeneralit von Rintelen mbi bisedën me Guzzonin. Gjenerali Cavallero do të fillojë me 06.03.1941 një sulm të vogël në Shqipëri. Duçja, i cili ndodhet tani në Shqipëri, ka urdhëruar në vend të saj një sulm të Armatës XI më datë 8 ose 9 mbi qytetin e Gjinokastrës. Lajme të pavërtetuara mbi zbarkimin e 2 divizioneve angleze në Greqi.

Faqe 346 – 06.03.1941. Gjenerali von Rintelen ka marrë urdhërin të jetë shumë i tërhequr. Për këtë arsye italianët e kanë shtyre sulmin e tyre në Shqipëri.

Faqe 351 – Divizioni i këmbësorisë arriti në kufirin bullgaro-grek. Në Shqipëri ka filluar sulmi më 09.03.1941 me Korpuset XXV, VIII dhe IV të forcave tokësore. Sulme italiane në mëngjezin e datës 09.03.1941. ….. Sulmi italian në Shqipëri nën komandën e Duçes.

Faqe 353 – 12.03.1941. Suksese të pakta të italianëve në Shqipëri.

Faqe 356 – 13.03.1941. Përfundon sulmi italian në Shqipëri.

Faqe 363 – 18.03.1941. Në Shqipëri qëndrojnë 25 divizione italiane përkundrejt 16 divizioneve greke. Sipas gjeneralit von Rintelen, fuqia goditëse e grekëve po pakësohet. Krijohet përshtypja se anglezët po zbarkojnë trupa në Greqi dhe me sa duket në pjesën veriore të Peloponezit.

Faqe 365 – 21.03.1941. Nënshkrimi i marrëveshjes me Jugosllavinë. Në Shqipëri do të shkojë një shtab i vogël i ndërlidhjes së forcave tokësore me në krye kolonelin Fretter-Pico.

Faqe 371 – 31.03.1941. Gjendja e italianëve në Shqipëri përpara fillimit të operacioneve kundër Jugosllavise duket e vështirë. Italianët bëjnë gati 1 Divizion tankesh dhe 2 Divizione këmbësorie pranë kufirit Jugosllav. 3 Dvizione britanike në Greqi. Abisinia u humb.

Faqe 373 – 01.04.1941. Dërgohen dy divizione italiane në Shqipëri.

Faqe 374 – 02.04.1941. Sulme greke në Shqipëri.

Faqe 374 – 03.04.1941. Sulme të veçuara greke në Shqipëri. Dërgohen për mbrojtjen e kufirit lindor dhe verior 3 Divizione nga Armata XI, 1 Divizion nga Armata IX, 2 Divizione nga Italia. Ducia kërkon oficerë gjermanë për këta Divizione.

Faqe 375 – 05.04.1941. Gjenerali von Rintelen takohet më 03.04.1941 në Shqipëri me gjeneralin Cavallero; raporton mbi qëllimet dhe grupimet e forcave italiane.

Faqe 376 – 07.04.1941. Është ndërprerë ndërlidhja me Shqipërinë dhe Libinë.

Faqe 380 – 14.04.1941. Lëvizje tërheqjeje të trupave greke në Shqipëri.

Faqe 380 – 15.04.1941. Tërheqje e plotë e grekëve nga Shqipëria.

Ditari mbaron më datë 30 Dhjetor 1941.

 

 

 

(Përktheu Ana Kolevica, redaktoi Saimir Lolja)

Share This Article
1 Comment
  • Keto ditare lufte jane te Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Gjermane (Kriegstagebuch des Oberkommandos der Wehrmacht, KTB OKW). Historiani kryesor I botimit te tyre ishte Percy Ernst Schramm dhe tere seria e librave te ditareve eshte 6643 faqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *